Lajme nga vendi
Mbrëmje artistike mes pikturave e vargjeve poetike
Shkruan: Sadije Aliti
Kolorit pikturash, kolorit vargjesh e kolorit tingujsh të kitarës e çiftelisë ishin një shoqërim I bukur mes artistëve në atë mbrëmje në konakun, atelienë, e profesorit Miftar Memeti në Tetovë. Një mbrëmje artistike me muhabete artistike, evokim kujtimesh ndër vite një aktivitet I përbashkët i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë shënoi edhe përvjetorin e piktorit tetovar, shtatë dekada jetë. Aty ndriçimi i hënës mbrëmjeve dhe shkëlqimi I rrezes së diellit mëngjeseve trazonte shqetësimet e artistit që rrugëtoi me pikturat e tij në shumë qendra kulturore në Evropë e më gjerë. Arti i pikturës flet me gjuhën e brushës e arti i poezisë flet me gjuhën e vargut. “Piktura është një poezi që shihet por nuk dëgjohet, poezia është një pikture që dëgjohet por nuk shihet” do të thoshte DaVinçi.
Poezia ndodh, e ne nuk e dimë kur do herë se pse ndodh, por ajo ndodh. Është një përjetim e përvoja të mëson të kuptosh nëse është një përjetim poetik, apo përjetim i rëndomtë. Por, në momentin kur autori beson se është një përjetim poetik, atëherë e shkruan. Pra është përjetim ose përjetim dhe mendim bashkë, edhe ky rrugëtim pothuajse ndodh edhe me artin, piktorin. Përjetim, mendim, sintezë për shumë gjëra, që shkruhet me gjuhën e poezisë, me gjuhën e veçantë të poezisë apo me brushën e piktorit. Por jo vetëm sigurisht, është edhe mosha edhe përjetimet që lidhen me jetën, me të shkuarën apo edhe me aktualitetin. Është gjendje shpirtërore.
Poezia dhe arti janë vatra të frymëzimit dhe lartësimit në misterin e jetës. Përmes tyre hetohet thellësia dhe përmallimi ndaj misterit. Përballë pikturës së 100 portreteve të nderit të kombit Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, apo 100 figurave më markante të historisë e kombit shqiptar ndër shekuj, jehuan vargjet poetike për shumëçka të rralla. Piktura unikale për këto projekte kombëtare, prurje me ide të reja artistike të kohës. Frymëzimi i poetit përflaket nga pamja që shquan piktura. Përmes virtytit të veprës së artit, arrihet të paraqitet në trajtën e dukshme e të magjishme paneli i piktorit, kitara apo pianoja, bardhësia e dritës e shtrirë kudo në atelie. Derisa fuqia e vargut qëndron në mendimin e subjektit lirik dhe është trajtësimi, qoftë edhe i nëpër jetimi krejtësisht të rastit, poezia jetohet, është dimensioni i çastit, ai që e shkruan dhe ai që e lexon poezinë, nuk janë një dhe poezia nuk është e njëjta për të gjithë. Shumë shpesh madje, ajo ka formë të pa formë ashtu siç na duken edhe pikturat modern të kohës, përjetojmë atë dhe, po mundëm, t’i japim pak zë edhe poezisë që mund të flejë brenda nesh, por edhe pikturës që e shohim.
Një mikpritje bujare nga zonjat e shtëpisë Lulja, Enesa dhe Suzana me një koktej rasti dhe biseda të ngrohta rreth artit dhe jetës së profesorit, një familje artistësh.
Fjalë rasti mbajti kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum në Tetovë, Daim Iljazi duke evokuar edhe kujtime nga rinia e hershme me profesorin. Në shenjë faleminderimi për kontributin e dhënë në fushën artit për Tetovën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi u nderua me një mirënjohje.
Poezi lexuan Daim Iljazi, Behare Neziri, Sadije Aliti, Adem Abdullahu, Jashar Kasami, Jusufzija Ademi, Zylbear Zylbeari, Surja Etemi, Rami Kamberi, Izmit Imeri. Me tinguj të çifteslisë këtë mbrëmje e shoqëroi Syrja Etemi ndërsa me kitarë disa këngë kënduan piktori Miftar Memeti dhe Drenusha Palloshi.
Piktura ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së profesorit urojmë që ky rrugëtim të vazhdojë edhe më tej ndër gjeneratat e reja të familjes së tij. Piktura lejon të shprehen ndjenjat e brendshme, të shprehen artistikisht dhe gjithë ajo bukuri të përkthehet në një pikturë, në një vepër arti. transmeton /Tv Koha/
![]()
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Takim koordinues me drejtorët e DAP-it dhe Doganës – Ndjekim me kujdes lëvizjen e realizimit të Buxhetit
Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska sot pati takim pune me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova dhe drejtorin e Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski, ku u shqyrtua realizimi rrjedhës i Buxhetit, me fokus të veçantë në arkëtimin e të ardhurave dhe lëvizjet në kategoritë individuale të tatimeve.
Gjatë takimit u konstatua se realizimi i Buxhetit lëviz në kuadër të dinamikës së planifikuar dhe se në këtë moment nuk ka devijime të theksuara as në anën e të ardhurave as në anën shpenzimeve.
Ministria e Financave, në koordinim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, vazhdon të ndjekë me kujdes lëvizjen dhe realizimin e të ardhurave buxhetore.
