Lajme nga rajoni
Mbyllet raundi i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, s’ka takim trepalësh
Kanë përfunduar takimet e ndara të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, ndërsa pala evropiane nuk ia doli që t’i bindë ata për një takim të përbashkët.
Faktin se nuk do të ketë takim trepalësh, këtë e konfirmoi Besnik Bislimi, i cili dy herë është takuar me Lajçakun gjatë ditës. Kryenegocitorët kanë zhvilluar takime të ndara me Lajçak gjatë kësaj të marte.
Është ky një nga tentimet e palës evropiane që të organizojë një raund dialogu në nivel te kryenegociatorëve, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të vijë deri tek takimi i përbashkët.
Një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet ne fjalë kë thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera që do të dominojë gjatë bisedave të ndara.
Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës ka përfunduar takimin e ndarë më Lajçak i cili kishte filluar në orën 9 dhe ka zgjatur gati 2 orë. Një takim të ngjashëm, me pas ai e ka zhvilluar edhe me homologun e Bislimit nga Beogradi, Petar Petkoviç, kryenegociatori serb.
Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në raundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Paqartësitë lidhur me mbajtjen e takimit të përbashkët nisën qysh të premten që shkoi, kur kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për mbajtjen e takimit trepalësh, por se Serbia e ka refuzuar agjendën e ndërmjetësit.
Se kishte keqkuptime rreth agjendës, këtë e kanë konfirmuar disa burime në Bashkimin Evropian. Por këta zyrtarë shpjeguan se të dyja palët janë përgjegjëse për dështimin eventual të mbajtjes së takimit trepalësh. Gjithnjë sipas këtyre burimeve të dyja palët u përpoqën të diktojnë agjendën e takimit trepalësh dhe nuk u dakorduan me kërkesat e ndërsjella, teksa kanë injoruar propozimin origjinal të palës evropiane./ RTK
Lajme nga rajoni
Tërmet me magnitudë 3.9 godet Shqipërinë, lëkundjet ndihen edhe në Tiranë
Një tërmet me magnitudë 3.9 të shkallës Rihter goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, duke u ndjerë në disa qytete të vendit.
Sipas të dhënave paraprake, epiqendra e tërmetit ishte rreth 13 kilometra larg Elbasanit, ndërsa lëkundjet u ndjenë në të gjithë Shqipërinë e Mesme, përfshirë Tiranën, Durrësin dhe qytete të tjera përreth.
Deri më tani, nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe po ndjekin zhvillimet pas lëkundjeve.
Shqipëria është një nga vendet me aktivitet sizmik të lartë në rajon, për shkak të pozicionit të saj gjeologjik, ndaj lëkundje të tilla regjistrohen periodikisht.
Lajme nga rajoni
Haxhiu e prerë: Nuk lejojmë gjyqtarë dhe prokurorë nën urdhrat e Serbisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova nuk mund të lejojë që në sistemin e saj të drejtësisë të ketë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë serbë që u binden urdhrave të Serbisë.
Ajo i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta zbatojë ligjin dhe të veprojë njësoj si Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dhënë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë nga Serbia. Pjesa dërrmuese e tyre kanë përfituar mjete financiare nga Serbia. Edhe gjatë kohës sa kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë kanë marrë mjete financiare nga Serbia”, ka thënë ajo.
Haxhiu teksoi se ka raste kur ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë “kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi dhe Kosovë, ku janë diskutuar plane edhe për bllokimin e rrugëve në Kosovë”.
“Mandati i prokurorit dhe i gjyqtarit përfundon me dorëheqje. Ligji nuk parasheh asnjë mekanizëm për rikthimin në të njëjtin mandat. Në linjë me përgjegjësitë e mia, unë sot i bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që u binden urdhrave të Serbisë. Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë do të lejonte që në shtetet e tyre të kishin prokurorë dhe gjyqtarë që u binden shteteve të tjera? Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë që nuk ndikohen nga Serbia”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu: Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia, drejtësia në veri ka dështuar
Haxhiu tha se ndikimi i drejtpërdrejtë i Serbisë te këta individë, ka bërë që drejtësia në veri të dështoj më parë.
“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri. Dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instruktuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi”, ka thënë ajo.
Ajo tha se ka dëshmi se një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kryer aktivitete të dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në veri të vendit.
Lajme nga rajoni
KGJK-ja sot shqyrton tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë
Sot do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në të cilën pritet të shqyrtohen disa çështje me rëndësi për funksionimin e sistemit gjyqësor në vend.
Njëra ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe i njoftimeve të dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës nga komuniteti serb lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
U.d. Presidentja Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli të trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me statusin e dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe personeli administrativ i komunitetit serb, të cilët kishin braktisur institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Kërkesa vjen në një kohë kur një numër pjesëtarësh të komunitetit serb kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, duke njoftuar për tërheqjen e dorëheqjeve të mëhershme. Vendimi që do të marrë KGJK-ja pritet të ketë ndikim në funksionalizimin e plotë të sistemit gjyqësor, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.
Përveç kësaj çështjeje, anëtarët e Këshillit do të shqyrtojnë edhe pika të tjera të parapara në rendin e ditës, ndërsa pritet të zhvillohet edhe procesi i zgjedhjes së zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

