Lajme nga vendi
Mickoski: Nuk duhet të lejojmë që kryetarët e komunave të bëhen sundimtarë lokal, as statistë në proceset
Nuk duhet të lejojmë që kryetarët e komunave të bëhen sundimtarë lokal, as statistë në procese, por faktorë zhvillimi dhe zgjidhjeje të problemeve. Kështu ka thënë sot kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski në konferencën vjetore të Vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e titulluar “Drejt vetëqeverisjes së qëndrueshme lokale: sfida, mundësi dhe strategji për të ardhmen”.
“Ne tregojmë me shembull se punojmë për të gjitha komunat. Përmes Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale menaxhohet një proces i cili si Qeveri e realizojmë për 250 milionë euro investime kapitale, ku mjete kanë marrë të gjitha komunat që kanë plotësuar kushtet, duke treguar se për ne prioritet është zhvillimi lokal”, nënvizoi ai.
Kryeministri theksoi se vetëqeverisja lokale është zemra e zhvillimit lokal. Ajo është këtu, tha, për të njohur dhe plotësuar nevojat e secilit qytetar, për të përmirësuar jetën në komunat tona dhe për të ofruar shërbime të cilat janë të shpejta, efikase dhe të arritshme për të gjithë.
Vizioni, është, nënvizoi ai, të ndërtohet një vetëqeverisje lokale që do të jetë partner i vërtetë i secilit qytetar. Të krijohen kushte ku komunat nuk do të jenë thjesht administratorë, por protagonistë aktivë të rritjes ekonomike, të inovacionit dhe kohezionit social.
“Gjërat që i trashëguam në aspektin e vetëqeverisjes lokale dhe atë që qeveritë e mëparshme kanë ndërmarrë në këtë drejtim, mund të them se nuk janë të mira. Për një kohë të gjatë, komunat kanë qenë objekt i një tregtie politike dhe mbështetja e pushtetit qendror është varur ekskluzivisht nga fakti nëse udhëheqësit e njësive të vetëqeverisjes lokale bashkëpunojnë me ato të pushtetit qendror. Prandaj, do të kujtoj se si ish lider i opozitës, kam njohuri me atë që kanë kaluar krerët e komunave në këtë drejtim”, theksoi ai.
Dhe në këtë drejtim, theksoi, çmimin më të madh e kanë paguar qytetarët.
Duhet të them se kjo mbetet në të kaluarën dhe nëse duam zhvillim, ai do të jetë i plotë me të gjithë aspektet dhe faktorët e përfshirë në të. Po bëjmë përpjekje të konsiderueshme për të forcuar rolin e autoriteteve lokale. Përmes decentralizimit financiar, investimeve në infrastrukturë dhe digjitalizimit të shërbimeve, treguam për një periudhë të shkurtër se zhvillimi i vetëqeverisjes lokale është prioriteti ynë”, nënvizoi Mickoski.
Por, shtoi kryeministri, ka mbetur ende shumë punë.
“Para nesh është sfida për të siguruar transparencë të plotë, llogaridhënie dhe qasje të barabartë në të gjitha burimet. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe partneritet mes pushtetit qendror dhe atij lokal mund të ndërtojmë komuna që do të jenë shembull për një model të mirë qeverisjeje”, tha ai.
Mickoski përkujtoi se Ministria e Vetëqeverisjes lokale ka filluar procedurën konsultative për ligjin e ri për vetëqeverisje lokale, me çka, siç tha, “do të tejkalohen të gjitha mangësitë dhe do të inkorporohen përvojat nga praktika”.
“Vetëqeverisja lokale nuk është vetëm një nivel pushteti. Ajo është simbol i përpjekjes sonë të përbashkët për një jetë më të mirë. Ajo është instrumenti përmes të cilit qytetarët realizojnë fuqinë dhe vizionin e tyre për një të nesërme më të mirë. Ejani të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve politike, etnike apo gjeografike, të kontribuojmë për të ndërtuar komuna të forta dhe të suksesshme që do të jenë krenaria e shtetit tonë”, potencoi kryeministri.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski tha se krijimi i një vetëqeverisje lokale më funksionale, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe ndërtimi i partneritetit dhe besimit me qytetarët janë prioritetet kryesore të kësaj Qeverie. Prandaj, theksoi, ka përkushtim maksimal për të mbështetur zhvillimin e vetëqeverisjes lokale.
Perinski shtoi se sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunat janë identifikuar që në fillim. Ai mbajti fjalim edhe për financimin e 274 projekteve kapitale të infrastrukturës, ndërsa për mbështetjen direkte tha se do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Për, siç shtoi, zhvillim infrastrukturor dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Perinski gjithashtu foli edhe për procesin e iniciuar për promovimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale me qëllim që të rikthehet mundësia e shkarkimit të një kryetari të komunës. Të sigurohet, siç tha ai, një mekanizëm për forcimin e rendit dhe mbikëqyrjes komunale, si dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje që është kuptimi i vetëqeverisjes lokale.
Në periudhën në vijim, ministri tha se theksi është vënë në Qendrën e resurseve për mbështetjen e komunave dhe për digjitalizimin e tyre.
