Lajme nga bota
Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv që ndalon sportistët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e femrave
Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë sportistët transgjinorë që të marrin pjesë në sportet për femra.
Urdhri, i titulluar “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”, u jep agjencive federale liri të gjerë për të siguruar që subjektet që marrin fonde federale t’i përmbahen vendimit.
“Përmes këtij urdhri ekzekutiv, lufta kundër femrave në sport merr fund”, tha Presidenti Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë ku merrnin pjesë ligjvënës dhe sportiste femra që janë shprehur kundër pjesëmarrjes në sportet e tyre të transgjinorëve, përfshirë ish notaren e famshme Riley Gaines.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se urdhri është në përputhje me ligjin federal që ndalon diskriminimin me bazë gjinore në programet që marrin fonde federale.
Ajo tha se urdhri kërkon “veprim të menjëhershëm, përfshirë veprimet për zbatimin e tij, ndaj shkollave dhe organizatave sportive” që nuk respektojnë sportet e femrave dhe dhomat e tyre të zhveshjes.
Nënshkrimi përkon me “Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport” dhe është ndër urdhrat e fundit ekzekutiv të presidentit republikan që vë në objektiv transgjinorët.
Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump gjeti se kjo çështje shtrihej përtej vijave partiake.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nga “AP VoteCast” thanë se mbështetja për të drejtat transgjinore në qeveri dhe shoqëri i ka kaluar caqet.
Zoti Trump u zotua gjatë fushatës zgjedhore që të eliminonte, siç tha ai, “çmendurinë transgjinore”, por pa dhënë detaje.
Urdhri ekzekutiv ofron disa qartësi.
Ai autorizon Departamentin e Arsimit që të penalizojë shkollat që lejojnë pjesëmarrjen e transgjinorëve në sportet e femrave, duke thënë se kjo bie ndesh me ligjin federal për diskriminimin me bazë gjinore në shkolla.
Shkollat që shkelin urdhrin mund të humbasin fondet federale.
Zbatimi i urdhrit do të ketë përparësi për departamentin.
Drejtori në detyrë i Zyrës për të Drejtat Civile u tha punonjësve në një telefonatë javën e kaluar se hetimet e tyre duhet të përputhen me përparësitë e zotit Trump, thanë për Associated Press individë që ishin në telefonatë dhe që folën në kushte anonime.
Pas ardhjes së zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, departamenti hapi një hetim ndaj shkollave publike në qytetin e Denverit për tjetërsimin e banjave për vajzat në banje për të gjitha gjinitë, ndërsa një tjetër vetëm për djemtë.
Presidenti Trump lëshoi gjithashtu një paralajmërim për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar përpara Lojërave Olimpike Verore 2028 në Los Anxhelos.
Ai tha se e kishte autorizuar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio që t’ia bënte të qartë komitetit olimpik se “Amerika e refuzon kategorikisht marrëzinë transgjinore.
Duam që ata të ndryshojnë gjithçka që ka të bëjë me Olimpiket dhe që ka të bëjë me këtë temë qesharake”.
Presidenti Trump tha gjithashtu se Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem do të “mohojë çdo aplikim për vizë të bërë në mënyrë mashtruese nga burrat që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që identifikohen si sportiste femra në përpjekje për të marrë pjesë në lojëra”.
Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur reagime nga organizatorët e lojërave olimpike.
Veprimtarë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e transgjinorëve kanë ngritur padi kundër vendimeve të fundit të presidentit republikan.
Kritikët thonë se urdhrat ekzekutiv shkelin ligjet e miratuara nga Kongresi dhe tejkalojnë autoritetin e presidentit./VOA
Lajme nga bota
Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një shkëmbim të ri të madh të të burgosurve
Rusia dhe Ukraina po përgatiten për një tjetër shkëmbim të madh të të burgosurve, ndërsa zyrtarët e të dyja palëve po punojnë për finalizimin e listave të personave që mund të lirohen, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, transmeton Anadolu.