“Buxheti po realizohet në përputhje me dinamikën e planifikuar. Së bashku me DAP-in dhe Drejtorinë Doganore, i kemi ndjekur në detaje të ardhurat dhe të gjitha lëvizjet që mund të kenë ndikim në realizimin e tyre. Në këtë moment nuk ka devijime domethënëse nga ajo që ishte planifikuar, por mbetemi të kujdesshëm dhe do të reagojmë në kohë nëse situata do të na imponojnë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Të dhënat për realizimin e Buxhetit deri në muajin gusht tregojnë se të ardhurat e përgjithshme arrijnë në 230.6 miliardë denarë, përkatësisht 60.77% e të ardhurave të planifikuara, ku bazuar në këto të dhëna shënohet rritje prej 8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të ardhurat tatimore në tetë muajt e parë të vitit janë realizuar në vlerë prej 131.5 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 8.2% në bazë vjetore. Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore tatimore – të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të larta për 19.9%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale për 10.9%, të ardhurat ga TVSH-ja për 10.6%, ndërsa të ardhurat nga detyrimet e importit shënojnë rritje prej 9.7%.
Te akcizat është evidentuar devijim i caktuar, i cili lidhet edhe me masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e ndikimit të krizës së shkaktuar nga derivatet e naftës. Ecuria e të ardhurave në këtë kategori do të vazhdojë të ndjekjet me vëmendje.
Në anën e shpenzimeve, në periudhën janar–gusht janë realizuar 268.9 miliardë denarë, përkatësisht 63.15% e shpenzimeve të planifikuara.
Në takim u theksua rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Drejtorisë së Doganave, si institucione me rol kyç në realizimin e të ardhurave buxhetore. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojë ndjekja e rregullt e realizimit të Buxhetit dhe i zhvillimeve ekonomike mbi bazën e të cilave do të merren vendime për përshtatje eventuale të shpenzimeve buxhetore.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, servisimit në kohë të detyrimeve dhe sigurimit të qëndrueshmërisë së Buxhetit, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së qytetarëve dhe sektorit të ekonomisë.
Lajme nga vendi
Mexhiti: Çdo rrugë ka rëndësi, çdo lagje meriton investime
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ishte në terren për të parë nga afër punimet infrastrukturore që po zhvillohen në disa pjesë të komunës. Në rrugën “Emin Duraku” po vazhdon rikonstruimi, ndërsa punime po realizohen edhe në rrugët “Dervish Hima” dhe “Parashqevi Qiriazi”.
Në këto rrugë po bëhet asfaltimi, rregullimi i trotuareve me kubëza dhe hyrjeve të banesave. Paralelisht, në të njëjtat lagje është investuar edhe në hapësirat për fëmijë, përmes rregullimit dhe vendosjes së këndeve të reja të lojërave.
“Çdo rrugë e Çairit ka rëndësinë e vet dhe çdo lagje meriton kushte më të mira. Prandaj po investojmë gjithandej. Një lagje e mirë nuk ka vetëm rrugë të rregulluara, por edhe trotuare, hapësira për fëmijë dhe kushte më të mira për jetën e përditshme. Çairi sot është një kantier ndërtimi dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, sepse po punohet dhe po investohet për komunën tonë, për lagjet tona dhe për të ardhmen,” deklaroi Mexhiti.
Punimet do të vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Çairit, me investime që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në çdo lagje.
Lajme nga vendi
Hoxha: Agjenda e Gjelbër duhet të kalojë nga zotimet në rezultate konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, merr pjesë në Takimin e Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), i cili mbahet më 18 dhe 19 shtator në Zhabljak, Mali i Zi, në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026.
Në fjalimin e tij në sesionin kryesor „Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor – nga zotimet drejt zbatimit“, ministri Hoxha konfirmoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Agjendës së Gjelbër dhe integrimit evropian, duke theksuar se në fazën e ardhshme fokusi duhet të jetë te zbatimi, investimet dhe bashkëpunimi rajonal.
„Agjenda e Gjelbër duhet gjithnjë e më shumë të bëhet një platformë për zbatim rajonal dhe jo vetëm për dialog rajonal. Ndotja nuk ndalet në kufij, ndërsa rreziqet klimatike janë të përbashkëta“, theksoi Hoxha, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta, shkëmbim të njohurive dhe të dhënave, harmonizim të standardeve dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale aty ku kjo është e arsyeshme.
„Suksesi nuk do të matet me numrin e dokumenteve të miratuara. Ai do të matet përmes ndryshimeve konkrete që sjellin përfitime për qytetarët në të gjithë rajonin“, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme, ministri u ndal te përshpejtimi i investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, forcimi i qeverisjes klimatike dhe përgatitja për kornizën evropiane për klimën, tranzicioni i drejtë për rajonet e varura nga qymyri, përshpejtimi i reformave në menaxhimin e mbetjeve dhe ekonominë qarkore, si dhe forcimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.
Takimi i Tretë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një forum për të shqyrtuar përparimin e arritur deri më tani dhe për të përcaktuar drejtimet politike për fazën e ardhshme të zbatimit të Agjendës së Gjelbër. Në kuadër të takimit në Mal të Zi është paraparë miratimi i Deklaratës Ministrore për Agjendën e Gjelbër për vitin 2026, si dhe mbështetja politike për hapa kyç në nivel rajonal.
-
Lajme nga vendi2 months agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori

