Lajme nga vendi
Nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi me Fondacionin SIZIGIA për realizimin e trajnimeve për personat në rrezik me qëllim përfshirjen e tyre në ndërmarrjet sociale dhe krijimin e vendeve të punës gjithëpërfshirëse

Në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve u nënshkrua Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe SIZIGIA Shkup – Fondacioni për krijimin e ekosistemeve, inovacioneve dhe bartjes së njohurive për zhvillim personal dhe afarist.
Me Memorandumin e nënshkruar nga ministri Fatmir Limani dhe znj. Suzana Trajkovska Koçankovska nga SIZIGIA, Ministria shpreh mbështetjen për aktivitetet e fondacionit përmes projektit “Mjellma e Zezë” – i cili ka për qëllim mbështetjen e personave në rrezik duke ofruar trajnime për përfshirjen e tyre në ndërmarrjet sociale dhe krijimin e vendeve të punës gjithëpërfshirëse në kontekstin e ndërmarrjeve sociale.
Projekti “Mjellma e Zezë” financohet nga Ministria e Politikës Sociale, Shëndetit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, që ka filluar më 25.01.2025 me një periudhë zbatimi 12 mujore.
I njëjti zbatohet në bashkëpunim me Impact Hub Austria dhe Fondacionin SIZIGIA me synimin për të inkurajuar të rejat (15-24 vjeç) që nuk janë të punësuara, as në arsim apo trajnim (NEET), si dhe personat me aftësi të kufizuara, për të përmirësuar aftësitë e tyre dhe mundësitë e punësimit përmes trajnimeve, punës praktike në kompani dhe sipërmarrje sociale.
Realizimi i aktiviteteve të projektit “Mjellma e Zezë” do të realizohet në Qendrën për Ndërmarrje Sociale, e cila me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i është dhënë në përdorim të përhershëm Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Realizimi i aktiviteteve është pa pagesë të kompensimit nga fondacioni për shfrytëzimin e Qendrës.
Lajme nga vendi
39 persona të ndaluar për zjarrvënie, masa të reja për parandalim

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se nga data 01.04.2025 deri më 18.08.2025, në lidhje me zjarret në hapësira të hapura janë ndaluar gjithsej 39 persona, ndërsa pas marrjes së masave janë paraqitur 25 kallëzime penale.
“Është konstatuar se shumica e zjarreve të ndodhura janë shkaktuar nga faktori njeri, për motive të ndryshme, dhe po ndërmerren masa dhe aktivitete për zbardhjen e rasteve dhe zbulimin e ndonjë ndërlidhjeje eventuale mes tyre”, thonë nga MPB.
Gjithashtu nga MPB informojnë se nga data 01.07.2025, kur është vendosur ndalesa për lëvizje në pyje, deri më 30.07.2025, pa leje të shkruar për lëvizje në pyje janë kapur 22 persona. Kundër tyre do të parashtrohen procedurat përkatëse sipas Ligjit për Pyje.
“Në drejtim të parandalimit të hershëm të zjarreve, shërbimet policore po përdorin dronë për të monitoruar brezat pyjorë në territorin e shtetit. Me zbatimin e këtyre masave operative është rritur efikasiteti në paralajmërimin e hershëm dhe lokalizimin e zjarreve të mundshme, si dhe në detektimin e shkaqeve apo shkaktarëve të tyre”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ahmeti prezanton logon e Aleancës Kombëtare për Integrim: Kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimit europian

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka prezantuar logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim. Ahmeti shkruan se nevojitet bashkim mes të gjithë shqiptarëve. Sipas tij kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimi evropian.
“Me logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) hyjmë të bashkuar në zgjedhjet e tetorit.
Jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin europian ku duam të arrijmë. Sot nevojitet bashkim, më së pari mes gjithë shqiptarëve, që duhet të bëhen bashkë për njëri-tjetrin, por edhe mes të gjithë atyre që nuk dorëzohen lehtë dhe që besojnë se në vendin tonë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
E teksa bashkohemi, të mos harrojmë mësimet e së kaluarës së hidhur dhe ta mbajmë gjithmonë në mendje se e ardhmja jonë është integrimi në familjen e madhe europiane.
Kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimit europian.
Duart e bashkuara janë mesazhi ynë: vetëm së bashku ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, ka shkruar Ahmeti.
Lajme nga vendi
IRM-ja me nismë deri te Gjykata Kushtetuese kundër faturave paushallë për rrymë elektrike

Shoqata e Inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë (IRM) ka paraqitur një nismë deri te Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e nenit 31 nga Rregullat për furnizim me energji elektrike dhe rishikimin e pjesëve të nenit 185 nga Ligji i ri për energjetikë. Arsyeja, siç theksojnë nga IRM, është praktika e vazhdueshme e lëshimit të të ashtuquajturave “fatura paushallë për rrymë”, ndërkaq sipas tyre, që nga 29 maji 2025 ligji kërkon që faturat të bazohen ekskluzivisht në konsumin real të matur përmes leximit të matësve.
“Në faturat e EVN-së është vendosur një kolonë e titulluar “Metoda e leximit të matësit: O = Leximi; M = Gjendja e vlerësuar”, ku konsumatorëve u faturohet rryma bazuar në vlerësime dhe jo në konsumin real. Kjo përbën shkelje të ligjit, pasiguri ligjore dhe rrezik që qytetarët të shkëputen padrejtësisht nga rrjeti si debitorë. Me këtë veprim, është ndërmarrë një hap i fundit në përballje me arbitraritetin e EVN-së dhe nga Gjykata Kushtetuese kërkohet t’i japë fund praktikës së faturimit paushallë. Deri te opinioni dhe institucionet është vendosur link për tekstin e plotë të nismës”, theksohet në kumtesën e IRM-së.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve