Lajme nga vendi
MPB zbardh rastin e kërcënimit me bomba në shkolla, e-mailet janë dërguar nga dy të mitur
Sektori për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në kuadër të Departamentit për luftimin e krimit të organizuar dhe krimit të rëndë do të dorëzojë raport në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në bazë të të cilit dy të mitur 14-vjeçarë nga Shkupi do të raportohen për rastin e kërcënimeve me bomba nëpër disa shkolla.
“Konkretisht, me datë 19.02.2025, të miturit nga celulari i njërit prej të tyre kanë dërguar email me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e bombës në dy shkolla (një fillore dhe një të mesme) në Shkup. Gjithashtu, me datë 21.02.2025, nga celulari i të miturit tjetër është dërguar email me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e bombës në dy shkolla (një fillore dhe një të mesme) në Shkup”.
“Njësia për zbulimin dhe demontimin e lëndëve plasëse dhe mjeteve ka kryer inspektim antiterrorist në të gjitha shkollat që kanë marrë mesazh, por nuk janë gjetur mjete shpërthyese dhe është konstatuar se bëhet fjalë për raport të rremë për mjete shpërthyese të vendosura”.
“Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga Sektori i Krimeve Kibernetike, është përcaktuar IMEI e pajisjes celulare të përdorur nga emaili i përdoruesit nga i cili janë dërguar mesazhet, e cila IMEI është lidhur me shërbimet e GOOGLE më 21.02.2025 nga një adresë IP e operatorit të telekomunikacionit nga Republika e Maqedonisë së Veriut”.
“Pas kontrolleve shtesë është konstatuar identiteti i të miturve të përfshirë, dhe me datë 25.02.2025 janë thirrur në Stacionin policor në Çair dhe në prani të prindit, inspektorit për delikuencë të të miturve nga SPB Shkup dhe avokatit është bërë intervistë në të cilën kanë pranuar dhe shpjeguar mënyrën e kryerjes së veprës penale”.
“Pas intervistimit zyrtar, për sigurimin e provave, prindërve me certifikatë për sende të sekuestruara përkohësisht, iu sekuestruan dy aparate celularë me karta SIM, të cilat i përdornin të miturit e denoncuar”, thonë nga MPB Maqedoni.
Lajme nga vendi
Durmishi: Ligjet e reja i japin goditje ekonomisë gri dhe mbështetjes të fortë ekonomisë formale
Formalizimi i ekonomisë gri është një nga përcaktimet më të larta strategjike të Qeverisë dhe segment kyç i agjendës reformuese, meqë ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ai vuri në dukje se sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2024 në vend ka pasur rreth 694.000 të punësuar, nga të cilët përafërsisht 85.000 kanë qenë të angazhuar në mënyrë informale, gjë që, siç theksoi ai, paraqet sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistemore, e jo ad-hok.
Ministri Durmishi përkujtoi se Ministria tashmë edhe deri më tani ka ndërmarrë masa përmes Planit Operativ për Punësim, por analizat kanë treguar se disa nga personat vazhdojnë të mbeten jashtë rrjedhave formale.
“Pikërisht për këtë arsye është miratuar Ligji për Angazhimin me Punë të Personave, i cili fillon të zbatohet nga 1 janari i vitit 2026 dhe paraqet reformë thelbësore në mënyrën e angazhimit të rastësishëm dhe sezonal të punëtorëve”, tha ai
Sipas tij, me këtë ligj, vendoset model më fleksibël dhe të thjeshtuar për punësimin legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe arkëtim të kontributeve. Durmishi theksoi se Ligji mundëson angazhimin me punë e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara.
Në fazën e parë, siç informoi ministri, janë përfshirë veprimtaritë ku ekonomia gri është më e theksuar – bujqësia, pylltaria, peshkimi, objektet akomoduese, veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe veprimtaritë në amvisëri.
“Me zbatimin e ligjit pritet formalizimi i rreth 17.400 persona, nga të cilët deri në 12.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të palajmëruar në turizëm, hotelieri dhe shërbime,” tha Durmishi.
Ai theksoi se reforma sjell përfitime edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit, përmes procedurave të thjeshtuara administrative, pagesës në orë, pagesës së kontributeve dhe mbrojtjes së qartë juridike të të drejtave të punëtorëve.
Paralelisht me këtë, ministri përkujtoi se nga 1 janari i vitit 2026, fillon të zbatohet Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve, gjë që siguron mbështetje financiare për kompanitë që investojnë, krijojnë vende të reja pune dhe realiziojnë rritje të të ardhurave.
“Kombinimi i këtyre dy ligjeve nënkupton njëkohësisht luftimin e ekonomisë gri dhe mbështetjen aktive të ekonomisë formale, me çka shteti krijon klimë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të drejtë afariste”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Lajme nga vendi
Feti Abazi: Këtë vit e nisim, me nënshkrimin e projektit për efikasitet energjetik, prej 750 mijë eurove
Feti Abazi, kryetar i komunës së Bogovinës, ditën e parë të punës në këtë vit, e ka nisur me nënshkrimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe ministrinë e Financave, për rritjen e efikasitetit energjetik. Njoftimin e ka bërë të ditur, kreu i kësaj komune, në faqen e tij zyrtare të Facebookut. “Ditën e parë të punës në 2026, e nisëm me nënshkrimin e kontratës me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Financave në vlerë prej afërsisht 750.000 eur. për projektin e efikasitetit energjetik. Synimi i jonë është që me këtë projekt të zëvendësojmë tërësisht sistemin e ndriçimin publik, me instalimin e smart dritave, që direkt do të përmirësojnë cilësinë e ndriçimit dhe do të zvogëlojnë harxhimet”. Pjesa e kapitullit të energjisë, është një nga shtyllat e buxhetit komunal të paraparë për këtë vit.
Lajme nga vendi
Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për vrasjen në Shkup
Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e para të së premtes një shtetas turk që kërkohej nga Maqedonia e Veriut nën dyshimin se ka kryer një vrasje një ditë më parë në Shkup.
Siç ka njoftuar Policia, identifikimi dhe arrestimi i tij u bë nga njësiti për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
“Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, para procedurave të tjera ligjore.
Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, një person kishte vdekur si pasojë e therjes me thikë në natën e Vitit të Ri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

