Lajme nga rajoni
Sinani: Sakrifica e familjes Jashari, udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët

Në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Gjatë vizitës, Sinani vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke theksuar se ky akt mbetet një udhërrëfyes për gjithë shqiptarët.
“Sot jemi në Prekazin historik, në Prekazin e kryekomandantit, Adem Jashari, familjes Jashari, sakrificës sublime për popullin e Kosovës, për lirinë të cilën e gëzojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne me nder dhe krenari, por edhe dhimbje shumë të madhe kur vizituam varrezat, por, morali, ndërgjegjja jonë për të vizituar familje dhe nderuar jetën dhe veprën e familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Republikës së Kosovës është për neve më e pakta që kemi mundur të bëjmë si delegacion i Komunës së Preshevës”, tha Sinani.
5,6 dhe 7 marsi 1998 njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.
Lajme nga rajoni
Kurti flet për unitet, bashkëpunim dhe vizion gjatë takimit me profesionistët dhe sipërmarrësit shqiptarë në SHBA

Kryeministri në detyrë , Albin Kurti, është pritur në një takim të veçantë nga përfaqësues dhe anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë në Amerikë (APEN), gjatë vizitës së tij në New York.
Në një atmosferë bashkëbisedimi me anëtarët e APEN, Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e këtij rrjeti në ndërlidhjen e profesionistëve shqiptarë në diasporë.
“Në biznes, teknologji, drejtësi, mjekësi, akademi apo art, ju çoni përpara një traditë të përsosmërisë dhe qëndrueshmërisë që përcakton se kush jemi ne si popull,” tha ai, duke shtuar se “diaspora jonë nuk është vetëm një komunitet jashtë vendit, por një forcë lëvizëse për inovacion, rritje dhe progres në të dy anët e Atlantikut.”
Kurti gjithashtu prezantoi “Dritaren për Investimet e Diasporës”, që është pjesë e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, si një instrument për të nxitur investimet nga jashtë dhe për të krijuar ura bashkëpunimi ndërbreznore dhe ndërprofesionale.
Në përmbyllje të fjalimit të tij, kryeministri theksoi rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë brenda komunitetit shqiptar kudo në botë.
Në këtë ngjarje, krahas kryeministrit Kurti, morën pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.
APEN është një rrjet i themeluar në vitin 2007 nga të rinj shqiptaro-amerikanë në New York, me qëllim të avancimit të komunitetit shqiptar në SHBA dhe krijimit të platformave për bashkëpunim profesional.
Lajme nga rajoni
Noteres shqiptare i sekuestrohet pasuri e dyshimtë prej 3 milionë euro

Policia në Tiranë ka sekuestruar 18 asete me vlerë 3 milionë euro, me burime të dyshuara kriminale.
Siç raportojnë mediat shqiptare, noterja 35-vjeçare, Sanja Telhallari, ka qenë përfituese e këtyre burimeve kriminale, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa Policia ka bërë të ditur se asetet e sekuestruara janë: 13 pasuri të paluajtshme dhe pesë llogari bankare.
Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje.
Derisa lidhur me rastin, hetimet dhe veprimet operacionale janë ende në vazhdim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lajme nga rajoni
Tirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor

Tirana do të mirëpresë në 13 dhe 14 tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i mbështetur nga Komisioni Europian.
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Zhvillimi i Forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.
I mbështetur nga Komisioni Evropian, ky samit është pjesë e strategjisë më të gjerë të BE-së për të promovuar integrimin rajonal dhe konvergjencën socio-ekonomike, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë rajonin.
Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) ndodhen në një moment kyç në udhëtimin e tyre të përbashkët ekonomik dhe politik. Ndërsa BE kërkon të rigjallërojë dinamizmin e saj ekonomik dhe të sigurojë konkurrueshmërinë e saj globale, Ballkani Perëndimor shfaqet si një kufi i ri premtues për investime.
Ky forum investimesh shërben si një platformë strategjike për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, për të tërhequr investime të huaja direkte (IHD) dhe për të përshpejtuar integrimin e ekonomive të WB6 në tregun e vetëm evropian, duke përfituar si vendet e WB6, shtetet anëtare të BE-së dhe kompanitë evropiane.
Duke nxitur dialogun midis investitorëve, politikëbërësve dhe udhëheqësve të biznesit, ky forum në Tiranë do të nxjerrë në pah se si mundësitë kryesore të investimit mund të katalizojnë rritjen, të thellojnë integrimin e tregut dhe të sigurojnë të ardhmen e Evropës si një bllok konkurrues, elastik dhe i bashkuar. Ai gjithashtu do të adresojë sfidat kritike siç janë barrierat rregullatore, kufizimet e financimit dhe pasiguritë gjeopolitike që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik rajonal.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve