Lajme nga vendi
Ivanovska: Lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim në të gjitha nivelet e shoqërisë
Me një rënie prej 12 vendesh, Maqedonia e Veriut po regresohet në luftën kundër korrupsionit. Në shkallën në të cilën renditen 180 vende, vendi ynë renditet i 88-ti. Për t’u konsideruar se lufton seriozisht korrupsionin, një vend duhet të arrijë të paktën 50 pikë dhe Maqedonia ka 40.
Ky rezultat, sipas Transparency International, është edhe pasojë e skandaleve me gjyqtarët Naqe Gjorgjiev dhe Lazar Nanev, si dhe Ixhet Memeti, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Ish-kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në një intervistë për “Lokalno” thotë se derisa të gjithë në shoqërinë tonë të ndërgjegjësohen se korrupsioni është një e keqe që ka efekt të fuqishëm shkatërrues dhe ndikon negativisht në të gjitha proceset shoqërore, lufta kundër korrupsionit është vetëm deklarative.
Ajo thotë se “lufta nuk është vetëm për opozitën, ndërsa ata janë në opozitë, por lufta është për vendosjen e një sistemi të shëndoshë që të gjithë do ta respektojnë”.
Sipas Ivanovska, në kushtet e intensitetit të fortë të faktorëve të rrezikut që gjenerojnë korrupsion, si: ndikimi politik, mosndëshkimi, mungesa e integritetit dhe transparencës, korrupsioni merr vrull.
“Kjo luftë kërkon angazhim në të gjitha nivelet e shoqërisë, si nga të gjitha institucionet relevante, të cilat duhet të veprojnë në kuadër të juridiksionit të tyre dhe të rrisin vigjilencën e tyre, ashtu edhe nga qytetarët të cilët me sjelljen e tyre (mospranimin dhe raportimin e korrupsionit) mund të japin një kontribut të madh”, pohon Ivanovska.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

