Për të lehtësuar paraqitjen e ankesave nga qytetarët, shoqata Inxhinierët e Maqedonisë informon se është hartuar formular për raportimin e një shkeljeje në rastet kur përdoruesve nuk u ofrohet qasje vizuale në orëmatësit e rrymës, transmeton Portalb.mk.
“Bazuar në përgjigjen zyrtare të marrë nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, shoqata Inxhinierët e Maqedonisë ka hartuar një formular për paraqitjen e një ankese në Inspektoratin Shtetëror për Energjinë, Minierat dhe Burimet Minerale, i cili mund të përdoret nga çdo qytetar që beson se e drejta e tij për qasje vizuale në orëmatësit e tij të energjisë elektrike është shkelur”, thotë shoqata, duke shtuar se kushdo i prekur mund ta shkarkojë formularin, ta plotësojë dhe ta dorëzojë atë elektronikisht ose me postë.
Ata shtojnë se ky inspektorat është përgjegjës për kryerjen e inspektimeve në rastet kur operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike (EVN Maqedoni) nuk ofron qasje në pajisjen matëse.
“Kjo përbën shkelje të nenit 164 paragrafi (1) pika 19 të Ligjit për Energjetikë. Njëkohësisht, kjo kundërvajtje sanksionohet me gjobë prej 1.000 deri në 3.000 euro në kundërvlerë denarë në përputhje me nenin 286 të të njëjtit ligj”, thonë “Inxhinierët e Maqedonisë”.
Kujtojmë se disa muaj më parë, “Inxhinierët e Republikës së Maqedonisë” (IRM) kërkuan të futet leximi i detyrueshëm mujor i orëmatësve aktualë të rrymës.
Nga atje thanë se Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) duhet të ndryshojë rregullat për furnizim me energji elektrike dhe të vendosë leximin e detyrueshëm mujor të orëmatësit.