Lajme nga vendi
Ministria e Mjedisit Jetësor: Këshilltarja Irena Vitina të informohet më mirë, para se të tregojë të pavërteta në publik
Ministria e Mjedisit Јetësor dhe Planifikimit Hapësinor reagon ashpër ndaj deklaratës së këshilltares së Qytetit të Shkupit, Irena Vitina, lidhur me sigurimin e 6 autobusëve ekologjikë dhe e vlerëson si tendencioze, ofenduese dhe që synon uljen e besueshmërisë së institucionit dhe ministrit Izet Mexhiti.
Ministria e Mjedisit Јetësor dhe Planifikimit Hapësinor njofton opinionin publik dhe veçanërisht këshilltaren e përmendur e cila nuk është mjaftueshëm e informuar se prokurimi i këtyre autobusëve është vetëm një aktivitet nga aksioni i programit të BE-së për standarde mjedisore dhe ajër të pastër dhe është pjesë e programit të plotë për Mjedisin Jetësor dhe Veprimin Klimatik në kuadër të IPA 3 ndihmës nga BE.
Aktivitetet e këtij Programi janë programuar me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në koordinim me të gjitha palët e përfshira, përfshirë këtu edhe Qytetin e Shkupit, të miratuar nga Qeveria e RMV dhe të pranuar nga Komisioni Financiar i BE-së.
Programi për ajër të pastër përmban disa komponentë, për të cilët kemi informuar disa herë, se zbatohet nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të Programit dhe është përfituese e tij, ndërsa Qyteti i Shkupit është vetëm përfituesi përfundimtar i këtij aktiviteti.
Theksojmë se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor programon të gjitha aktivitetet që financohen nga instrumenti i BE-së IPA, monitoron zbatimin dhe raporton në Komisionin e BE-së për qëllimet e arritura nga zbatimi i projekteve IPA.
Do të ishte mirë që këshilltarja e Qytetit të Shkupit, Irena Vitina, të informohet para se të dalë në publik me të pavërteta të tilla. Për më tepër, për informim të saj, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç granteve nga BE-ja, jep edhe kontribut kombëtar për të gjithë Programin.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