“Po përgatitemi për një shkëmbim tjetër mjaft të madh; listat po finalizohen”, tha Lantratova për Tass.
Shkëmbimi i fundit i madh i të burgosurve u zhvillua më 19 gusht, kur Rusia dhe Ukraina shkëmbyen nga 103 ushtarakë, pas ndërmjetësimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Shkëmbimet e të burgosurve kanë mbetur një nga fushat e pakta të bashkëpunimit praktik mes Moskës dhe Kievit gjatë konfliktit të armatosur që filloi në vitin 2022.
Lajme nga bota
Tragjëdi në Pakistan: Zjarr në maternitet, humbin jetën 14 foshnje të posalindura
Të paktën 14 të porsalindur kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në repartin e maternitetit të një spitali në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit.
Ekipet e shpëtimit kanë bërë të ditur se zjarri tashmë është vënë nën kontroll dhe të lënduarit janë dërguar në repartin e kujdesit intensiv.
Zjarri ka shpërthyer në katin e tretë të repartit të nënës dhe fëmijës në spitalin PIMS, një nga spitalet kryesore shtetërore të qytetit.
Kryeministri Shehbaz Sharif ka shprehur “pikëllim të thellë” dhe ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm.
Është ngritur një komision për të hartuar një raport brenda 24 orëve.
Lajme nga bota
Trump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Iranit: Kush e ndihmon, do të përballet me pasoja
Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi një „luftë ekonomike“ dhe izolim të Iranit në përmasa të paprecedenta, në kushtet e ngecjes së negociatave me Teheranin. Njëkohësisht, ai paralajmëroi se edhe vendet që do t’i ofrojnë mbështetje ekonomike Iranit do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit mundësi më të madhe se unë për të arritur një marrëveshje”, shkroi Trump në platformën e tij „Truth Social“, duke shtuar se Teherani “nuk e shfrytëzoi atë”.
“Prandaj, sot po shpall OPERACIONIN EKONOMIK MË TË ASHPËR që është ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo shtet”, shkroi presidenti amerikan. Trump shtoi se bëhet fjalë për “luftë ekonomike dhe izolim në përmasa të paprecedenta”.
Ai paralajmëroi se vendet, institucionet financiare, kompanitë, aeroportet apo strukturat shtetërore të të cilave do t’i ofrojnë “çfarëdo lloj ndihme shpëtimi Iranit”, do të përballen edhe vetë me “pasoja të mëdha ekonomike”.
Njoftimi paraqet një forcim të mëtejshëm të presionit amerikan ndaj Teheranit, në kushtet e ngecjes së vazhdueshme të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje.
Mediat iraniane sot nuk shfaqin shqetësim të madh lidhur me kërcënimet e Trumpit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikës amerikane të presionit ndaj Teheranit, raportoi DPA.
Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” në “Telegram” vlerësoi se deklaratat e fundit të Trumpit janë pjesë e „luftës psikologjike dhe fushatës propagandistike“ së zakonshme, duke kujtuar se presidenti amerikan edhe në të kaluarën ka paralajmëruar rënien e Iranit dhe masa me përmasa historike.
Agjencia iraniane „Tasnim“ vlerësoi se mesazhi i Trumpit “nuk përbën ndonjë zhvillim të ri”, pasi SHBA-ja prej vitesh përpiqet të bllokojë lidhjet financiare dhe ekonomike me Iranin.
Megjithatë, Irani “ka mësuar se si t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë shumë i aftë në këtë drejtim”, raportoi “Tasnim” në “Telegram”.
-
Lajme nga vendi1 month agoDyvjeçar nga Kumanova helmohet me tretës ngjyre, dërgohet në Klinikën “Nëna Terezë”
-
Lajme nga bota2 months agoFestivali kthehet në tragjedi, dy të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat në Uashington. Arrestohet autori
-
Lajme nga bota2 months agoFranca në alarm, zjarret i afrohen Bordeaux, Macron mbledh qeverinë në takim krize

