Lajme nga vendi
Prokuroria e Lartë Publike në Gostivar kthen në rishqyrtim akuzën e Bilall Kasamit ndaj Teuta Arifit
Prokuroria e lartë Publike në Gostivar ka kthyer në rishqyrtim në Prokurorinë e Tetovës akuzën e kreut të Komunës Bilall Kasami ndaj ish kryetares Teuta Arifi për dëmtim të buxhetit të komunës me mbi 1 milion euro. Paraprakisht Prokurorinë e Tetovës kishte vendosur se nuk kishte elemente për formim të lëndës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lënda për të cilën bëhet fjalë, ka të bëj me një shpronësim, që kap vlerën e 50.000 eurove. Për shkak të vonesave dhe kamatës së llogaritur, si dhe për shkak të komuna nuk ka ndjekur në kohë procedurat gjyqësore që janë lidhur me rastin, buxheti i komunës, është dëmtuar për mbi 1 milion euro.
Kasami ka akuzuar gjyqësorin për anësi politike dhe për mosveprim.
“Ky është ndër rastet më tipike të keqpërdorimit të mjeteve buxhetore për një lëndë shpronësimi që realisht është vlerësuar 50.000 euro, ndërsa janë zhvatur nga komuna Tetovës mbi 1 milion euro. Ne kemi ndjekur gjitha procedurat gjyqësore por fatkeqësisht gjyqësia e kapur deri më tani nuk ndërmori masa. Por duket një dritë në fund të tunelit. Këto ditë morëm një përgjigje pozitive nga Prokuroria e lartë në Gostivar e cila urdhëron prokurorinë e Tetovës për ngritje të procedurës për padi penale për grup të organizuar për gjithë ata që janë të përfshirë në këtë lëndë. Ne kemi qenë në fillim në kontakt me avokatin që ka përfaësuar komunën e Tetovës, ai arsyetohet se nuk ka ndërmarrë hapa sepse dikush nga komuna e Tetovës i ka dhënë udhëzime që të mos veproj për këtë lëndë”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Lënda në fjalë ka të bëj me një pronë tek ish shtëpia e zjarrfikësve në bulevardin e Tetovës që pronarit i është marrë në vitet e tetëdhjeta, dhe që atëherë, procedura ka vazhduar në gjykatë deri në vitin 2017, kur edhe merren vendimet që sipas Kasamit janë të dyshimta.
Objekti për të cilin flitet ndodhej në këtë rrugë këtu pas meje, dhe lënda filloi që në vitin 1987 kur komuna i mori këtë objekt dhe u bë shpronësimi i tij, por, duke mos u pajtuar me vlerën e shpronësimit pronari ankimoi lëndën në gjyq, dhe që nga 87 deri në 98 lënda është zhagitur në gjyq kur edhe është bërë rivlerësimi i objektit. Ky rivlerësim bashkë me kamatë vonesat që nga 87, kapi vlerën e 1.1 milion eurove të cilat që nga viti 2022 janë marrë nga komuna e Tetovës.
Sipas akuzës së Kasamit, në keqpërdorim dyshohet të jenë përfshirë edhe disa persona të tjerë nga komuna e Tetovës po ashtu edhe të punësuar në gjykatën themelore të Tetovës.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

