Connect with us

Lajme nga vendi

Rreziqet klimatike, aktivistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë masa urgjente

Published

on

Qeveria dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore, thonë aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend.

Këto reagime pasojnë Raportin e ri të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, të titulluar “Raporti i klimës dhe zhvillimit të vendit”, i cili paralajmëron për rreziqet që vendi mund të përballet si pasojë e këtyre fenomeneve.

“Gëzohem shumë që së fundmi po dëshmohet ajo që për vite me radhë paralajmërohej nga organizatat joqeveritare dhe vullnetarët për rrezikun që na kërcënon dhe, fatkeqësisht, është populli ai që i vuan të gjitha pasojat nga puna joserioze për vite me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ambientalistja Elmedina Abdulahi.

Ajo nënvizon se masat urgjente janë të domosdoshme, pasi “rreziku është shumë i madh dhe vendi e ka përjetuar këtë disa herë”.

“Nuk ka nevojë të shkruhen në raporte. Ne kemi pasur vërshime në Maqedoninë e Veriut që kanë marrë edhe jetë, dhe kjo tregon seriozitetin e problemit që ne e kemi, edhe pse është fillimi tani. Pritet të jetë shumë më i madh”, thotë Abdulahi.

Advertisement

Në Raportin e Bankës Botërore thuhet se Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të ndjeshme ndaj katastrofave natyrore në Ballkanin Perëndimor, duke i veçuar përmbytjet dhe zjarret.

“Vendi ka një histori të gjatë përmbytjesh shkatërruese dhe e ardhmja do të sjellë më shumë ngjarje ekstreme të motit të paparashikueshëm, me intensitet të lartë, (për shembull në formën e shirave të rrëmbyeshëm dhe valëve të të nxehtit)”, thuhet në Raport.

Në këtë drejtim, Abdulahi thotë se duhet të respektohen ligjet në fuqi dhe të zbatohen masat për mbrojtjen e mjedisit:

“Ligjet i kemi shumë të mira, mirëpo ato ligje nuk zbatohen në terren”.

“Në vija të trasha, po theksoj se është shumë me rëndësi të bëhet mbrojtja e biodiversitetit, habitatit dhe e të gjitha specieve të cilat janë në zhdukje, të ndalohet prerja e pakontrolluar e druve që shton rrezikun. Duhet të bëhet mbrojtje e burimeve të ujit, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Të ketë kujdes për rregullimin e aktiviteteve të industrisë dhe atyre bujqësore, për të minimizuar ndikimin e tyre negativ në natyrë”.

Advertisement

“Dhe, më e rëndësishmja, nevojitet ngritja e vetëdijes dhe edukimi i shoqërisë dhe i të gjitha institucioneve dhe ndotësve kolektiv apo industrive, që të jenë sa më të vetëdijshëm për dëmin që e shkaktojnë”, thotë ambientalistja Elmedina Abdulahi.

Raporti, gjithashtu, paralajmëron se ndryshimet klimatike përkeqësojnë qasjen në ujë të pastër dhe rrisin rrezikun për sëmundje të transmetuara përmes ujit. Kurse, dëmet ekonomike janë më të ndjeshme në “sektorin e bujqësisë, ku fermerët familjarë janë më të prekurit për shkak të mungesës së sigurimeve bujqësore, sistemeve të ujitjes dhe mbrojtjes nga breshëri”.

Në skenarin më pesimist, sipas Raportit, vendi mund të përballet me humbje deri në 4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2050, nëse nuk investon në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, për të kuptuar se cilat janë masat konkrete që kjo ministri planifikon të ndërmarrë për të përballuar rreziqet klimatike në vend, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, komunat më të rrezikuara nga zjarret dhe përmbytjet janë: komuna e Koçanit, Kavadarit, Kratovës, Negotinës dhe Velesit. Sipas rajoneve, ekspozim më i lartë ndaj ngjarjeve ekstreme të motit është regjistruar në rajonin e Vardarit, pastaj në rajonin lindor dhe atë verilindor.

Advertisement

Nga viti 2019, në Maqedoninë e Veriut janë djegur më shumë se 600 mijë metër kub dru. Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vjetët e fundit llogariten në 55 milionë euro.

Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror tregojnë se gjatë stinës së dimrit, qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10.