Lajme nga vendi
Pendarovski: Pa ndryshime thelbësore, LSDM rrezikon zhdukjen
Ish-presidenti Stevo Pendarovski i dërgoi një paralajmërim të fortë udhëheqjes së LSDM-së, duke theksuar se partia ndodhet në një kryqëzim kritik dhe pa ndryshime të thella mund të përballet me rënie të mëtejshme dhe margjinalizim politik.
Pendarovski vuri në dukje një paradoks: edhe pse VMRO-DPMNE ka humbur pjesë të mbështetjes së saj tradicionale, LSDM nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë dhe të tërheqë votuesit opozitarë.
“Kur nuk e bëtë këtë, receta është e qartë, ose ndryshoni strategjinë politike dhe qasjen ndaj qytetarëve, ose sillni njerëz të rinj që dinë të arrijnë shtresat e ndryshme të elektoratit”, theksoi ai.
Ish-presidenti shtoi se problemi nuk është vetëm në komunikim, por edhe në thelbin e veprimit politik, strategjinë, vendosjen e kuadrove dhe mënyrën se si partia i drejtohet publikut.
Ai paralajmëroi se me trendin aktual të uljes së mbështetjes, LSDM rrezikon një rezultat edhe më të keq në zgjedhjet e ardhshme.
“Ekziston një rrezik real që partia të zhduket ose të futet në margjinën statistikore të gabimit”, përfundoi Pendarovski.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: MASA TË VONUARA – QYTETARËT TASHMË PAGUAJNË ÇMIMIN!
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar Qeverinë dhe Kryeministrin Mickoski për implementimin e ngadaltë të masave ekonomike që do ta lehtësonin situatën financiare të qytetarëve. Sipas tij, qytetarët tashmë po ndjejnë spiralen e çmimeve të shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve bazë ushqimore.
“Çmimi i naftës tek ne është rritur për 34,5%, pra nga 71 në 95,5 denarë. Nga transporti dhe bizneset e kompanive, deri te ajo që qytetarët e ndjejnë më së shumti: shtrenjtimi i produkteve bazë ushqimore.
Para krizës, buka e bardhë prej 500 gramësh kushtonte 34 denarë, ndërsa tani në disa markete shkon në 47,5 denarë. Vaji nga 77,5 në 110 denarë. Vezët nga 220 në 290 denarë. Mielli nga 40 në 52,5 denarë, ndërsa qumështi me 3,2% yndyrë nga 67,5 në 82,5 denarë. Rritje drastike ka edhe te perimet dhe frutat: domatet nga 130 në 235 denarë, ndërsa mollët vendase nga 45 në 70 denarë.
Kjo është dëshmi se qytetarët janë lënë të përballen vetë me situatën. Se as kryeministri dhe as kushdo tjetër në qeveri nuk kanë vullnet – e jam i bindur se nuk kanë as kapacitet – për t’i ndihmuar qytetarët, për të hartuar dhe zbatuar masa që do t’i zbusnin këto goditje të çmimeve.
Ka pasur një rritje të pagës minimale prej 1.667 denarësh. Me këtë nuk arrihet asgjë. Shporta e konsumit ka arritur pothuajse në 68.000 denarë. Duke pasur parasysh se më parë është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike, si dhe i ngrohjes qendrore, kjo rritje nuk sjell ndonjë përmirësim real – qytetarët nuk e ndjejnë atë në jetën e përditshme” – tha në një press-konferencë, lideri socialdemokrat Venko Filipçe.
Lajme nga vendi
KRYQËZIME PA SEMAFORË, RREZIK PËR VOZITËSIT DHE KËMBËSORËT
Mungesa e semaforëve në kryqëzimet e bulevardit Vidoe Smilevski Bato po shkaktojnë aksidentë të shumëta në udhëkryqet që me rrugën tek kontrolli i vjetër teknik dhe tek rruga e kazermës së qytetit. Përveç mungesës së semaforëve, problem në vete del të jetë edhe mungesa e shenjave të komunikacionit të cilat janë dëmtuar nga aksidentet dhe më nuk janë zavendësuar. Qytetarët që banojnë dhe punojnë në këtë rajon thanë se janë dëshmitar të aksidenteve të shpeshta. Ata thonë se deri në vendosjen e semaforëve, aksidentet në këto dy pika nuk do të pakësohen pasi që edhe shpejtësia e lëvizjes së automjeteve në këtë rrugë është lartë.
Vozitësit ndërka thonë se vendosja e semaforëve në këto dy udhëkryqe do të thotë rritje e sigurisë edhe për ngasësit e veturave por edhe për këmbësorët.
Nga Komuna e Tetovës thonë se janë të vetëdijshëm se pas depërtimit të bulevardit VS BATO deri në fshatin Poroj, dukshëm është rritur lëvizja e veturave në këtë pjesë. Nënkryetari Albi Qamili premton se për një periudhë të shpejtë kohore do të vendosen semaforët dhe me këtë ai pret që të zgjidhet ky problem.
Aksidente të shumëta kanë ndodhur në këto dy udhëkryqe që nga lëshimi në përdorim i bulevardit VS Bato, sidoms pas asfaltimit deri rrugën rajonale që lidh Tetovën me Jazhincën.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni1 week agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota1 week ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

