Lajme nga vendi
Këtë sezon gripi jep simptoma intensive, deri më tani në RMV vaksinën e kanë marrë 72.288 persona
Në një kohë kur mjekët paralajmërojnë për simptoma intensive të virusit të gripit dhe sëmundje të ngjashme me gripin dhe pacientët që ankohen se simptomat e tyre zgjasin me javë të tëra, dozat e vaksinës katërvalente të gripit, e cila mbron kundër katër llojeve të gripit, janë ende në dispozicion. Vaksinimi ka nisur më 21 tetor të vitit të kaluar dhe deri më tani (nga java e gjashtë e sezonit) vaksinën e kanë marrë gjithsej 72.288 persona.
“Për sezonin 2024/2025, Ministria e Shëndetësisë ka ofruar vaksinë katërvalente falas në një sasi totale prej 70 mijë dozash, si dhe janë siguruar 10 mijë doza shtesë të vaksinës katërvalente përmes donacionit nga PIVI (Partnership for International Vaccine Initiatives). Fillimisht, dozat janë të destinuara për vaksinim falas të grupeve të rrezikut, ku përfshihen personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç”, informojnë për Meta.mk nga Ministria e Shëndetësisë.
Vaksina e gripit mund të jepen edhe për fëmijët nga gjashtë muaj e lart dhe duke qenë se fëmijët deri në 5 vjeç janë një nga grupet e rrezikut, Ministria i ofron vaksinat falas.
Për qytetarët që nuk bëjnë pjesë në këto grupe, por duan të mbrohen nga gripi sezonal, Qendrat e Shëndetit Publik prokurojnë vaksina komerciale, kundrejt një kompensimi të caktuar financiar. Kështu, 2600 doza vaksinash komerciale janë blerë nga qendrat e shëndetit publik si vaksina për pjesën tjetër të popullsisë që nuk bën pjesë në grupet e mësipërme.
Vaksinimi kryhet në qendrat e shëndetit publik me njësitë e tyre rajonale dhe/ose qendrat shëndetësore. Terminet për vaksina falas bëhen përmes ueb-faqes www.vakcinacija.mk.
Pacientët të cilët i drejtohen për ndihmë ordinancave të mjekëve të familjes gjatë kësaj periudhe kanë një mori simptomash të përziera. Temperatura e lartë që zgjat me ditë të tëra, pa simptoma të tjera klinike, e më pas dhimbje trupi, plogështi, dhimbje koke e deri në marrje mendsh, që zgjasin deri në katër javë, janë arsyeja që një numër i madh pacientësh mbushin orninancat e mjekëve amë.
Lajme nga vendi
Alarm i rrejshëm për bomba në dy shkolla të Tetovës
Në dy shkolla të mesme të Tetovës sot kishte alarm të rrejshëm për bomba. Policia është detyruar të largojë nxënësit dhe mësimdhënësit nga objekti. Për dallim nga herët e kaluara, kërcënimi i sotëm ka shkuar direkt në e-mailin e policisë e jo të Shkollës.
“Shkolla e mesme gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” këtu në Tetovë, por edhe gjimnazi “7 Marsi”, që në orën e parë të fillimit të mësimit, sot u detyruan t’i evakuojnë nxënësit nga objektet shkollore, shkaku se erdhi Sektori i Punëve të Brendshme dhe iu tha që ka alarm për bombë”.
Nga SPB e Tetovës thonë se po punohet në zbardhjen e rastit dhe vendin nga ku është dërguar emaili.
“SPB Tetovë ka ndërmarrë menjëherë gjitha masat dhe aktivitetet dhe ka evakuuar shkollën nga nxënësit dhe janë siguruar në pjesët e jashtme. Janë marrë masat për kontroll të objektit, por u konstatua se bëhet fjalë për alarm të rrejshëm. Viteve të fundit këto alarme janë shpeshtuar andaj MPB ndërmerr masa dhe Sektori për krim kompjuterik dhe forenzik marrin masat për ta locuar personin që ka dërguar këtë email”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Sipas të dhënave të policisë, e-maili dyshohet të jetë shkruar në gjuhën maqedonase, pastaj teksti është përkthyer në shqip dhe është i ngjashëm me emailet apo alarmet e rrejshme të dërguara në të kaluarën.
