Lajme nga vendi
Kovaçevski rrezikon burg prej 1 deri në 5 vjet, ndërsa Grubi të paktën 5 vjet
Prokuroria Publike ende nuk ka marrë një vendim për ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski, të cilët janë denoncuar nga MPB për krim në Lotarinë Shtetërore. Nëse Prokuroria e Posaçme hap hetim, të dyve u kanoset dënim me burg.
Dënimi i mundshëm për ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nëse Prokuroria Publike hap hetim pas denoncimit të MPB-së, varion nga 1 deri në 5 vjet burg. Po të mos ishin ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit 2023, të propozuara nga qeveria e mëparshme nën udhëheqjen e Kovaçevskit, dënimi për të do të ishte të paktën 3 vjet burg.
Për veprën e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, për të cilin Prokuroria Publike tashmë ka nisur hetim pas denoncimit të MPB-së, dënimi i mundshëm është të paktën 5 vjet burg.
Ministria e Punëve të Brendshme dje publikoi kallëzimin penal kundër 8 personave të përfshirë në krimin me Llotarinë Shtetërore.
Nga tetë të raportuarit, Prokuroria Publike tashmë është duke zhvilluar një hetim ndaj gjashtë personave. Dy prej tyre janë në arrati, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Pëparim Bajrami dhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Ndaj tyre MPB-ja ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar, ndërsa Gjykata Penale me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Nga ana tjetër, katër nëpunës civilë janë tashmë në paraburgim.
“Kundër D.K. “(50) nga Shkupi është paraqitur kallëzim penal për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar paraparë dhe i dënueshëm nga neni 353 paragrafi 4”, njoftoi dje MPB.
Për të njëjtën vepër është paraqitur edhe ish-sekretari i përgjithshëm Dimovski.
“I pandehuri i tretë, D.K., si kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin e parë P.B., më 08.03.2022, e ka vënë në rendin e ditës dhe ka miratuar procedurë për themelimin e tregtisë. Kompania Video Lotaria e Re Shtetërore – NEW VLT DOO Shkup, edhe pse e dinte se materialet nuk shqyrtohen në seancë sipas Rregullores së punës së Qeverisë (neni 68, paragrafi 1). Me këtë i mundësoi kompanisë të fitojë të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë dhe personave përgjegjës u siguroi dobi pasurore të kundërligjshme prej 8.598.000 denarë (140.000 euro)”, thuhet në raportin e MPB-së kundër ish kryeministër.
Kallëzimi penal ndaj Grubit është për veprën penale të keqpërdorimit të procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, nga neni 275c paragrafi 3 i Ligjit Penal. Për këtë vepër parashikohet të paktën 5 vjet burgim dhe nuk ka kufi të sipërm të dënimit me kusht. Edhe tentativa për kryerjen e kësaj vepre penale është e dënueshme dhe gjykata do t’i shqiptojë autorit ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.lajmpress
Lajme nga vendi
S’dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga Ipard 3! Tripunovski: Monitorojmë çmimet e plehrave artificiale
Nuk dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga programi IPARD 3. Komisioni Evropian nuk ka dhënë afate konkrete për shqyrtimin e raportit që qeveria e Maqedonisë e dorëzoi lidhur me skandalin e korrupsionit me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, që çoi në pezullimin e pagesave.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në emisionin Biznis 21 tha se në takimin në Bruksel kërkuan që raporti të shqyrtohet sa më shpejt, por nuk morën përgjigje konkrete, vetëm një sinjalizim që do të merret në shqyrtim.
“Diskutuam për raportin e dorëzuar, që të shqyrtohet sa më shpejt dhe ai në mënyrë praktike të shqyrtohet në tërësi nga ana e tyre, nga administrata dhe në përputhje me atë shqyrtim dhe vërejtjet eventuale nëse ka, të veprohet me vazhdimin e mëtejmë të punës së Agjencisë së Pagesave. Nuk kemi përgjigje konkrete, megjithatë kemi një sinjalizim se do të vendoset në procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i atij raporti. Bëhet fjalë për raporte voluminoze. Kur saktësisht do të ndodhë nuk mund të them, sepse administrata në Bruksel nuk punon me data konkrete”, theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski për arrestimin e dy drejtorëve nga resori i tij tha se kjo është dëshmi se nuk ka persona të mbrojtur nga pozita e funksionarëve. Tha se nuk do të mbrojë askënd, por edhe se nuk ndjen përgjegjësi.
