Lajme nga vendi
ZGJEDHJET LOKALE: Mickoski pret mbështetje publike nga VLEN-i dhe ZNAM-i
Pres mbështetje publike në zgjedhjet e ardhshme lokale për kandidatët për kryetar komune nga VMRO DPMNE, koalicioni “Maqedonia juaj”, koalicioni VLEN dhe partia politike ZNAM, tha sot kryeministri dhe lider i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në pyetjen e gazetarëve për intervistën e djeshme të liderit të LSDM-së,Venko Filipçe, në të cilën ai deklaroi se është i interesuar që në komuna të caktuara të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në.
“Sepse jam i bindur se politikat që i ndjek ky koalicion janë me të vërtetë politika që janë në interes të popullit, andaj kur them se pres përkrahje sociale realisht e kam fjalën”, tha Mickoski. Ai theksoi se nuk e ka shikuar intervistën me liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, sepse ai ka pasur takime dhe ka punuar vonë.
“Por mora informacion, edhe pa një brifing nga ekipi im, se ai është ndoshta një nga politikanët e rrallë që në skenë të hapur tregon mirëkuptim për politikat e Bashkimit Demokratik për Integrim. Pra më thanë se po tregon mirëkuptim për argumentet e Bashkimit Demokratik për integrim, diçka për të cilën tashmë po flasim, se koalicioni E Majta, LSDM, BDI po funksionon në mënyrë perfekte”, tha Mickoski.
I pyetur për kandidatët e mundshëm për kryetar të qytetit të Shkupit, Zllatko Perinski dhe Orce Gjeorgievski, Mickoski është përgjigjur se është mirë të ketë interes për këtë pozitë dhe siç tha ai, as njëri dhe as tjetri nuk i kanë thënë zyrtarisht personalisht nëse janë të interesuar të jenë pjesë e kandidatëve që do të jenë në zgjedhjet brendapartiake. “Por, unë do t’i dëgjoj këshillat tuaja, kur të fillojmë sondazhet për matjen e kandidatëve potencialë për qytetin e Shkupit, ndër të tjerët do t’i përfshijmë edhe të dy emrat”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

