Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska në Forumin global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska është pjesëmarrëse në Takimin plenar të Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore, që mbahet nga dita e sotme deri më 29 nëntor në Paraguaj dhe i dedikohet zbatimit global të standardeve ndërkombëtare për transparencën tatimore dhe progresin e vendeve, si dhe sfidave me të cilat përballen vendet gjatë zbatimit të standardeve. Ministrja është pjesëmarrëse e këtij forumi, e shoqëruar nga sekretarja shtetëore e MF-së, Andriana Matlioska.
Në panelin e diskutimit, ministrja Dimitrieska-Koçoska do t’i trajtojë prioritetet, përvojën dhe sfidat në zbatimin e Standardit të Shkëmbimit Automatik të Informacioneve (AEOI), i cili është mjet kryesor për juridiksionet, përkatësisht shtetet, në luftën kundër evazionit fiskal dhe mbrojtjen e integritetit të sistemeve të tyre tatimore.
Në këtë takim, Sekretariati i Forumit global do ta paraqes përkrahjen e dhënë ndaj anëtarëve në procesin e zbatimit të standardeve. Forumi global përbëhet prej mbi 170 juridiksione, ku përfshihen vendet e grupit G-20, qendrat financiare dhe shumica e anëtarëve janë vende në zhvillim. Të gjithë anëtarët punojnë së bashku, në nivelin e njëjtë, në luftën kundër evazionit tatimor ofshor.
Detyra më e rëndësishme e Forumit global është zhvillimi i kapaciteteve për përkrahjen dhe mundësimin e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të standardeve të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve nga të gjithë anëtarët, veçanërisht vendet në zhvillim.
Përkatësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut është në proces të zbatimit të standardeve për shkëmbimin automatik të informacioneve. Standardi AEOI i referohet shkëmbimit vjetor të informacioneve për llogaritë financiare të jorezidentëve në një format të paracaktuar, ndërsa këta informacione të shkëmbyera përfshijnë detajet e llogarisë financiare (për shembull, institucioni financiar që e posedon atë, numri i llogarisë dhe gjendja e llogarisë) dhe të dhënat e poseduesit të llogarisë (p.sh.: emri, adresa, data e lindjes dhe numri i identifikimit të obliguesit tatimor).
Zbatimi i Standardit AEOI kërkon që juridiksionet të mbledhin informacione nga institucionet e tyre financiare çdo vit dhe në mënyrë automatike t’i shkëmbejnë ato me juridiksionet ku poseduesi i llogarisë është tatimpagues rezident. Për shkëmbim të suksesshëm të informacioneve është e nevojshme infrastruktura juridiko-ligjore dhe administrative.
Propozimligji i Bashkëpunimit Administrativ është në fayë hartimi, me të cilin, mes të tjerash, do të përcaktohen dispozitat për shkëmbimin automatik të informacioneve për llogaritë financiare dhe për shkëmbimet automatike të informacioneve për raportet sipas vendeve.
Me këtë ligj, do të vendoset korniza juridike konkrete që do të kontribuojë në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave tatimore dhe rrjedhimisht në luftën kundër evazionit tatimor ndërkufitar dhe evazionit tatimor, rritjen e arkëtimit tatimor, si dhe përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD, që nga muaji janar i vitit 2011.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