Ministri pretendon se me vëmendje po ndiqet gjendja me luftën në Iran, e cila përveç çmimeve të naftës i ka rritur edhe çmimet botërore të plehrave për 40 për qind, gjë që mund ta shtrenjtojë edhe ushqimin. Tha se në shtator të vitit të kaluar janë ndarë mbi 46.000 kartela për naftë të gjelbër, të cilat bujqit nuk i përdorin gjatë dimrit dhe tani mund t’ua lehtësojnë shpenzimet.
Dua të them se kjo naftë që e kanë marrë në kartelat e tyre, ose kanë bërë ndoshta rezerva gjatë dimrit ose e përdorin tani, është një lloj ndihme në lehtësimin e këtyre shpenzimeve. Ja ju thashë në pjesën e naftës çfarë kemi bërë, mendoj se kemi derivatet më të lira në rajon. Mirëpo ushqimi është i rrezikuar, këto plehra artificiale u nevojiten bujqve, a do të kemi këtu ndonjë masë shtesë reagimi? Me vëmendje po e ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë nëse ka nevojë”, deklaroi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Edhe pse një pjesë e bujqve reaguan se u detyrohen rreth 100 milionë euro për subvencione, ndër to edhe për vitin 2024, Tripunovski siguron se subvencionet paguhen rregullisht.
Lajme nga vendi
Mjeku nga një fshat i Tetovës arrestohet për vrasjen e 76-vjeçarit në Ohër
Një mjek nga fshati Bërvenicë i Tetovës është arrestuar dje, pasi dyshohet se ka kryer vrasjen e një 76-vjeçari në Ohër, mësohet jozyrtarisht, përcjell INA.
Sipas informacioneve, dje rreth orës 17:20 në fshatin Bërvenicë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë, në bazë të një fletarresti qendror të lëshuar nga SPB Ohër, kanë privuar nga liria personin me inicialet Zh.G. (53), i cili dyshohet për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Më herët, në orën 08:24, në SPB Ohër ishte raportuar se në shtëpinë familjare në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, ishte gjetur pa shenja jete 76-vjeçari me inicialet K.M.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori publik dhe ekipet policore, ndërsa mjeku i ndihmës së shpejtë ka konstatuar vdekjen. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.(INA)
Lajme nga vendi
Polici i rremë mashtroi shkupjanin për 3.500 euro
Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 të këtij muaji, në ora 15:30, në SPB Shkup, 45-vjeçari nga Shkupi ka denoncuar se është mashtruar nga një person.
Sipas denoncimit, personi i është paraqitur, është prezantuar si i punësuar në polici dhe i ka ofruar që t’i kthejë paratë – 40 mijë euro që i ka investuar në firmë të huaj në të cilën ka qenë i punësuar dhe që ka ndaluar me punë.
Nga policia shtojnë se pasi që nuk është kryer shërbimi, denoncuesi ka dyshuar se personi është mashtrues dhe ka denoncuar.
Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se po ndërmerren masat për zbardhjen e plotë të rastit.
-
Lajme nga vendi2 months agoRrjeti i madh i dyqaneve për produkte të shtëpisë Comodita Home po rritet akoma më tepër, tash me dyqanin më të madh në Re Mall, Tetovë
-
Lajme nga rajoni2 days agoZbardhet dëshmia e autorit të vrasjes së Liridonës, Plava: Kisha marrëveshje me Murselin, më tha se Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni
-
Lajme nga bota2 days ago“Do jem makthi i Iranit”, Trump ‘kërcënon’ sërish: Nëse nuk ulen në negociata, bombardimet do të shtohen

