Lajme nga vendi
Shpallen urdhër-arreste ndërkombëtare për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur urdhër-arreste ndërkombëtare për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubin dhe drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët ngarkohen për përvetësim të rreth tetë milionë eurove nga Lotaria Shtetërore.
Ndërmarrja publike dje njoftoi se do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur urdhër-arrest për këta dy persona, të cilëve Gjykata Themelore Penale u ka caktuar masë arresti prej 30 ditëve.
Dy personat janë të pakapshëm për organet e përndjekjes.
Grubi ka shkruar në Fejsbuk të dielën se është për një vizitë private në Kosovë dhe se ishte njoftuar sigurimi i tij personal policor.
“Kam udhëtuar sot për një vizitë private. Ju lutem, mos shpikni dhe spekuloni. Unë kam udhëtuar rregullisht me dokumentet e mia të udhëtimit dhe për këtë është njoftuar sigurimi im personal i policisë”, shkroi Grubi në postim.
Kryeministri Hristijan Mickoski të hënën në një paraqitje në “Click Plus” të TV21 ka treguar se Grubi ka udhëtuar për në Kosovë me një automjet diplomatik me një biznesmen.
“Informacioni im i fundit është se ish drejtori i Lotarisë shtetërore një kohë të gjatë nuk ndodhet në territorin e vendit. Ndërsa ish nënkryetari i Qeverisë, së bashku me një tjetër person biznesmen, ka braktisur Maqedoninë me një makinë me targa diplomatike dhe destinacioni i fundit i njohur është fqinji ynë verior, Kosova”, tha kryeministri Mickoski.
Sipas burimeve të televizionit “Telma”, Grubi është larguar nga vendi me një automjet të Arsim Papranikut, biznesmen i suksesshëm në rajon dhe pronar i Neptunit.
Në lidhje me hetimin për përvetësim në Lotarinë Shtetërore, siç informoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në një konferencë për shtyp, dyshohen disa persona, mes tyre ish-kryeministri dhe zëvendëskryeministri i parë, ish-sekretar i përgjithshëm dhe nëpunës civilë.
“Është vepruar pas kallëzimit penal i cili me datë 13.12.2024 nga ana e Departamentit për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Departamenti për Hetimet Penale dhe Njësia e Korrupsionit kundër tetë personave fizik, njëri prej të cilëve njëri është ish kryeministër, tjetri ish zëvendës kryeministër, një është ish drejtor i një personi juridik dhe njëri ish sekretar i përgjithshëm, të tjerët janë nëpunës shtetërorë, të cilët punojnë në kuadër të një prej personave juridikë. Në këtë fazë ekziston dyshimi se kanë kryer shumë vepra penale, të cilat në fund kanë sjellë dëme më të mëdha në buxhetin e qytetarëve të Maqedonisë”, tha Toshkovski.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

