Lajme nga vendi
Limani: Gjashtë mijë denarë për secilin fëmijë që lind në Gostivar
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani paralajmëron masa të reja në këtë komunë. Limani tha se një ndër masat është që për secilin fëmijë që lind në Gostivar do të ketë 6 mijë denarë
“Disa masa që do t’i propozoj për herë të parë, një prej tyre do të jetë 6 mijë denarë për çdo fëmijë të lindur në Gostivar në vitin 2025, gjithashtu do të ketë ndihmë për të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në klasat e para. Ndihmë për prindërit e tyre realisht për harxhimet e fillimit të vitit shkollorë, do të ketë subvencione për inverter…”, tha në “Daily Click” Valbon Limani.
Limani poashtu njoftoi se 8 komunat e Pollogut do të ndërtojnë strehimore rajonale për qentë endacak. Limani tha se strehimorja e qenve endacak do të ndërtohet në Komunën e Vrapiçishtit, ku siç tha kanë marrë edhe lejen për ndërtim nga kryetari i Vrapçishtit.
Limani gjithashtu bëri të ditur se ky projekt do të kushtojë gjysmë milionë euro, dhe se barra më e madhe për ndërtim do të jetë e Komunës së Gostivarit dhe Komunës së Tetovës, si dy komunat më të mëdha në Pollog.
Lajme nga vendi
GOSTIVAR: AUV – OPERATORËT E USHQIMIT RESPEKTUAN NDALIMIN E PËRDORIMIT TË UJIT!
Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë realizuar 70 kontrolle të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit, ku është konstatuar se operatorët e ushqimit e respektojnë ndalimin për përdorimin e ujit nga sistemi publik i ujësjellësit.
Njëkohësisht, inspektorët kanë evidentuar edhe parregullsi të tjera, për të cilat janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë totale prej 7.750 eurosh në kundërvlerë me denarë.
Kontrollet përfshinë markete, kafene, piceri, furra buke, ëmbëltore, lokale sanduiçesh, qebaptore, prodhues dhe paketues të frutave e perimeve, si dhe operatorë të tjerë të ushqimit.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se te asnjë nga subjektet e kontrolluara nuk janë konstatuar shkelje të ndalimit për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit. Për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, si dhe për larjen e enëve, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, është përdorur ujë i ambalazhuar ose ujë tjetër i sigurt, ndërsa në objektet hotelierike mysafirët janë shërbyer me gota dhe mjete plastike ose prej letre.
Sipas rezultateve të djeshme të analizave të mostrave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar ende nuk është i përshtatshëm për pije dhe as për përdorim teknik. Qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe, deri në njoftimin e radhës, të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inaugurimit të pishinës së rikonstruktuar në Kavadar, se pret që deri në fund të kësaj jave Gostivari të ketë ujë teknikisht të rregullt, ndërsa në fund të javës së ardhshme ai të jetë i sigurt edhe për pije.
Ndryshe, gjatë ditëve të fundit për krizën shëndetësore në Gostivar kanë raportuar të paktën 30 media nga Franca, Italia, Rusia, Gjermania, Austria, Zvicra, Shqipëria, Malta, Kroacia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Ukraina, Azerbajxhani, Malajzia, Katari dhe vende të tjera, duke e bërë ngjarjen e Gostivarit lajm botëror./Tv Koha/
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe reshje të shiut.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri 18, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 20 deri 27 gradë celsius.
Gjatë fundjavës moti do të jetë i qëndrueshëm.
Lajme nga vendi
FILIPÇE: INSPEKTIME NË TË GJITHA SISTEMET E UJËSJELLËSIT NË VEND
Rasti në Gostivar nuk është i izoluar, por bëhet fjalë për dobësi sistematike dhe joefikasitet institucional, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe.
Në konferencën e sotme për media ai tha se ka informacione se edhe në vende të tjera të vendit ka probleme me cilësinë e ujit, ndërsa institucionet nuk po reagojnë.
Duke iu referuar një raporti të siguruar nga informatorë, Filipçe deklaroi se uji në Spitalin e Specializuar për Sëmundje të Mushkërive dhe Tuberkuloz në Leshkë ka rezultuar i ndotur.
“Askush nuk ka reaguar. Bëhet fjalë për dokumente zyrtare të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë. Mostra e marrë nga çezma e spitalit në Leshok, ku trajtohen pacientët, ka treguar 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë për ujë të pijshëm. A e dinë këta njerëz se çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i institucioneve është ky? A është qëllimi të rrezikohet shëndeti i të gjithë qytetarëve në vend?”
Lideri socialdemokrat bëri thirrje që analizat dhe kontrollet të kryhen menjëherë, ndërsa kërkoi dorëheqje dhe përgjegjësi penale për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe të Prokurorisë, duke i akuzuar se kanë vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

