Lajme nga vendi
DËMTOHEN PAJISJET URBANE NË TETOVË, REAGON KOMUNA
Pamjet e fundit tregojnë një situatë të papranueshme për qytetin tonë. Ulëset që janë vendosur për qytetarët, me synim për të përmirësuar komoditetin dhe infrastrukturën publike, janë dëmtuar dhe hedhur në lum. Ky akt i papërgjegjshëm jo vetëm që ka shkatërruar pasuritë publike, por ka ndotur edhe shtratin e lumit, për të cilin ekipi ynë punoi me përkushtim për ta pastruar ditë më parë.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në mbrojtje të hapësirave publike dhe të kujdesen për ambientin tonë të përbashkët. Ju ftojmë gjithashtu që, në rast se vini re persona të papërgjegjshëm që dëmtojnë pronën publike, të raportoni menjëherë pranë autoriteteve përkatëse. Vetëm bashkërisht mund të parandalojmë situata të tilla dhe të ruajmë qytetin tonë të pastër dhe të bukur.
Lajme nga vendi
MICKOSKI NUK E JEP FATMIR LIMANIN – BESA MBAN KUVENDIN QENDROR!
Kryeministri Mickoski ka rikujtuar partnerin qeveritar të VLEN-it, Bilall Kasamin, se si Kryeministër është kompetent për zgjidhjet kadrovike në Qeveri.
Kjo deklaratë e Mickoskit vjen pasi Kasami deklaroi se në përgatitje e sipër është ndërrimi I mundshëm I Ministrit për Punë dhe Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, Fatmir Limani, për shkak të pakënaqësisë nga puna e tij në ekzekutiv.
Përplasja Kasami – Limani kulminoi pas zgjedhjeve lokale ku Ministri ishte kandidat për Kryebashkiak të Kërçovës, por i humbi zgjedhjet.
“Unë jam i kënaqur me punën e Fatmir Limanit dhe mendoj se është një vlerë e shtuar në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj. Unë jam mandatuesi I Qeverisë dhe unë e përpiloj qeverinë, nëse dikush këtë e ka harruar, ja ia rikujtoj”
Gjatë një aktiviteti në Komunën e Tetovës, Bilall Kasami, nuk ka komentuar këto zhvillime duke pohuar se në mbrëmje mblidhen organet partiake për të marrë vendime.
““Atë çka pata mbrëmë ta them në emision, e thash. Sot jemi për promovimin e këtij shërbimi. Në mbrëmje do të kemi vendim të Kryesisë ku ne do të flasim për veprimet tona, apo për atë që e thash, llogaridhënien e funksionarëve tanë në qeveri”
Lëvizja Besa përmes një komunikate ka njoftuar se sonte me fillim në ora 19.00 mban mbledhjen e Kuvendit Qendror të partisë. Mbledhja do të mbahet në selinë partiake në Tetovë.
Lajme nga vendi
Jep dorëheqje kreu i KRRE-së, Marko Bislimovski
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjitikë, Marko Bislimovski, sot ka dhënë dorëheqje, raporton Deutsche Welle. Bislimoski këtë mëngjes me një letër e ka informuar kryetarin e Kuvendit se tërhiqet nga funksioni në të cilin ishte zgjedhur për herë të parë në qershor 2018.
Në dorëheqje, Bislimoski nuk jep arsyet për tërheqjen. As ai, as bashkëpunëtorët e tij nuk duan ta komentojnë vendimin. Mandati i dytë pesëvjeçar i Bislimoskut do të përfundonte në qershor të vitit 2028.
Lajme nga vendi
Zjarri dhe tymi që ngulfati Shkupin, akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve toksike në Vizbegovë
Tre pronarë dhe menaxherë kompanish do të përgjigjen për ndotje serioze në Vizbegovë të Shkupit, pasi prokuroria ngriti akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme që çoi në një zjarr të madh dhe ndotje masive të ajrit.
Sipas aktakuzës, nga fundi i shkurtit deri në fillim të korrikut të vitit të kaluar, të pandehurit ruajtën dhe menaxhuan mbetje të rrezikshme në një parcelë toke në Vizbegovë pa leje. Këto janë materiale me veti shpërthyese, të ndezshme dhe toksike, si dhe substanca që mund të jenë kancerogjene dhe të dëmshme për mjedisin.
Më 9 korrik 2025, në vend shpërtheu një zjarr, i cili, për shkak të shkallës dhe rrezikut të tij, nuk mund të vihej menjëherë nën kontroll. Një pjesë e mbetjeve u dogj, duke lëshuar tym të zi të trashë në ajër. Matjet nga shërbimet kompetente konfirmuan ndotje të konsiderueshme.
Prokuroria deklaron se veprime të tilla krijuan një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Përgjegjësia i takon menaxherit dhe pronarit të kompanisë, i cili, së bashku me një person tjetër, mori pjesë aktive në operacionin e paligjshëm. Janë ngritur akuza edhe kundër një pronari tjetër të kompanisë dhe të truallit, i cili, sipas prokurorisë, duhet të kishte qenë në dijeni të rreziqeve që paraqiste ruajtja e mbetjeve të tilla.
Të pandehurit akuzohen për krimin e rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me mbetje.

