Lajme nga vendi
Ekspansioni alarmant i shtatzënave adoleshente!
28 Shtatori është Dita Ndërkombëtare e Abortit, e cila ka si qëllim të promovojë të drejtat riprodhuese dhe të sensibilizojë për nevojën e aksesit të sigurt në shërbimet e abortit. Kjo ditë shërben gjithashtu për të nënvizuar rëndësinë e edukimit dhe informimit për mbrojtjen riprodhuese, veçanërisht për gratë dhe vajzat në mbarë botën. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut në këtë ditë shqetësuese është rritja e numrit të adoleshenteve shtatzëna, një fenomen që tregon nevojën urgjente për edukim dhe mbështetje për të rinjtë, për të siguruar që ata të kenë informacionin dhe burimet e nevojshme për të marrë vendime të informuara për shëndetin e tyre riprodhues.
Për këtë, gazeta KOHA bisedoi me gjinekologen specialiste të “Natal Medica”, Edita Iseni, e cila informoi se numri i adoleshenteve shtatëzëna, pasqyron dështimin e institucioneve për të ofruar informacione për edukimin seksual dhe qasje në kontraceptivë, duke rezultuar në kosto të larta individuale dhe sociale. “Fatkeqësisht numri i adoleshenteve shtatzëna është në rritje. Shtatzënia në adoleshencë ka një kosto të lartë, si nga ana individuale, ashtu edhe nga aspekti social më i gjerë. Për mua,shkalla e lartë e abortit tek adoleshentët reflekton dështimin për të edukuar dhe trajnuar të rinjtë për jetën seksuale për të përdorur kontracepcionin modern dhe efektiv nga ana e shtetit në planifikimin e prioriteteve edukative”, theksoi Iseni, duke u bërë thirrje atyre të marrin kurajo dhe të vizitojnë një gjinekolog, qoftë vetëm për këshilla.
Gjinekologia na informon se aborti tek vajzat nën moshën 18 vjeç ka pasoja të pakthyeshme psikike, ndërsa pasojat shëndetësore përfshijnë faktin se ata nuk janë ende fizikisht gati për shtatzëni dhe lindje, e veçanërisht aborti,gjë që çon në komplikime serioze. “Nëse duhet të potencohet mosha,sigurt se mosha nën 18 vjeç është ajo më e rrezikuara. Aborti ka edhe pasoja shëndetësore. Nga pikëpamja psikologjike dallohen depresioni, ndjenja e fajit, sindroma psikologjike pas abortit dhe deri te vetëvrasja. Nga ana fizike vërehen infeksione të ndryshme, dëmtime të mitrës që mund të shkaktojnë probleme gjatë ngjizjes së fëmijëve në të ardhmen, por edhe gjakderdhje që mund të ketë një përfundim fatal”, informoi Iseni.
Për fund, Iseni u bëri thirrje institucioneve përkatëse të ju përkushtohen të rinjve në informimin e edukimit të tyre seksual, sepse sipas saj me këtë ne do kemi një rini të shëndoshë me pasardhës të shëndoshë.
Nga ana tjetër, aktivistja e grave, Rita Beadini deklaroi për gazetën KOHA se ligji për abort në vend është mjaftë i avancuar, por mungesa e gjinekologëve dhe informacionit për mbrojtjen riprodhuese rrit numrin e shtatzënive të paplanifikuara.
“Ligji për abort në Maqedoni është goxha progresiv, lejon madje edhe abortin me medikamente. Problemet në përgjithësi janë në terren, si mungesa e gjinekologëve në rajone të caktuara, gra të cilat nuk kanë gjinekolog amë ndikojnë në gjendjen aktuale të grave në Maqedoni. Besoj që pak bëhet për prevenim të shtatzënive të paplanifikuara, në mënyrë që të mos vijë deri te aborti, sidomos te vajzat e moshave të reja. Normalisht, ofrimi i metodave të mbrojtjes falas duhet të jetë një nga preokupimet e Qeverisë, në mënyrë që të ulet numri i shtatzënive të paplanifikuara”, tha ajo.
Ajo shtoi se duke marrë parasysh numrin e lartë të adoleshenteve që abortojnë, lënda e edukimit seksual nëpër shkolla është i domosdoshëm. “Edukimi është mënyra më e mirë për prevenim të shtatzanive të paplanifikuara, në mënyrë të mos vijë puna deri te aborti. Kur gratë dhe burrat do të kenë qasje në informacion, të njëjtët do t’i kenë në dispozicion mjetet e nevojshme për prevenim të këtyre situatave. Edukimi seksual nëpër shkolla tashmë është i patjetërsueshëm, meqë numri i të miturave që lindin dhe abortojnë fëmijë në vend është goxha i lartë”, theksoi Behadini. Ndryshe, nga kumtesa e fundit e HERA-s thuhet se një përqindje e konsiderueshme, posaçërisht e djemve të moshës 15-vjeçare tashmë kanë pasur përvojë seksuale, ndërsa marrëdhënia e mbrojtur seksuale është praktikë vetëm tek 20 për qind e vajzave dhe 62 për qind e djemve mes popullatës shqiptare, përkatësisht 64 për qind e djemve dhe 52 për qind e vajzave mes popullatës maqedonase. Nga çiftet e reja deri 29 vjeç, vetëm 12.8 për qind shfrytëzojnë mjet modern kontraceptiv. Si pasojë, shkalla e shtatzënisë së paplanifikuar në adoleshencë është pothuajse tre herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