Lajme nga vendi
VLEN-i kërkon Kod penal që s’guxon më të shërbejë si amnisti!
Koalicioni VLEN akuzon ish-pushtetin BDI–LSDM se kanë keqpërdorur kalimin e ligjeve me të ashtuquajturin flamur evropian. Nga VLEN thonë se “nën maskën e “harmonizimit me BE-në”, ata votuan ndryshime në Kodin Penal që sot po ia shohim sherrin e gjithë shoqëria”
“Ky nuk ishte ligj për standarde evropiane, por ofertë amnistie për kapjen e shtetit, e nënshkruar nga BDI në emër të shqiptarëve, por në interes të Gruevskit, Mijallkovit dhe klikave që kanë plaçkitur edhe shqiptarët, edhe Maqedoninë e Veriut. Ky vend ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për ligje të qepura sipas hallit të politikanëve që tremben nga përgjegjësia. Përpilimi i Kodit të ri Penal kërkon analizë të thelluar, harmonizim profesional dhe përfshirje të ekspertizës më të mirë juridike, prandaj VLEN mbështet qasje të përgjegjshme dhe të mbështetur në parime evropiane. Qasja jonë është e qartë vendi ka nevojë për një Kod Penal modern, të ndërtuar mbi parimin e barazisë para ligjit dhe me kapacitet të vërtetë për të siguruar ndëshkim efektiv për korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. VLEN ka qenë e para që ka kërkuar rritje të përgjegjësisë për korrupsionin e lartë, përmes amendamentit kushtetues. Prioriteti ynë është i thjeshtë, një sistem penal që mbron qytetarët dhe drejtësinë, jo ata që për vite të tëra e përdorën ligjin për të pastruar vetveten nga skandalet”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Zgjidhet kryetari i Këshillit komunal në Bërvenicë,me votat e VMRO-DPMNE-së -LSDM-së ndërsa VLEN dhe AKI abstenuan
Në seancën e dytë të përbërjes së re të Këshillit të Komunës së Bërvenicës, për kryetar Këshilli është emëruar Robert Milloshevski, bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë nga VMRO-DPMNE, parti nga e cila vjen edhe kryetari i komunës, Jovica Ilievski.
Miloshevski u emërua me tetë vota “pro”, të cilat i siguruan gjashtë këshilltarë të VMRO-DPMNE-së dhe dy nga koalicioni i LSDM-së. Shtatë këshilltarët e tjerë – katër nga koalicioni VLEN dhe tre nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim abstenuan. Këshilli ka gjithsej 15 anëtarë.
Me zgjedhjen e Milloshevskit si kryetar i Këshillit dhe me ndarjen e vërtetimit për kryetar komune, u kompletua formimi i vetëqeverisjes lokale në Komunën e Bërvenicës.
Pas dy raundeve zgjedhore dhe skadimit të afateve për paraqitje të ankesave dhe kundërshtimeve, Komisioni Komunal Zgjedhor i Bërvenicës i dorëzoi Jovica Ilievskit vërtetimin për kryetar të zgjedhur të komunës. Me këtë, Ilievski vazhdon mandatin e dytë si kryetar komune.
Komisioni Komunal i Bërvenicës më 10 nëntor u ndau vërtetimet gjithsej 15 këshilltarëve të zgjedhur, pas së cilës u mbajt edhe seanca konstituive, por pika për zgjedhjen e kryetarit u shty për seancën e dytë. (koha.mk)
-
Lajme nga rajoni2 months agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi3 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi2 weeks agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija

