Lajme nga vendi
Nuk dihet kush do ta zëvendësojë Ilire Dautin
Fronti Europian ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kryetar në Komisionin për Politikë Sociale, pas dorëheqjes së Ilire Dautit.Koordinatori i Frontit Europian, Blerim Bexheti siguron se kushdo që vjen në atë pozitë do të vazhdojë ta bllokojë ligjin e Branitellave, siç e bënte Ilire Dauti.Sipas Bexhetit, skenari i djeshëm është për shkak të pafuqisë së Afrim Gashit. Potencon se Gashi është vetëm formalitet në atë pozitë.Për VMRO-DPMNE-në, cështja Dauti është e përfunduar dhe me atë komision duhet të udhëheqë zëvendësi Ilir Demiri.“Nëse flasim për emrin konkret, mendoj se është tregim i përfunduar sepse ajo tashmë ka dhënë dorëheqje sepse interpelanca u votua. Interpelanca nënkupton dorëheqje morale të personit që I nënshtrohet të njëjtës. Në këtë moment, sipas regullores mund të vazhdojë me punë sepse deputeti, doktor Ilir Demiri është nënkryetarë dhe ka të drejtë të udhëheqë me komisionin. Presim veprimin e Frontit Europian dhe emrin se kë do ta propozojnë për kryetar të ri dhe më pastaj mund edhe të diskutojmë.” tha Bojan Stojanovki nga VMRO-DPMNE.Ndërkaq, Fatmir Bytiqi nga LSDM-ja thotë se fajtor për gjithë këtë situatë është shumica parlamentare. Shton se Dauti kryente me zell punën e kryetares, gjersa ishte në atë pozitë.“Nëse ajo do kandidon ose Fronti Europian do e kandidon atë për pozitën e njëjtë në të ardhmen do të shofim. Unë mendoj se ajo me zell e ka bë punën e sajë dhe kapricot e dikujtë që nuk është në gjendje të jetë në funksionin e tij, është cështje tjetër.” tha Bytyqi.Për dorëheqjen e Dautit kanë folur mbrëmë edhe nga Koalicioni VLEN, sipas koalicionit që është pjesë e shumicës parlamentare, Ilire Dauti tregoi dobësitë e sajë me aktin e dorëheqjes. Potencuan se meritat për mos miratimin e ligjit të “Branitellave” shkojnë për Afrim Gashin.Kujtojmë, pozita “kryetar i komisionit për Politikë Sociale” do t’i takojë përsëri Frontit Europian, dhe pritet që brenda këtyre ditëve koalicioni opozitar të caktojë përsëri se cili do të jetë emri I cili do të propozohet për atë pozicion. Për momentin në atë komision zv.kryetar është Ilir Demiri, po nga Fronti Europian, ndërkaq nga Levica kanë potencuar se në rast se propozohet përsëri Ilire Dauti, do të propozojnë përsëri interpelancë, për shkarkimin e saj.
Lajme nga vendi
Ndoti rrugën me goma të pista, gjobitet me 1.300 euro
Komuna e Aerodromit në Shkup ka shqiptuar një gjobë prej 1.300 euro për një kompani ndërtimi dhe personin përgjegjës të saj, për shkak të shkeljes së Ligjit për Pastërtinë Publike.
Gjatë një kontrolli të kryer në një kantier ndërtimi në afërsi të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” në këtë komunë, inspektorët kanë konstatuar se mjetet e ndërtimit po qarkullonin me goma të papastruara, duke ndotur kështu sipërfaqet publike me baltë dhe mbetje të tjera.
Nga Komuna e Aerodromit paralajmërojnë se do të ketë mbikëqyrje të shtuar inspektuese dhe theksuan se çdo shkelje do të sanksionohet ashpër. Fokus i veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe mbajtjes së një mjedisi të pastër dhe të sigurt përreth vendeve ku kryhen punime ndërtimore.(INA)
Lajme nga vendi
DAP për protestat kundër tatimeve: Qëndrimi jashtë vendit 183 ditë nuk është i mjaftueshëm për statusin e jorezidentit
Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) ka sqaruar për Portalb.mk disa nga dilemat e ngritura nga qytetarët të cilët tani e disa javë po protestojnë kundër tatimeve që DAP u kërkon të paguajnë për periudhën sa kanë punuar jashtë vendit. Qytetarët kanë paralajmëruar se do vazhdojnë me protesta.
Drejtoria e të Ardhurave Publike thotë se nuk se po vendosen detyrime të reja tatimore me efekt retroaktiv.
