Lajme nga vendi
Tripunovski: Ndryshimet në pjesën e subvencioneve duhet të bëhen duke përgatitur bujqit, qëllimi është rritja e prodhimit dhe fitimeve të bujqve
“Ne, gjatë gjashtë muajve të fundit, kemi trajtuar situata të trashëguara, veçanërisht në lidhje me subvencionet. Me ardhjen tonë, gjetëm mbi 4 miliardë denarë detyrime të papaguara nga vitet e kaluara, të cilat po i shlyejmë. Përmes ribalancimit të Buxhetit, riorientimit të programit dhe fondit ndërhyrës, po paguajmë ato që kanë mbetur pa u paguar,” theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në podcastin “Ku janë paratë?”.
“Nëse flasim për një situatë të qëndrueshme, me hyrjen tonë në Ministri, duhej të kishte pothuajse zero borxhe të papaguara ndaj bujqve,” shtoi ai.
Ministri theksoi se në lidhje me subvencionet dhe prodhimin bujqësor, shpesh bujqit do të thonë se këto subvencione që marrin tani mund të orientohen drejt investimeve. Nëse çdo bujk ka një blerje të garantuar me një çmim të arsyeshëm, kjo do të thotë se në çmimin e prodhimit do të ketë të paktën një fitim prej 30%, që garanton qëndrueshmërinë e prodhimit. Ndërkohë, këto subvencione mund të përdoren nga shteti për investime, modernizim, etj.
“Pse them që shteti duhet të sigurojë dhe të ndihmojë? Për shembull, marrim një kulturë bujqësore që aktualisht është shumë e rëndësishme, siç është blerja e orizit nga kjo sezonë. Nëse shteti u siguron bujqve nga rajoni i Koçanit një sasi të mjaftueshme uji në kohë, kjo do të thotë mbjellje në kohë dhe, në afat të gjatë, korrje në një periudhë kur kushtet atmosferike e lejojnë. Përndryshe, mbjelljet e vonuara çojnë në korrje të vonuar, ngrica, rendimente të ulëta dhe cilësi të dobët. Nëse shteti do të kishte bërë më shumë, duke trashëguar rezultatet e qeverisë së mëparshme, ai duhej të kishte siguruar produkte mbrojtëse cilësore me çmime të arsyeshme dhe efektive, të cilat do të reduktonin kostot e prodhimit. Gjithashtu, nëse do të kishte siguruar materiale cilësore farash dhe ndihmuar bujqit të kishin fara më të mira, sot do të kishim rendimente më të larta,” shpjegoi ministri Tripunovski.
Ai theksoi se sot mund të kishim një prodhim bujqësor që do të jepte mbi 800 kilogramë për 1.000 m², ndërsa aktualisht, për shkak të punëve të papërfunduara, rendimenti është vetëm 500 kilogramë.
“Prandaj, këto para që japim si subvencione do t’i orientojmë drejt mekanizimit, etj. Këtë e bëra me masën e parë dhe njoftimin për modernizim, ku ndamë rreth 50 kombajna në rajonin e Koçanit për të pasur korrje moderne, për të shmangur humbjet, për të reduktuar kostot dhe amortizimin, me qëllim që fitimi të jetë më i madh për bujqit,” përfundoi ai.
“Ndryshimet në këtë sistem aktual të subvencioneve duhet të bëhen duke përgatitur bujqit. Shteti duhet gradualisht t’u tregojë atyre se ku janë përshtatjet dhe reformat e nevojshme në këto subvencione, në mënyrë që në fund të arrihet qëllimi i tyre. Subvencionet duhet të kenë efekt, të rrisin prodhimin, të rrisin fitimet e bujqve dhe të zgjerojnë sipërfaqet e punueshme,” theksoi ministri Tripunovski.
Lajme nga vendi
Kallëzim penal kundër 35-vjeçarit nga Tetova, nën dyshimin për kryerje “dhunë” dhe “denoncim i rremë i veprës penale”.
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër 35-vjeçarit me iniciale P.I. nga Tetova, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “dhunë” dhe “denoncim i rremë i veprës penale”.
