Lajme nga vendi
Rritje e sulmeve fishing në RMV, autoritetet: Mos ndani të dhëna personale dhe mos hapni linqe të dyshimta
Në lidhje me rritjen e numrit të mashtrimeve që janë vërejtur këtë vit, të cilat përfshijnë sulme phishing dhe raste të përfaqësimit të rremë në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, si dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe subjekteve juridike, Sektori i Krimeve Kibernetike në MPB informon qytetarët se qëllimi kryesor i mashtrimeve phishing është mbledhja e të dhënave personale ose detyrimi i tyre për të vizituar një faqe interneti të rreme përmes së cilës, duke lënë të dhënat e tyre personale, mund të shkaktohet keqpërdorim i mëtejshëm i të njëjtave. MPB bën thirrje të mos ndahen të dhëna personale dhe të mos hapen linqe të dyshimta.
“Ky lloj sulmi phishing vjen në formën e mesazheve SMS që informojnë qytetarët se kanë një dërgesë të supozuar në emrin e tyre, për të cilën kërkohet të paguajnë një shumë shumë të vogël për dorëzim. Mesazhi SMS përmban gjithashtu një link URL, e cila të çon në një faqe interneti të krijuar për t’u dukur si uebsajti legjitim i Postës së Maqedonisë së Veriut, si dhe i institucioneve të tjera shtetërore dhe subjekteve juridike. Nëpërmjet një formulari për futjen e të dhënave, qytetarët fusin të dhënat e kartës së pagesës. Zakonisht, pagesa e shumës fillestare bëhet menjëherë dhe pas njëfarë kohe bëhet një transaksion më i madh. Këto emaile janë një përpjekje klasike për mashtrim për të mbledhur të dhëna personale për keqpërdorim të mëtejshëm. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes, të mos i hapin këto mesazhe dhe në asnjë rast të mos kontaktojnë dërguesin përmes linkut të dhënë apo të ndajnë të dhënat personale nëse kërkohet”, thonë nga MPB.
Kohët e fundit,thonë nga MPB, ky lloj mashtrimi ka marrë një formë tjetër ku qytetarët manipulohen për të investuar në platforma të rreme të investimeve dhe tregtimit të kriptomonedhave.
“Mashtrimi zakonisht fillon me gjetjen dhe regjistrimin e viktimës në një platformë investimi dhe tregtimi të supozuar të kriptomonedhave, për t’u kontaktuar më vonë (më shpesh me telefon) nga numrat e telefonit të huaj nga autorë të panjohur. Autorët paraqiten si këshilltarë investimi dhe financiarë dhe do të nisin një komunikim intensiv dhe të gjatë me viktimat, duke i shtyrë ata të investojnë gjithnjë e më shumë burime financiare. Gjatë komunikimit, autorët e panjohur përmendin vazhdimisht se viktima mund të tërheqë në çdo moment fondet e depozituara, si dhe fitimet e realizuara. Por kur vjen koha që ajo të realizohet, autorët shpikin pengesa të ndryshme dhe pagesa shtesë për realizimin e të njëjtës”, shtojnë nga MPB.
Për të mbrojtur qytetarët nga ky lloj mashtrimi, Sektori i Krimeve Kibernetike rekomandon të mos hapen linqe të dyshimta dhe skedarë të bashkangjitur në mesazhet e-mail nga dërgues të panjohur, të mos iu përgjigjen numrave të panjohur të telefonit dhe të mos lihen të dhëna personale, të dhëna nga kartelat pagesore në faqet e internetit dhe platformat e panjohura. Gjithashtu, nëse qytetarët gjejnë platforma të caktuara apo shërbime investimi të çfarëdo lloji, atyre u kërkohet të kontrollojnë online për legjitimitetin dhe origjinalitetin e tyre, pra nëse plotësojnë disa kritere për rregullimin ndërkombëtar për brokerët.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

