Lajme nga vendi
Çashka vend i gabuar për t’i “vajtuar” shqiptarët sepse nxënësit e këtij vendi u lanë të mësojnë në maqedonisht!
Çashka është vend i dëgjuar shumë herë përshkak të diskriminimit permanent të nxënësve shqiptarë të cilët me vite të tëra janë detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase. Sepse, lidershipi shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ishin të paaftë të sigurojnë një paralele që ata nxënës të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. E për këtë sigurisht barra bie mbi partinë që ka qenë në pushtet BDI, të cilët pasi kaluan në opozitë po “vajtojnë” nga Çashka për gjendjen e shqiptarëve, shkruan Zhurnal.
Çashka po keqpërdoret për pikë politike, me dekada nxënësit shqiptarë mësuan maqedonisht –
Në nenin 5 paragrafi parë në ligjin për arsimin fillor thuhet “Në edukimin dhe arsimin fillor ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë pavarësisht përkatësive të ndryshme etnike, sociale, nacionale, racore..”etj. Që i bie qysh në fillim institucionet arsimore bien në kundërshtim dhe shkelin me dy këmbë ligjin për arsimin fillor, sepse nxënësve të Çashkës u mohet arsimimi në gjuhën amtare, pra janë të diskriminuar në bazë etnike, edhe pse janë shqiptarë ata duhet dhe janë të detyruar të mësojnë në gjuhën maqedonase.
Mes tjerash e drejta për arsim në gjuhën amtare është e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë, por tani kur flasim për nxënësit e Çashkës të cilët ende vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase a po shkelet Kushtetuta? A kemi shkelje të Kushtetutës, apo kur flasim për diskriminim të shqiptarëve edhe nëse nuk respektohet Kushtetuta nuk është punë e madhe! Për disa vite me radhë kjo çështje nuk gjeti akord mes të gjitha palëve sepse pengesa kryesore janë bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve, dhe rezultati përfundimtar nxënësit shqiptarë të Çashkës duhet të mësojnë maqedonisht.
BDI edhe pse kishte ministra nga partia e tyre në Arsim nuk arriti ta zgjidh këtë problematikë shqetësuese, por nuk u bëhet vonë të flasin për shqiptari nga Çashka –
Gjenda e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut lë për të dëshiruar nga niveli fillor deri te ai i lartë. Shkollat fillore e ato të mesme janë të lëna pas dore, e Universitetet po shndërrohet në vende ku prodhohen diploma prej letra. E këtë më së miri e dëshmojnë rezultatet e testeve ndërkombëtare si PISA e të ranglistave botërore të cilësisë në arsimin e lartë.
Për keqardhje apo për ironi gjatë kohës më të gjatë me Ministrinë e Arsimit kanë qeverisur shqiptarët, kryesisht kuadro nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Pra, edhe kur shqiptarët mësojnë në maqedonisht, edhe kur shkolla në Bllacë bëhej histori, edhe kur nxënësit shqiptarë mësojnë në baraka, e me një varg problemesh tjera sërish ministrat e BDI-së vazhdonin në krye të këtij institucioni të qëndronin sikurse gjendja lulëzonte.
Por, me ndryshimet politike BDI kaloi në opozitë, e tani nga opozita po e sheh më mirë gjendjen e katandisur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia e Veriut nuk është shtet vetëm i një bashkësie etnike, por është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre, dhe asnjë qytetar nuk duhet të ndihet si qiraxhi. Kjo është një e drejtë që nuk mund ta mohojmë. Ky shtet është edhe i shqiptarëve, por jo i shqiptarëve që duan të mbeten të nënshtruar, pa gjuhë, pa flamur, si barinj. Kjo periudhë ka kaluar! Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për barazi të plotë, për të drejtat tona dhe për një të ardhme më të mirë për çdo qytetar”, ka thënë Ali Ahmeti nga Çashka.
Pra, nuk i bëhet vonë Ahmetit të flas për dështimet e kuadrove të tij. Pa çka se fajin më të madh e mbartin ata që pranuan të qëndrojë në kolltuqe të Ministrive edhe pse gjendja e shqiptarëve prej ku vet buronin ishte për keqardhje.
Për nxënësit e Çashkës mësimi në gjuhën shqipe u bë çështje historike –
Para fillimit të çdo viti shkollor, banorët shqiptarë të komunës së Çashkës kërkojnë nga shkolla fillore “Todor Janev” që fëmijët e tyre të mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ashtu siç ua garanton kushtetuta, në gjuhën shqipe. Prej kur është premtuar shkolla në fshatin Çashkë po të ishte realizuar tani do të ishte koha të flitej për renovimin e kësaj shkolle, por ja që mbetet ende temë që duhet të flitet për ndërtimin e kësaj shkolle që është jetike për nxënësit e këtij fshati që të vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare, shqipe. Politikanët tanë e kanë kuptuar se më e lehtë se të premtosh është të mos realizosh, sepse në këtë vend askush për asgjë nuk kërkon llogari.
Nxënësit e fshatit Çashkë, nuk kanë kërkuar laboratorë e as tabela digjitale, thjesht vetëm atë për të cilën kanë nevojë një shkollë që të mësojnë në fshatin e tyre e në gjuhën e tyre. E tani kur flitet për ndryshim të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e për atë se sa është e zbatueshme gjuha shqipe në RMV kemi ende raste që nxënësve shqiptarë nuk u garantohet mësimi në gjuhën shqipe. Rasti i tillë, është në fshatin Çashkë që nuk po gjinden dot një zgjidhje e përshtatshme që nxënësit të mos mësojnë në gjuhën maqedonase, sepse elementi kryesor i asimilimit është gjuha. Si zgjidhje e përkohshme është gjetur hapja e një paralele në gjuhën shqipe por as kjo nuk po funksionon pasi prindër të shumtë maqedonas me muaj të tërë protestojnë kundër këtij vendimi.
Ndryshe, numri i nxënësve që presin zgjidhje është 72. Se a do t’ia marrë MASH kompetencat komunës nëse nuk rregullohet kjo çështje, mbetet të shihet në ditët në vijim. Sepse, ka qenë praktikë e MASH të marrë kompetencat në arsim në Komunën e Gostivarit kur bëhej fjalë për shkarkime dhe emërime të drejtorëve të shkollave, tani kur flitet për të siguruar të drejtën elementare për arsimim pritet të veprohet sa më parë, komfor gjitha mekanizmave që i ka kjo Ministri. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