Në sektorin e energjisë, Maqedonia e Veriut mund të arrijë qëllimet e saj për uljen e emetimeve deri në vitin 2030, duke mbyllur termocentralet me qymyr dhe duke zgjeruar ndjeshëm kapacitetet e energjisë diellore dhe të erës, konstaton Raporti i Bankës Botërore.

Në katër vjetët e fundit, sipas të dhënave të prezantuara nga Gjykata Supreme, në vend janë shqiptuar 242 vendime të formës së prerë, me të cilat janë dënuar 280 persona. Dënimet kanë të bëjnë me gjoba, burgim ose sanksione alternative. Shumica e veprave penale janë kryer me qëllim, kurse disa nga pakujdesia.

Ndryshimet klimatike në Maqedoninë e Veriut i komentoi edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen. Gjatë një vizite në Shkup të enjten, ajo tha se Bashkimi Evropian (BE) ka aktivizuar dy herë “mekanizmat e mbrojtjes civile”, si dhe ka mobilizuar gjashtë avionë dhe tre helikopterë, të ofruara nga shtetet anëtare, për të ndihmuar vendin gjatë zjarreve të verës.

Advertisement

Shefja e KE-së, gjithashtu potencoi se Plani i Përbashkët i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka mobilizuar 1.7 miliard euro investime, të cilat përqendrohen në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

“Siç e dini, ne në Bashkimin Evropian jemi zotuar të bëhemi neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Prandaj është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë rrugëtim”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski./Radio Evropa e Lirë/

Lajme nga vendi

Deri më 30 nëntor të këtij viti, nga tatimet dhe kontributet janë mbledhur 3,97 miliardë euro

Published

on

Deri më 30 nëntor të këtij viti, në buxhetin e shtetit nga tatimet dhe kontributet janë mbledhur 3,97 miliardë euro, që është për 268 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.

Siç informoi ajo, ka rritje të të ardhurave nga tatimet prej 6,5% dhe rritje të kontributeve prej 8,7% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shtoi se trendi i rritjes, krahasuar me vitin e kaluar, vazhdon edhe në dhjetor, por ende janë në zhvillim e sipër arkëtimet dhe pagesat nga llogaritë e tatimeve.
Continue Reading

Lajme nga vendi

Gashi: Në janar do të miratojmë kalendar pune, duhet të ndërpritet qasja se Kuvendi është makineri votimi për ligje

Published

on

Në Kuvend duhet të mbizotërojë respekti i ndërsjellë midis deputetëve, madje edhe i partive të ndryshme politike. Nëse vetë ne nuk respektohemi, nuk mundemi të presim se qytetarët do të na respektojnë, Nga këtu fillon gjithçka, thotë në intervistë për MIA-n kryetari i Kuvendit Afrim Gashi.

Dallimet ekzistojnë dhe duhet të mbeten, theksoi ai, nuk duhet të jemi të barrikaduar në to, por përmes dialogut dhe në bazë të argumentimit të vijmë deri në zgjidhje të përbashkëta të cilët janë në funksion dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve.

Në mesazhin që ua dërgon deputetëve dhe qytearëve në prag të Vitit të Ri, Gashi potencon se pret që të rritet kultura politike dhe respekti i ndërsjellë.

“Kemi shumë energji negative, po krijojmë shoqëri të kontaminuar. Edhe Kuvendi duhet në njëfarë mënyre të udhëheqësi i këtij bashkimi të sistemit të vlerave. Duhet të bëjmë edhe tranzicion vlerash në soqëri. Të fillojmë të flasim për gjëra të bukura, për respektin, për dashurinë, për gjërat pozitive në shtet, për ndihmë, solidaritet, për empatinë, për etikën, për moralin, vlerat tona familjare etj”, tha Gashi.

Duke folur për punën e Kuvendit gjatë vitit të kaluar, ai theksoi se në bazë të hulumtimit të mendimit publik, për herë të parë pas dhjetë vitesh, kemi perceptim pozitiv të qytetarëve për Kuvendin. Por, gjithashtu, vërejti ai, duhet të zvogëlohet numri i ligjeve me procedurë të shkurtuar që propozohen me procedurë të shkurtuar dhe se kjo vauhdimisht potencohet. Sipas tij, një nga zgjidhjet për ulje të numrit të ligjeve me procedurë të shkurtuar kalendari për punë i Parlamentit që duhet të miratohet në janar. Kështuqë Qeveria, propozuesit e ligjeve, por edhe ministritë dhe administrata do të mund t’i planifikojnë kur t’i dorëzojnë ligjet deri te Kuvendi.