Më 9 janar 2026, i denoncuari kishte raportuar rrejshëm në polici se në një hapësirë parkingu para një ndërtese në Tetovë, ishte sulmuar fizikisht nga një burrë dhe ishte goditur me një send të fortë nga një grua.
Megjithatë, pas ndërmarrjes së masave hetimore nga ana e policisë, u vërtetua se e vërteta ishte krejt ndryshe. U konstatua se ishte vetë P.I. ai që kishte nisur një zënkë me një person tjetër dhe e kishte sulmuar atë fizikisht. Për këtë arsye, ai tashmë do të përballet me drejtësinë jo vetëm për dhunën e ushtruar, por edhe për tentativën për të mashtruar organet e rendit.
Lajme nga vendi
Ministri Sali në takimin ministror të KE-së për zbatimin e CBAM
Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në takimin ministror kushtuar Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij (CBAM), ku theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj objektivave evropiane për dekarbonizim dhe përafrim me legjislacionin klimatik dhe energjetik të BE-së.
Takimi u organizua nga Komisioni Evropian për të informuar vendet e Ballkanit Perëndimor mbi zhvillimet e fundit lidhur me zbatimin e Mekanizmit për Rregullimin e Karbonit në Kufij (CBAM), i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2026 dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e zgjerimit dhe në sektorët energjetikë të rajonit.
Ai theksoi se në janar 2026 Qeveria miratoi projekt-Ligjin për Veprim Klimatik, i cili vendos bazën ligjore për sistemin e monitorimit, raportimit, verifikimit dhe akreditimit të emetimeve, si hap kyç drejt vendosjes së çmimit të karbonit.
Ministri Sali theksoi se vendi po punon aktivisht edhe për integrimin e tregut të energjisë elektrike me sistemin evropian, si pjesë e integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian të energjisë.
Sa i përket CBAM-it, ai theksoi se Maqedonia e Veriut i mbështet objektivat e mekanizmit, por është e nevojshme të merren parasysh veçoritë specifike të vendeve kandidate dhe palëve të Komunitetit të Energjisë, veçanërisht për shkak të ekspozimit ndaj dallimeve të çmimeve dhe sfidave teknike në tregtinë ndërkufitare të energjisë.
Ai bëri thirrje për një zbatim të kujdesshëm dhe gradual, përfshirë zgjatjen e periudhës tranzitore, me qëllim shmangien e efekteve negative në tregjet rajonale dhe mbështetjen e integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.
Ministri Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës së gjelbër evropiane dhe futjes graduale të instrumenteve për çmimin e karbonit, me synimin përfundimtar të një tregu energjetik evropian të integruar, të sigurt dhe të dekarbonizuar.
Lajme nga vendi
Aftësitë e fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike do të mund të validohen përmes Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim
Të gjitha shtatë Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim, krahas funksionimit si institucione arsimore për arsimin e mesëm të detyrueshëm, nga sot do të mund të validojnë edhe njohuritë dhe aftësitë e popullsisë më të rritur, të fituara përmes mësimit joformal dhe përvojës praktike.
Nëntëmbëdhjetë këshilltarë për arsim joformal dhe mësim nga përvoja dhe 20 vlerësues nga Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim në Mansastir, Tetovë, Kumanovë, Veles, Ohër, Strumicë dhe Shtip, e përfunduan me sukses trajnimin që gjatë periudhës së kaluar u realizua nga ana eQendrës për Arsimin e të Rriturve dhe sot, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, morën certifikatat me të cilat do të mund të validojnë njohuritë dhe aftësitë e qytetarëve më të rritur.
“Kjo është edhe një dëshmi për funksionimin e suksesshëm të Qendrave Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim. Në të ardhmen, të gjithë qytetarët që do të dëshirojnë të marrin një dokument formal për njohuritë dhe aftësitë e fituara ndër vite jashtë shkollës do të mund ta bëjnë këtë në njërën nga shtatë qendrat. Certifikata që do të marrin do t’u shërbejë për avancim të mëtejshëm profesional dhe në karrierë”, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska.
Kjo risi është përcaktuar në Ligjin për Arsimin e të Rriturve, ndërsa përveç validimit të arsimit joformal, Qendrat Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim do të zhvillojnë edhe procese rikualifikimi dhe kualifikimi shtesë të punëtorëve.