“Bëhet fjalë për zbatimin e dispozitave ekzistuese ligjore nga Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, të cilat kanë qenë në fuqi edhe në periudhën kur qytetarët i kanë realizuar të ardhurat nga jashtë vendit. Detyrimi tatimor për rezidentët e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të deklaruar dhe tatimuar të ardhurat nga jashtë vendit ekziston në vazhdimësi, ndërsa procedurat aktuale paraqesin konstatim dhe arkëtim të detyrimit tashmë ekzistues, e jo interpretim apo praktikë të re”, thanë nga DAP.
Nga aty sqaruan se nëse tatimi është paguar jashtë vendit, obliguesi mund të shfrytëzojë të ashtuquajturin kredit tatimor në Maqedoni, përkatësisht t’i njihet tatimi i paguar jashtë vendit dhe t’i zvogëlohet tatimi i llogaritur në Maqedoni, më së shumti deri në shumën e tatimit që do të rezultonte me zbatimin e normës ligjore prej 10%.
“Rrjedhimisht, nëse tatimi i paguar jashtë vendit është më i ulët se tatimi i llogaritur sipas normës ligjore prej 10%, obliguesi do të ketë detyrim të paguajë diferencën deri në nivelin e normës 10%. Nëse obliguesi nuk mund të dëshmojë, me prova përkatëse relevante (si vërtetim/certifikatë nga organi kompetent tatimor i huaj, apo vërtetim nga punëdhënësi), se tatimi është paguar jashtë vendit, ai do të ketë detyrim ta paguajë tatimin që i takon në Maqedoni”, thanë nga DAP
Nga aty thonë se veprojnë ekskluzivisht në përputhje me ligjet në fuqi dhe nuk ka mundësi ligjore për anulimin në mënyrë të përgjithshme të detyrimeve tatimore të përcaktuara me ligj.
“Pas aktvendimeve paraprake, çdo obligues tatimor mund të paraqesë dëshmi për tatimin e paguar jashtë vendit, me qëllim që të vlerësohet mundësia e shfrytëzimit të kreditit tatimor. Çdo rast shqyrtohet individualisht dhe aktvendimi përfundimtar tatimor për secilin obligues do të merret në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe gjendjes faktike të konstatuar”, thanë nga DAP.
Lidhur me mosnjohjen e statusit të jorezidentit për qytetarët që kanë qëndruar dhe punuar jashtë shtetit më shumë se 183 ditë, siç parashihet me Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat Personale, DAP thotë se ky nuk është kriteri i vetëm.
“Gjatë përcaktimit të rezidencës tatimore, DAP merr parasysh edhe kriteret e tjera ligjore, si vendbanimi i përhershëm, qendra e interesave jetësore dhe ekonomike, si dhe lidhjet familjare dhe pronësore. Për këtë arsye, mungesa fizike nga shteti, në vetvete, nuk është e mjaftueshme për fitimin automatik të statusit të jorezidentit”, thanë nga DAP.
Qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit, kryesisht në Irak dhe Afganistan javëve të fundit kanë protestuar duke kundërshtuar tatimet që DAP u kërkon t’i paguajnë.
Ata thonë se shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe siç thonë sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por ky status nuk na njihet nga DAP. Ata madje thonë se DAP u kërkon dëshmi të cilat ata tani nuk mund t’i sigurojnë nga vendet ku kanë punuar. Qytetarët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta derisa të dëgjohet zëri i tyre.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë.
Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.
Pas kësaj, qytetarët të cilët kanë punuar jashtë kanë mbajtur disa protesta, kryesisht në Tetovë dhe Kumanovë.
Lajme nga vendi
Ndalohet 18-vjeçari pasi drejtoi makinën pa patentë shoferi dhe goditi për vdekje një grua në Shkup
18-vjeçari S.S. është ndaluar pasi drejtoi makinën pa patentë shoferi dhe goditi për vdekje një grua në Kapishtec të Shkupit, më 9 janar.
Sipas avokatit Zvonko Davidoviq, i cili publikoi informacionin, S.S. u kap në Serbinë fqinje, në qytetin e Vranjës.
“Personi do të ekstradohet nga Serbia në Maqedoni. Me shumë mundësi, edhe babai i tij është ndaluar”, tha Davidoviq në podkastin “Petres so Landov”, i cili është avokati mbrojtës i të afërmve që transportuan babanë dhe djalin përtej kufirit.
“Unë besoj se klientët e mi nuk e dinin se po transportonin një autor të një krimi kaq të rëndë. Burri punon në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe është prind i një fëmije me nevoja të veçanta dhe shpesh udhëtonte në Serbi për të blerë suplemente”, shtoi avokati.