Advertisement

Ligjet, shtoi ai, duhet të miratohen në procedurë të rregullt, sepse kështu do të ketë mundësi edhe për promovim më të madh dhe inkuadrim të ekspertëve.

Në pyetjen se nëse pret që ta përfundojë mandatin si ryetar i Kuvendit, duke i pasur parasysh pozicionimet në kampuset politike, pas zgjedhjeve lokale dhe paralajmërimeve për ndryshime të reja deri në pranverë, Gashi tha se kjo është më pak e rëndësishme për të.

Lidhur me Koalicionin VLEN, Gashi është i bindur se shumë shpejtë do të shndërrohet në një subjekt të vetëm politik.

“Unë jam shumë i lumtur që Koalicioni VLEN po funksionon mirë. Ideja për shndërrimin në një subjekt politik është shumë e gjallë dhe shumë aktive. Ajo mund të ndodhë shumë shpejtë. Këtë e di nga informatat, normalisht nga miqtë e mi. Edhe unë mendoj se kjo është rruga e drejtë dhe më e mirë drejtë të cilit duhet të lëvizë koalicioni ynë. Qytetarët janë të lodhur nga atomizimet, nga ndarjet, nga partitë politike. Dëshirojnë të shohin bashkim, dëshirojnë të shohin se politikanët dhe liderët mund ta tejkalojnë veten e tyre. Se beteja nuk është se kush të jetë kryetari, por beteja është se në cilën rrugë lëvizim, cilat vlera i promovojmë, për çka angazhohemi dhe për çka luftojmë. Nëse kështu i shohim gjërat, unë jam i bindur se shumë shpejtë do të vijmë deri në një subjekt politik”, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

SHA MEPSO RINIS PROJEKTIN STRATEGJIK:  ËSHTË ZGJEDHUR KONTRAKTORI  PËR NDËRTIMIN E INTERKONEKSIONIT 400 kV MANASTIR – ELBASAN

Published

on

SHA MEPSO informon opinionin e gjërë për përfundimin me sukses të procedurës për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm për projektin me interes të lartë strategjik, ndërtimin e interkonjeksionit 400 kV Manastir – Elbasan (Komponenti 1: Linja e transmetimit  nga TS Manastir 2 përmes TS Ohër deri në kufirin maqedono-shqiptar). Me këtë hap, kompania zyrtarisht rifillon projektin që do të krijojë lidhjen kyçe energjetike midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.

Pas zbatimit të procedurës ndërkombëtare përmes sistemit të e-prokurimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e hapur më 25.04.2025, dhe pas një vlerësimi të detajuar të ofertave të pranuara, si ofertues më i favorshëm u zgjodh konsorciumi ndërkombëtar i udhëhequr nga DALEKOVOD d.d. nga Kroacia.

Vlera totale e ofertës së pranuar është 19,696,200.85 euro. E gjithë procedura u zhvillua në përputhje me politikat strikte të prokurimit të BERZH-it, gjë që është një garanci për transparencë dhe objektivitet. Kjo zgjedhje vjen pas vendimit strategjikisht të domosdoshëm të menaxhmentit për të ndërprerë kontratën e mëparshme që kompromentoi dhe vonoi projektin. Kjo procedurë u zhvillua në mënyrë strikte sipas standardeve ndërkombëtare FIDIC. Për të mbrojtur interesin shtetëror dhe efikasitetin financiar, SHA MEPSO siguroi vazhdimësinë e investimit: 51.2% e pajisjeve të nevojshme tashmë janë dorëzuar nga kontraktori i mëparshëm, ato janë në pronësi të MEPSO-s dhe do të përdoret nga kontraktori i sapozgjedhur, duke parandaluar kështu dëmet financiare për kompaninë.

Me nënshkrimin e kontratës, do të fillojë realizimi i punimeve me afat përfundimi prej 900 ditësh (30 muaj). Realizimi i këtij projekti mbyll degën e vetme të hapur në sistemin tonë të transmetimit, duke mundësuar përfundimin e Korridorit Energjitik Rajonal 8  dhe një përmirësim të rëndësishem të kushteve të tensionit në pjesën jugperëndimore të vendit. SHA MEPSO mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit transparent, të përgjegjshëm dhe efikas të projekteve kapitale me interes jetik për stabilitetin energjetik të shtetit.

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun

Advertisement

SHA MEPSO

 

Continue Reading

Më të lexuarat