Lajme nga vendi
LSDM kërkon: Siljanovska Davkova ta tërheqë vendimin për falje
LSDM kërkon që presidentja Gordana Siljanovska Davkova ta tërheqë vendimin për faljen e 10 personave me rastin e festës shtetërore 23 Tetori, në mesin e të cilëve u gjetën emra të grupeve kriminale. Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska, thekson se me këtë vendim siç e quan skandaloz, do të inkurajohen grupet kriminale, me çka do të rrezikohet siguria e vendit dhe do të cenohet sundimi i së drejtës.
“Tronditëse janë faljet skandaloze nga ana e presidentes Siljanovska-Davkova, e cila ka dënuar kriminelë të dënuar, pjesë të narko-klaneve, të arrestuar në aksione të mëdha policore me konfiskim të armatimit, parave dhe drogës. Më tronditëse është falja e përfaqësuesve të narko-klanit kriminal Baron, por edhe familjarëve të të njohurit Shenki. Për një pjesë të të falurve ka indicie të bazuara se janë të përzier edhe në vepra tjera penale dhe përleshje kriminale, siç ishte gjuajtja me armë në Çair. Të falur janë edhe ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski i cili ishte në burg për shkak të aktgjykimit në rastin Transportuesi dhe Marjan Efremov, i dyshuar i parë në aferën Spiuni. Me këto vendime skandaloze, Siljanovska Davkova, u vu në mbrojtje të kriminelëve dhe narko-klaneve”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Protesta e studentëve është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politik
Kryetari i komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, lidhur me protestën që do të mbahet nesër nga ana e studentëve, ku kërkohet që provimi i Jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, ka shkruar se kjo protestë, është thirrje për vetëdijesim për të gjithë aktorët politik e shoqëror të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
“Në shtetet multietnike siç është Maqedonia e Veriut, elitat shoqërore, në veçanti klasa politike ka për detyrë që në vazhdimësi të punojë në ndërtimin politikave të qëndrueshme ligjore e institucionale të cilat do ta reflektojnë karaktetin multietnik dhe frymën e diversitetit të shtetit në çdo sferë të shoqërisë. Politika gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, për fat të keq, është rregulluar me një ligj gjysmak. Ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake.
Prandaj protesta e nesërme është thirrje për vetëdijësim për të gjithë aktorët politikë e shoqërorë të cilët duhet të kontribuojnë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjate institucionale në vend.
Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim, sepse protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore të cilat strukturat politike kanë për obligim t’ i trajtojnë në tërësi”, ka shkruar Mexhiti.
Lajme nga vendi
VLEN: Protesta e studentëve po e nxjerr në shesh mashtrimin 20-vjeçar
Nga VLEN në një kumtesë për media thonë se “kur studentët dalin në protestë, kjo flet më shumë për dështimin e atyre që për vite kishin pushtetin, sesa për ata që sot po punojnë për të gjetur zgjidhje”.
Nga VLEN gjithashtu thonë se BDI sot po e instrumentalizon pakënaqësinë e studentëve dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga një problem që vetë e ka lënë zvarrë.
“Kjo është skandaloze. Kishte ministra, institucione, mekanizma dhe gjithë pushtetin e nevojshëm për ta mbyllur këtë çështje njëherë e mirë. Nuk e bëri. Jo pse nuk mundi, por sepse ishte e zënë me hajni, me Soravi, me blerje pronash dhe me pazare për llogari të klikës së vet. VLEN e konsideron protestën e studentëve si shprehje legjitime ndaj një padrejtësie që nuk duhej të zgjaste kaq shumë. Zëri i tyre duhet dëgjuar, jo të përdoret si vegël propagandistike nga ata që vetë e krijuan problemin”.
“Ne nuk do të bëjmë atë që është bërë për vite me radhë. Të flitet shumë dhe të mos zgjidhet asgjë. Për çështjen e mundësisë që të diplomuarit në juridik ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, tashmë po punohet seriozisht për një zgjidhje të qëndrueshme, ligjore dhe institucionale. Jo arnim. Por zgjidhje. Politika gjuhësore në vend është ndërtuar mbi zgjidhje gjysmake. Dhe ligjet gjysmake japin padrejtësi të plota. Pikërisht për këtë, sot nevojitet vullnet për ta mbyllur këtë plagë, jo lot krokodili nga ata që e mbajtën hapur për dy dekada”, thonë nga VLEN.
“Dallimi është si toka me qiellin. BDI i përdori shqiptarët si mburojë për të vjedhur, për t’u pasuruar dhe për ta mbrojtur korrupsionin e vet, ndërsa ne i trajtojmë si amanet. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë të mos fshihen pas studentëve dhe të mos i përdorin për interesa ditore”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Hodai: Sot në protestë të gjithë, politikanët e 20 viteve të fundit lini në fund të protestës
Aktivisti Blendi Hodai ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën e studentëve, duke theksuar se mbështetja reale nuk matet me postime në rrjetet sociale, por me prani fizike në rrugë.
Sipas tij, protesta është “testi më i thjeshtë i qytetarisë aktive”, ndërsa studentët nuk kanë nevojë për statuse në Facebook, por për qytetarë që u bashkohen në terren për të mbrojtur kërkesat e tyre bazike.
Në reagimin e tij, Hodai ka kritikuar edhe ata që, siç i quan ai, “tregtarë të kauzave studentore”, duke theksuar se faktet i demaskojnë vetë. Ai ka cituar edhe Arbën Xhaferi, i cili ka thënë:
“Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që e kanë siguruar heronjtë.”
Në fund, aktivisti ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se politikanët e dy dekadave të fundit duhet të mbeten “në radhën e fundit të protestuesve”.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Shihem nesër në protestë.”
-
Lajme nga rajoni2 weeks agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 weeks ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen
-
Lajme nga vendi2 months ago20-vjecari nga fshati Novo Sellë е Tetovës drejtonte mjetin pa leje i sekuestohet përkohësisht “BMV”

