Lajme nga vendi
Shkup, hetim dhe paraburgim për një person i cili akuzohet për tentim-vrasje
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi për veprën penale Vrasje sipas Kodit Penal. Ndaj një personi tjetër ka iniciuar procedurë për shkak të dyshimeve për veprën e – Ndihmës në kryerjen e veprës penale, transmeton Portalb.mk.
Më 10 dhjetor, në fshatin Mirkovc, tashmë i dyshuari 37-vjeçar me paramendim ka tentuar t’i marrë jetën një personi, ndërsa motivi i tij ka qenë armiqësia e mëparshme e ndërsjellë për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura të borxheve. Ai ka shkuar në shtëpinë e viktimës, ku ka nxjerrë një armë zjarri – pistoletë – para derës dhe ka gjuajtur një plumb në drejtim të viktimës, por nuk ka arritur ta godasë.
Plumbi ka përfunduar në murin ngjitur me kornizën e derës së përparme, në lartësinë e gjoksit të viktimës, i cili menjëherë pasi ka vërejtur armën është tërhequr brenda shtëpisë dhe ka mbyllur derën e përparme, e cila mbyllet automatikisht. I dyshuari ka filluar t’i bjerë dhe shkelmojë në derën e mbyllur të hyrjes, dhe pasi nuk ka arritur të hyjë në shtëpi, është larguar nga vendi i ngjarjes me personin që dyshohet se e ka ndihmuar të shmangë zbulimin pas kryerjes së krimit.
Prokurori publik, duke vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore, ka propozuar që autorit të dyshuar të vrasjes në tentativë t’i caktohet masa e paraburgimit. Me vendim, Gjykata Themelore Penale Shkup caktoi masën e kërkuar të paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

