Lajme nga vendi
Nënshkrim i marrëveshjeve për ndihmë shtetërore për dy projekte të ndara investuese
Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski dhe dhe pronari dhe menaxheri të Breinçajld, Ralf Hening Grosel, do të nënshkruajnë dy marrëveshje të pavarura për ndihmë shtetërore për dy projekte të ndara investuese, që do të realizohen paralelisht nga të dy subjektet juridike
Breinçajld është një kompani e krijuar si një investim i përbashkët nga një grup investitorësh nga Gjermania dhe Holanda, që krijojnë një prodhues global të pajisjeve sportive me cilësi të lartë për sportet ujore dhe ato me erë. Produktet përfshijnë krahë, vela dhe pajisje shtesë për fluturim dhe surf në ujë.
Breinçajld është një kompani inovative që kombinon njohuritë teknike dhe përvojën praktike në të gjithë procesin e prodhimit, duke i kushtuar njëkohësisht vëmendje të madhe praktikave të qëndrueshme të prodhimit dhe ekonomisë rrethore në të gjithë ciklin e prodhimit.
Brendi Breinçajld ka themeluar dy kompani në Maqedoni dhe atë: Breinçajld Produksion në vitin 2020 dhe Breinçajld Prodhim në vitin 2022.
Breinçajld Produksion është një kompani që merret me aktivitete kërkimore dhe zhvillimore të produkteve të reja duke përdorur lëndë të para unike për të krijuar një material specifik të nevojshëm për prodhimin e pajisjeve për sportet e erës dhe ujit. Investimi ndodhet në Manastir, në një objekt ekzistues prej 1.500 m2.
“Breinçajld Produksion paraqiti një letër qëllimi dhe plan afarist për realizimin e projektit të investimit për kërkim industrial në fillim të vitit 2024. Plani i investimit përfshin investime në përshtatjen e një laboratori për kërkime dhe zhvillim dhe blerjen e pajisjeve dhe makinerive moderne. Sipas planit afarist dhe marrëveshjes për ndihmë shtetërore, është paraparë që kompania të investojë një shumë totale prej të paktën 2,500,000 euro gjatë një periudhe prej 5 vitesh dhe parashihet të krijojë rreth 40 vende të reja pune me kualifikime të larta”, informuan nga Qeveria.
Nga ana tjetër, Breinçajld Prodhim është kompania që merret me prodhimin serik të pajisjeve dhe elementeve.
“Plani i pronarëve është ndërtimi i një objekti tërësisht të ri prej 3000 m2 në zonën industriale Zhabeni afër Manastirit dhe të punësojnë rreth 200 persona. Sipas planit të investimit, ndërtimi pritet të fillojë në vitin 2025 dhe cikli i investimeve prej rreth 8.500,000 euro të përfundojë brenda pesë viteve të ardhshme. Pavarësisht ndërtimit të objektit të ri të vetin, synimi i kompanisë është të ruajë dhe përmirësojë laboratorin ekzistues për zhvillimin e produkteve të reja dhe proceseve të prodhimit, si dhe për testimin dhe krijimin e materialeve të qëndrueshme”, njofton Qeveria.
Si pjesë e aktiviteteve për lidhjen me komunitetin lokal, Breinçajld ka hapur një shkollë të specializuar për qepjen e materialeve të avancuara që shërben si një qendër trajnimi për aktivitetet e planifikuara të kompanisë. Përveç kësaj, brendi Brainchild është i përkushtuar ndaj një procesi të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj mjedisit përmes prodhimit me materiale të ricikluara si lëndë të para dhe proceseve që eliminojnë disa praktika standarde të prodhimit të dëmshme për mjedisin.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve është paraparë konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit dhe pronarit dhe menaxherit të Breinçajld.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

