Lajme nga vendi
Nis me punë Grupi i punës për themelimin e Regjistrit për pronën e patundshme të shtetit
Takimi i parë i Grupit të punës për gjetjen e zgjidhjeve për formimin e bazës së centralizuar për pasuri të paluajtshme shtetërore u mbajt në hapësirat e Qeverisë, ndërsa atë e udhëhoqi zëvendëskryeministri përgjegjës për Politika dhe Qeverisje të Mirë, Arben Fetai. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe kryerevizori shtetëror, Maksim Acevski dhe revizorët nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Zëvendëskryeministri Fetai e inkurajoi Grupin e punës dhe bashkë me kryerevizorin shtetëror Acevski u dhanë përkrahje anëtarëve për punën e tyre. Grupi i punës, me entuziazëm e pranoi detyrën e deleguar nga Qeveria, prej ku presin të ketë një zgjidhje konkrete për vendosjen e Regjistrit të centralizuar për pronën shtetërore të palujtshme.
“Menaxhimi dhe udhëheqja me pronën e paluajtshme shtetërore, si komponentë e mjeteve jofinanciare të shtetit, janë të rëndësishme sepse mund të kontribuojnë në zgjidhjen e disa prej sfidave prioritare me të cilat përballet edhe Qeveria. Respektivisht, menaxhimi dhe udhëheqja e mirë me pronën e paluajtshme shtetërore, nga njëra anë, mund të kontribuojë në uljen e shpenzimeve të mirëmbajtjes, rikonstruktimit, dhënies me qira të pronës, dhe nga ana tjetër, mund të jetë burim i parashikueshëm për plotësimin e të ardhurave publike. Gjithashtu, rritja e transparencës dhe llogaridhënies për politikat publike për menaxhim efektiv dhe efikas të pronës shtetërore mund të kontribuojë në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve”, thonë nga Kabineti i Fetait.
Shkëmbimi i pasaktë dhe jo në kohë i informacionit ndërmjet institucioneve të ndryshme shtetërore të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e pronës do të thotë se ka joefikasitet të konsiderueshëm dhe koordinim joadekuat në proceset e përdorimit dhe mirëmbajtjes së pronës.
“Krijimi i bazës së centralizuar të të dhënave (Regjistrit) është i një rëndësie të veçantë për Maqedoninë e Veriut. Kjo bazë do të përmbajë informacion mbi të gjithë pronën e paluajtshme shtetërore, e cila gjithashtu do të përditësohet rregullisht dhe do të jetë e disponueshme për të gjitha institucionet përkatëse, në mënyrë që të sigurohet mbikëqyrje e saktë të gjendjes së pronës dhe të mundësohet planifikim dhe shpërndarje efektive”, theksojnë nga Kabineti i Fetait.
Baza e centralizuar e të dhënave të pronës së paluajtshme shtetërore do të mundësojë evidencë të saktë, të dhëna të sakta dhe të përditësuara për të gjithë pronën, të cilat do të sigurojnë pasqyrë të qartë dhe transparencë. Planifikimi efektiv, informacioni rreth pronës do të mundësojë planifikim dhe shpërndarje më të mirë të resurseve publike.
Baza e centralizuar e të dhënave do të zvogëlojë rrezikun e përdorimit të paautorizuar dhe keqpërdorimit të pronës shtetërore. Qasja e lehtë në të dhëna të sakta do të mundësojë sjelljen e vendimeve të shpejta dhe efikase dhe do të rrisë efikasitetin e menaxhimit të pronës. Me zbatimin e këtyre zgjidhjeve, Republika e Maqedonisë së Veriut mund të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e paluajtshmërisë shtetërore, duke siguruar efektivitet, efikasitet dhe transparencë më të madhe në përdorimin e burimeve publike.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

