Lajme nga vendi
100 ditë Qeveri, Taravari: Para 100 ditëve nisi epokë e re me fuqinë në duart e popullit
Para 100 ditëve nisi një epokë e re! Një epokë ku askush më nuk e ndjen peshën e padrejtësisë, ku asnjë familje shqiptare nuk ndjehet se s’ka të ardhme. Bashkë, ne po ndërtojmë këtë të ardhme! Një të ardhme ku fuqia qëndron në duart e popullit.
Kjo u tha nga ana e kryetarit të ASH-së dhe ministër i shëndetësisë Arben Taravari me rastin e 100 ditëshit të parë të Qeverisë së re, pjesë e së cilës është koalicioni shqiptar “VLEN”.
Taravari nga SHBA-të, ku merr pjesë në Asamblenë e 79-të të OKB-së, përmes një video lidhjeje, theksoi se klikës 22 vjeçare të BDI-së më në fund i erdhi fundi dhe shprehet falënderues ndaj çdo bashkëudhëtari të ndryshimit.
“Të dashur të pranishëm, mikesha e miq – bashkëudhëtarë të ndryshimit, Edhe pse nuk jam fizikisht me ju për shkak të një vizite zyrtare në SHBA, e di se sot na ka bërë bashkë në Shkup një ndjenjë të thellë shprese, krenarie dhe triumfi. Jo për ne vetë, por për çdo shqiptar që për 22 vite jetoi nën hijen e një klike të korruptuar që zuri frymën e popullit tonë. 22 vite! Gati një çerek shekulli, ku secili prej nesh provoi padrejtësinë, ku drita e shpresës ndizej dhe shuhej përditë nga një makineri pushteti që nuk pyeste për nevojat e popullit. BDI-ja ishte një frikë mbi të cilën ndërtohej perandoria e politikanëve të korruptuar, ndërsa populli ndihej i dobët përballë arrogancës së tyre. Por e dini çfarë? Ne nuk u dorëzuam! Derisa ata ia kthyen shpinën popullit, ne u betuam se nuk do të lëmë asnjë fije shprese të vdesë. Dhe ja ku jemi sot! Me kokën lartë! Me zemrën plot! Sepse ju, ne, të gjithë bashkë, arritëm të çlirojmë shqiptarin nga një regjim që na mbajti peng për më shumë se dy dekada. Ia vlejti mundi për të hequr nga skena ata që me fytyrë të buzëqeshur, por me shpirt të errët, ia mohuan të ardhmen të rinjve tanë, që e përdorën pushtetin për t’u pasuruar, duke i lënë qytetarët në varfëri e dëshprim”, theksoi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Në fjalimin e tij, ai më tej tha se sot, shqiptarët janë të lirë! Jo thjesht të lirë nga një parti politike, por të lirë nga një sistem që e përbuzi dhe e përçmoi popullin tonë. “Dhe kjo liri, kjo fitore, është e juaja. Kjo është fitore e atyre që s’u ndalën kurrë së besuari tek ndryshimi”, theksoi më tej ai, për të shtuar: “E atyre që përballë çdo lufte, përballë çdo pengese, nuk pranuan të heshtin. Sepse heshtja është armiku më i madh i lirisë”.
“Para 100 ditëve nisi një epokë e re! Një epokë ku askush më nuk e ndjen peshën e padrejtësisë, ku asnjë familje shqiptare nuk e ndjen se nuk ka një të ardhme. Bashkë, ne po ndërtojmë këtë të ardhme! Një të ardhme ku fuqia qëndron në duart e popullit, e jo në xhepat e të korruptuarve. Në këtë periudhë 100 ditëshe, qeverisja e koalicionit VLEN dëshmoi se edhe në Maqedoninë e Veriut mund të qeveriset ndryshe, mund t’i shërbehet popullit pa skandale, me nder e dinjitet, e jo interesave personale e grupore”, deklaroi kreu i ASH-së, Taravari.
Në fjalimin e tij, ai u ndal edhe te Ministria e Shëndetësisë, dikaster që e drejton vetë ai. Theksoi se Ministria e Shëndetësisë që drejton ai, ka filluar rimëkëmbjen e sistemit të shëndetësisë.
“Ky sistem tani është çliruar nga epidemia e korrupsionit dhe po u shërben qytetarëve mirëfilli. Në këtë periudhë të shkurtër ne kemi shënuar shumë rezultate. Do të veçoj vetëm disa:
1. Zhbëmë pozitën e drejtorëve ekonomikë për të zvogëluar shpenzimet e panevojshme dhe minimizuar mundësinë e korrupsionit nëpër klinika;
2. Siguruam punësimin e 600 specializantëve privatë të cilët do t’u shërbejnë qytetarëve;
3. Pas mëse 10 vitesh u azhurnua lista pozitive e barnave për 9 barna të reja gjenerike, gjithsej 87 barna në forma të ndryshme;
4. Siguruam mjete për përfundimin e Spitalit të Kërçovës dhe Shtipit, si dhe po rikonstruojmë Spitalin Klinik të Tetovës;
5. Siguruam 10 milionë euro për pastrimin e ajrit në objektet shëndetësore;
6. Blemë paisje në vlerë prej 1 milion euro për Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive;
7. Siguruam pajisje moderne siç janë rezonanca magnetike me vlerë 1.3 milionë euro, si dhe dhe një mikroskop kirurgjik më të avancuar për Klinikën Universitare të syrit;
8. Nisëm rikonstruimin e godinës ku do të vendoset qendra e parë ditore për adoleshentët dhe të rriturit me spektrin autik;
9. Rinovuam ambulancën neurologjike të Klinikës për sëmundje të fëmijëve”, tha Taravari.
Këto janë vetëm disa nga arritjet tona në këtë periudhë të shkurtër, ndërsa ne do të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të barabartë, ku çdo individ do të ketë mundësinë të kontribuojë dhe të përfitojë, theksoi më tej kreu i ASH-së në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve në shënimin e 100 ditëshit të Qeverisë së re.
“Ne do të punojmë për një arsim më të mirë, një sistem shëndetësor që shërben të gjithë dhe një ekonomi që ofron mundësi për të rinjtë tanë. Do të jemi vigjilentë! Çdo ditë do të kujtojmë sakrificat që na sollën këtu. Çdo ditë do të angazhohemi për të mbrojtur lirinë tonë, për të forcuar demokracinë dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë”, tha Taravari.
Taravari theksoi se ia vlejti lodhja, pagjumësia dhe, siç potencoi, çdo sakrificë që të thyejmë prangat që na kishin lidhur për kaq gjatë!
Ai fjalimin e mbylli me mesazhi se: “Rezultatet flasin për vete. Ndryshimi që e kisha premtuar ka ndodhur dhe këtë ndryshim do ta prekë çdo qytetar, çdo familje dhe çdo shqiptar i vendit tonë”.
Lajme nga vendi
‘Fitonin’ 34 mijë euro me mallverzimeve gjatë shit-blerjes së veturave të konfiskuara
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I., B.G. në cilësinë e tyre si drejtues të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrjes publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregulloret e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës së prokurimit publik, me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë shkelur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të shkatërruara – skrap metali, të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Një person juridik u paraqit si konkurrent formal, dhe gjatë ankandit publik u paraqit një ofertë me një gabim teknik të qëllimshëm në një shumë monetare joreale, e cila i pengoi pjesëmarrësit e tjerë të vazhdonin më tej me ofertat.
Të pandehurit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimit Pasuror dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurën Penale dhe Kundërvajtje, dhe bazuar në një akt nënligjor dhe mendim ligjor të përgatitur nga A.B., me vetëdije ndihmuan në zbatimin e kësaj skeme të dakorduar dhe mundësuan lidhjen e një marrëveshjeje për shitjen e automjeteve të sekuestruara të shkatërruara si skrap metali midis Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, të përfaqësuar nga F.A., dhe personit juridik të menaxhuar nga N.I., gjë që i mundësoi personit juridik të fitonte përfitim pasuror të paligjshëm në shumën prej 2.128.352 denarë.
Lajme nga vendi
Siljanovska: Balancuesi krijoi pushtet të korruptuar, ligjet duhet të miratohen me procedurë të rregullt
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot deklaroi se heqja e balancuesit ishte e domosdoshme për shkak të rreziqeve korruptuese që i ka krijuar, duke theksuar njëkohësisht se çështjet e shtetësisi jorezidente, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe politikat energjetike janë komplekse dhe duhet të zgjidhen përmes parimeve kushtetuese, debatit publik dhe respektimit të standarE madhee njerëzore dhe ekologjike.
Në një deklaratë për mediat pas hapjes së “Fundjavës për pastrim të përgjithshëm”, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se i a.q. balancuesi, në formatin që ka ekzistuar, në thelb çoi në korrupsion dhe kriminalizim.
Në lidhje me çështjen për shtetësinë jorezidente, ajo u përgjigj se zgjidhja duhet të miratohet përmes argumenteve.
“Çështja është komplekse. Ka vende ku ekziston shtetësia e dyfishtë, ka vende ku nuk ekziston. Sot të gjithë po përballemi me një eksod dhe mungesë të fuqisë punëtore, dhe po flasim për qenie njerëzore që kanë edhe të drejtën e jetës”, tha presidentja, duke shtuar se zgjidhjet duhet të merren pas një debati të gjerë publik dhe duke peshuar argumentet “pro” dhe “kundër”.
Lidhur me pritjet e saj për marrëdhëniet me qeverinë e re të Bullgarisë, Siljanovska Davkova deklaroi se pritjet duhet të drejtohen nga qeveria e re bullgare dhe kryeministri Rumen Radev, duke theksuar se populli bullgar pret stabilitet, reforma dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Lidhur me kërkesat e organizatave joqeveritare për të vënë veton ndaj Ligjit për Burimet Minerale, presidentja theksoi se ato kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe meritojnë, siç e tha ajo, një “vend të gjelbër” në parlament.
Sipas saj, garancitë për mbrojtjen e mjedisit nuk përmbahen në këto ligje.
“Ato ligje, nëse keni parasysh Ligjin për burimet minerale, merren kryesisht me çështjet e energjisë. Ne kemi Kushtetutë, kemi edhe Ligj për mbrojtjen e mjedisit – ky është çelësi i qëndrimit ndaj këtyre ligjeve”, shtoi Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se shteti duhet të përgatitet njëkohësisht për sfidat e ardhshme energjetike dhe të kujdeset për natyrën.
Lajme nga vendi
KONGRESI I VLEN – QYTETARËT MIRËPRESIN BASHKIMIN!
Për ditë me radhë koalicioni VLEN ka ngritur intensitetit e aktivitetit publik duke paralajmëruër Kongresin e Bashkimit.
Sipas tyre e shtuna, do të kurorëzojë përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Koalicioni VLEN, nesër më 9 Maj – në Ditën e Evropës, do të mbajë Kongresin e bashkimit, ku 5 subjekte politike formalisht duhet të miratojnë vendimin për të vepruar si subjekt i vetëm politik në kuadër të bllokut politik shqiptar në vend. Në prag të Kongresit, VLEN doli me mesazhin se procesi i bashkimit ka qenë i gjatë dhe përplot me sfida politike, dyshime dhe tentativa për të parandaluar këtë process. Sipas VLEN-it, ky bashkim ka peshë historike dhe se ky është premtimi që VLEN ua dha shqiptarëve. Por, si e shohin qytetarët, këtë Kongres dhe këtë bashkim të VLEN-it?
“Çdo bashkim është i mirë. Madje unë kisha thënë se që të bashkohen të gjitha partitë”
“Edhe atë gajle do ia mbajë VLEN-it, unë jam plak”
“Më mirë me u bashkuar”
“Më mirë është. Deri tani Bilall Kasami ka punuar mirë. Jam i gëzuar”
“Mendoj se është mirë. Bilall Kasami duhet të jetë Kryetar”
“Është më mirë për shqiptarët. Cili të jetë Kryetar vet le ta vlerësojnë”
“Normalisht se është mirë. Sa më të bashkuar aq më mirë. Vet si do të vendosin organmet partiake, mendoj se Izeti do të ishte më mirë”
Pas Kongresit, VLEN, si pjesë e Qeverisë, do të duhet të përballet me shumë sfida që prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Situata ekonomike, migrimi i të rinjve, pozita e shqiptarëve, gjuha shqipe, eurointegrimet evropiane e shumë çështje tjera duhet që nga premtimet të shndërrohen në rezultate të prekshme./Tv Koha/

