Lajme nga vendi
Maqedoni, prodhuesit kërkojnë çmime më të larta
Javën e ardhshme pritet të fillojë grumbullimi i duhanit. Fermerët presin çmime më të larta të shitblerjes seç ishin vitin e kaluar prej një çmimi mesatare prej 365 denarë. Kultivuesit e duhanit në fakt së bashku me 100 denarë të subvencionit për klasin e parë në fund fituan 465 denarë për kilogram duhan të dorëzuar. Përskaj kësaj, fituan edhe 6000 denarë për hektar, si dhe naftë të gjelbërt. Kultivuesit e duhanit sivjet kërkojnë çmim prej 600 denarë të grumbullimit, mirëpo nëse ato do të marrin rritjen e kërkuar, do të dihet në periudhën në vijim. Pra, me fillimin e blerjes, tani shtrohet pyetja nëse do të ketë rritje të çmimeve të blerjes dhe nëse do të ketë anekse të kontratave që përmbajnë çmimet e përcaktuara vitin e kaluar.
Disa nga përfaqësuesit e kultivuesve të duhanit besojnë se këto çmime të blerjes janë të ulëta dhe nuk mbulojnë kostot dhe shtrenjtimin e jetesës. Ata duan të ulen në një tryezë të përbashkët para blerjes dhe të merren vesh për çmimin real të blerjes, i cili sipas tyre, duhet të jetë 10 euro për një kilogram duhan. Nga Ministria e Bujqësisë ndërkohë thonë se çmimet diktohen nga kontratat që janë nënshkruar paraprakisht. Blerësit këtë vit kanë lidhur 16.800 kontrata për blerjen e 26 milionë kilogramëve, por sipas vlerësimeve të prodhuesve, do të ketë vetëm rreth 17 milionë kilogramë duhan. Pra, 10 blerës do të blejnë në 298 pika në të gjithë Maqedoninë.
“Në pjesën e çmimeve që janë sipas klasave, e dini se janë të përcaktuara me lidhjen e kontratave, klasa e parë është 375 denarë, e dyta 300, e treta 240, kurse shtesë 115 denarë. Ajo që mund të premtojë si ministër është se së bashku me Inspektoratin Bujqësor, si institucion kompetent në fushën e kontrollit dhe ndjekjes së blerjes së duhanit, do të jemi sa më të fokusuar, sepse fermerët realisht duhet të vlerësohen për punën e tyre dhe të paguhen”, tha Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë. Subvencionet edhe këtë vit mbeten 80 denarë për klasën e parë, 70 për klasën e dytë dhe 60 për klasën e tretë të duhanit, ndërsa kultivuesit e duhanit do të marrin 6000 denarë për hektar sipërfaqe të mbjellë nën duhan.
Ndryshe, në prill të këtij viti, në llogaritë e rreth 14.300 prodhuesve të duhanit u paguan subvencionet për korrjen e vitit 2023 në vlerë të përgjithshme prej afro 1.5 miliardë denarë, si për masat, pagesat direkte bazë ashtu edhe shtesë, apo subvencione në terma popullorë, për duhanin e shitur aromatik. Të korrat e vitit të kaluar peshonin 14.763 tonë. E gjithë sasia u shpengua menjëherë deri në fletën e fundit, nuk kishte teprica, dhe nuk kishte duhan të pa grumbulluar. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

