Lajme nga vendi
Platforma “Qytet i sigurt”, Kasami priti në takim ministrin Toshkovski
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot qëndroi për vizitë pune në Tetovë me ç’rast u takua me kryetarin e Komunës, Bilall Kasamit.
Siç u tha nga të dy, kjo vizitë ishte në kuadër të promovimit të sistemit “Safe City”, që do të lehtësoi qarkullimin dhe do të bëjë që qytetarët të ndihen më të sigurtë gjatë lëvizjes nëpër qytet.
Toshkovski tha tha se kudo në vend ka mungesë të policëve, por në disa sektorë ka mbingarkesë.
“Në ato pozita ku ka punë të vështirë, punë që është në terren, rrezikon jetën që qytetarët të jetojnë të sigurt, aty na mungojnë gjithmonë punonjësit e policisë. Nga ana tjetër, pjesa komode, ku nuk ekspozohen ndaj shiut, erës, rrugës, kemi një tepricë punonjësish. Në të ardhmen po ndërmerren plane operative dhe po aktivizohen të gjithë ata të punësuar të pashfrytëzuar në MPB dhe do ta shihni do të tregojë koha dhe do të shihni ndryshim në krahasim me më parë”, tha Toshkovski.
Lajme nga vendi
Durmishi: Ligjet e reja i japin goditje ekonomisë gri dhe mbështetjes të fortë ekonomisë formale
Formalizimi i ekonomisë gri është një nga përcaktimet më të larta strategjike të Qeverisë dhe segment kyç i agjendës reformuese, meqë ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, stabilitetin e financave publike dhe mbrojtjen e punëtorëve”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ai vuri në dukje se sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2024 në vend ka pasur rreth 694.000 të punësuar, nga të cilët përafërsisht 85.000 kanë qenë të angazhuar në mënyrë informale, gjë që, siç theksoi ai, paraqet sfidë serioze që kërkon zgjidhje sistemore, e jo ad-hok.
Ministri Durmishi përkujtoi se Ministria tashmë edhe deri më tani ka ndërmarrë masa përmes Planit Operativ për Punësim, por analizat kanë treguar se disa nga personat vazhdojnë të mbeten jashtë rrjedhave formale.
“Pikërisht për këtë arsye është miratuar Ligji për Angazhimin me Punë të Personave, i cili fillon të zbatohet nga 1 janari i vitit 2026 dhe paraqet reformë thelbësore në mënyrën e angazhimit të rastësishëm dhe sezonal të punëtorëve”, tha ai
Sipas tij, me këtë ligj, vendoset model më fleksibël dhe të thjeshtuar për punësimin legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe arkëtim të kontributeve. Durmishi theksoi se Ligji mundëson angazhimin me punë e të punësuarve, të papunëve, studentëve, nxënësve dhe pensionistëve, pa humbur me këtë rast të drejtat e tyre tashmë të përvetësuara.
Në fazën e parë, siç informoi ministri, janë përfshirë veprimtaritë ku ekonomia gri është më e theksuar – bujqësia, pylltaria, peshkimi, objektet akomoduese, veprimtaritë e shërbimit të ushqimit dhe veprimtaritë në amvisëri.
“Me zbatimin e ligjit pritet formalizimi i rreth 17.400 persona, nga të cilët deri në 12.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të palajmëruar në turizëm, hotelieri dhe shërbime,” tha Durmishi.
Ai theksoi se reforma sjell përfitime edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit, përmes procedurave të thjeshtuara administrative, pagesës në orë, pagesës së kontributeve dhe mbrojtjes së qartë juridike të të drejtave të punëtorëve.
Paralelisht me këtë, ministri përkujtoi se nga 1 janari i vitit 2026, fillon të zbatohet Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve, gjë që siguron mbështetje financiare për kompanitë që investojnë, krijojnë vende të reja pune dhe realiziojnë rritje të të ardhurave.
“Kombinimi i këtyre dy ligjeve nënkupton njëkohësisht luftimin e ekonomisë gri dhe mbështetjen aktive të ekonomisë formale, me çka shteti krijon klimë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të drejtë afariste”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Lajme nga vendi
Feti Abazi: Këtë vit e nisim, me nënshkrimin e projektit për efikasitet energjetik, prej 750 mijë eurove
Feti Abazi, kryetar i komunës së Bogovinës, ditën e parë të punës në këtë vit, e ka nisur me nënshkrimin e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe ministrinë e Financave, për rritjen e efikasitetit energjetik. Njoftimin e ka bërë të ditur, kreu i kësaj komune, në faqen e tij zyrtare të Facebookut. “Ditën e parë të punës në 2026, e nisëm me nënshkrimin e kontratës me Bankën Botërore dhe Ministrinë e Financave në vlerë prej afërsisht 750.000 eur. për projektin e efikasitetit energjetik. Synimi i jonë është që me këtë projekt të zëvendësojmë tërësisht sistemin e ndriçimin publik, me instalimin e smart dritave, që direkt do të përmirësojnë cilësinë e ndriçimit dhe do të zvogëlojnë harxhimet”. Pjesa e kapitullit të energjisë, është një nga shtyllat e buxhetit komunal të paraparë për këtë vit.
Lajme nga vendi
Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për vrasjen në Shkup
Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e para të së premtes një shtetas turk që kërkohej nga Maqedonia e Veriut nën dyshimin se ka kryer një vrasje një ditë më parë në Shkup.
Siç ka njoftuar Policia, identifikimi dhe arrestimi i tij u bë nga njësiti për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
“Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, para procedurave të tjera ligjore.
Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, një person kishte vdekur si pasojë e therjes me thikë në natën e Vitit të Ri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

