Lajme nga vendi
Borë e shi, vendin e pret periudhë e motit të ftohtë
Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme, në male dhe në disa vende më të larta të borës, ndërsa në vendet më të ulëta të shiut, të cilat përkohësisht do të kalojnë në borë.
“Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, përgjatë Vardarit erë e kohëpaskohshme e fuqishme nga drejtimi verior. Borë të dobët do të ketë diku në rajonet malore. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 5 gradë, ndërsa ajo maksimale prej 3 deri 9 gradë”, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me kushte për shi të dobët të kohëpaskohshëm, në vende më të larta me kushte për borë të dobët dhe erë të lehtë veriore. Temperatura minimale do të bie deri në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 8 gradë Celsius.
Sipas parashikimit të DPHM, në ditët në vijim moti do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme, në male dhe në disa vende më të larta të borës, ndërsa në vendet më të ulëta të shiut dhe kushte që reshjet përkohësisht të kalojnë në borë.
“Do të fryjë erë e mesme deri e fuqishme veriore. Nga e marta vranësirat do të ulen, ndërsa nga e mërkura moti do të jetë kryesisht me diell me temperatura të ulëta të mëngjesit”, informon DPHM.
Lajme nga vendi
Kostadinovski: Ligji për përdorimin e gjuhëve në rend dite më së voni deri në shkurt
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, komentoi raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke shprehur shqetësim për situatën e gjatë “status quo” në sistemin juridik. Ai kritikoi Parlamentin për shpërfilljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi se nëse nuk bëhen ndryshimet e nevojshme, gjykata do të marrë vendime përfundimtare.
Kostadinovski iu referua ligjeve kontroverse për balancuesin, ndryshimeve në Kodin Penal dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke njoftuar afate dhe hapa të mundshëm për zgjidhjen e tyre.
“Raporti i fundit nuk përcakton përparim në fusha të caktuara, veçanërisht në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, krimit. Megjithatë, as nuk përcakton regres. Ne jemi në një situatë “status quo” për një kohë të gjatë, dhe kjo nuk është aspak e mirë. Qytetarët kanë mosbesim të plotë në të gjithë aparatin shtetëror”, tha ai në një paraqitje në Telma TV.
Lidhur me dy ligjet për të cilat KE ka vërejtje, konkretisht në lidhje me balancuesin, Kostadinovski informoi se është përgatitur një Ligj i ri për Përfaqësim të Drejtë dhe aktualisht po vlerësohet nga Komisioni i Venedikut.
“Shpresoj që ky ligj të jetë në përputhje me qëndrimet tona ligjore për heqjen e balancuesit. Domethënë, të arrihet një ekuilibër midis përfaqësimit të drejtë dhe të përshtatshëm dhe asaj që do të thotë merita, ekspertiza dhe kompetenca”, theksoi ai.
Ndërsa, në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat janë gjithashtu një vëzhgim i KE-së, ai tha se ato shkaktuan “dëme të pariparueshme” në rendin juridik dhe njoftoi se nëse Parlamenti nuk bën ndryshimet e nevojshme deri në seancën e fundit të gjykatës në dhjetor, Gjykata Kushtetuese do ta vendosë çështjen në rend të ditës dhe do të vendosë.
“Afati gjashtëmujor skadoi në gusht. Ne patëm mirëkuptim si Gjykatë për procesin zgjedhor, sepse gjëra të tilla të mëdha nuk janë të përshtatshme për t’u bërë. Por zgjedhjet kanë mbaruar. Ne si Gjykatë, pra unë si kryetar, jam i detyruar të ruajmë besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të lejojmë që Parlamenti të vazhdojë pafundësisht me një praktikë të mosdisiplinës kushtetuese. Parlamenti është i detyruar, nëse respekton Kushtetutën, dhe është i detyruar ta respektojë atë, të respektojë vendimet tona, sepse vendimet tona në bazë të Kushtetutës janë përfundimtare, të zbatueshme dhe përgjithësisht të detyrueshme. Por Parlamenti nuk e ka bërë këtë deri në këtë pikë”, thotë Kostadinovski.
Siç shpjegoi ai, shfuqizimi i Ligjit për Ndryshimet në Kodin Penal do të thotë që rregulli i vjetër ligjor nuk do të kthehet në fuqi, pasi kjo do të ishte një thirrje për pandëshkueshmëri, ndërsa anulimi do të thoshte se do të kthehet në atë të vjetrin.
Lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Kostadinovski njoftoi se deri në fund të muajit do të kërkojë një mendim nga gjyqtari raportues, dhe më së voni deri në shkurt çështja do të paraqitet në seancë.
Ai i bëri thirrje Parlamentit që të plotësojë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të shmangen vendimet e pazgjidhura me një rezultat prej 4-4.
Lajme nga vendi
Kapet me marihuanë dhe shumë të madhe parash, arrestohet shkupjani
Një person nga Shkupi është arrestuar pasi gjatë kontrollit personal dhe bastisjes së banesës së tij janë gjetur rreth dy kilogramë marihuanë.
Më 11 nëntor 2025, zyrtarët policorë nga Njësia për tregti të palejuar me drogë pranë SPB Shkup, pas informacioneve operative të marra paraprakisht, kryen identifikimin dhe kontrollin e personit S.M. nga Shkupi në rrugën “Hristo Tatarçev”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), gjatë kontrollit u gjet marihuanë, një peshore digjitale dhe një shumë e madhe parash. Gjatë kontrollit të automjetit “Volkswagen” me targa të Shkupit, në pronësi të S.M., u gjet gjithashtu një sasi më e madhe marihuane.
Pas një urdhri të marrë paraprakisht, policia kreu edhe bastisje në banesën ku qëndronte S.M., ku në dhomën ndihmëse të bodrumit u gjet një sasi e madhe marihuane dhe dy peshore digjitale.
S.M. është privuar nga liria, është njoftuar prokurori publik dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim përkatës, njofton MPB.
Lajme nga vendi
MPB: Pa goma dimërore dhe zinxhirë, s’ka qarkullim nga 15 nëntori
Nga data 15 nëntor 2025, të gjithë drejtuesit e automjeteve do të jenë të detyrueshëm të kenë pajisjet dimërore sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Mosrespektimi i këtij rregulli nuk është pa pasoja – nëse kapeni pa pajisjet e nevojshme, gjobiteni me 45 euro (në kundërvlerë denarë).
Sipas Rregullores për pajisjet dimërore të detyrueshme, automjetet me peshë maksimale deri në 3.500 kg duhet të jenë të pajisura me:
Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të shiritit të gomës prej 4 mm,
ose, nëse përdorni goma verore me të njëjtën thellësi minimale, duhet të mbani me vete zinxhirë dëbore që i përshtaten rrotave lëvizëse.
Pra, nëse s’e keni bërë ende, është koha të kontrolloni makinat tuaja – dimri po vjen dhe gjobat nuk falin!
-
Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi2 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

