Lajme nga vendi
Nga spitalet e Shkupit sot do të lëshohen 12 pacientë! Pesë pacientë që trajtohen jashtë vendit, mbeten në gjendje kritike

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka njoftuar sot se nga spitalet e Shkupit për trajtim shtëpiak do të lirohen 12 pacientë nga gjithsej 39 pacientë që po trajtohen në vend pas ngjarjes tragjike në Koçan. Nga ata që po trajtohen jashtë vendit, një pacient pritet të kthehet sot nga Beogradi dhe të vazhdojë trajtimin në Shkup.
Nga pacientët që trajtohen jashtë vendit, katër deri në pesë mbeten në gjendje kritike.
“Fatkeqësisht katër-pesë pacientë janë në gjendje më të rëndë dhe në disa raste ka edhe përkeqësim, por kolegët tanë në spitalet ku po trajtohen këta pacientë po mundohen të bëjnë maksimumin për ta kaluar këtë periudhë të vështirë”, tha Taravari në një konferencë për shtyp.
Nga spitalet në vend, siç theksoi ai, nuk do të ketë pacientë në Repartin e Kirurgjisë Pediatrike, ndërsa mbeten pacientët në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe në Klinikën e Toksikologjisë. Gjashtë pacientë do të qëndrojnë për trajtim në spitalin e qytetit “Shën Naumi i Ohrit”.
Lajme nga vendi
Paraburgim 6 persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë, shkak keqpërdorime në spital

Prokuroria e Prilepit ka kërkuar paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë të arrestuar në lidhje me rastin e Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit.
“Prokuroria Themelore Publike e Prilepit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prilepit propozime për paraburgimin e gjashtë personave, për 15 masa kujdesi dhe për gjashtë deri në shtatë persona juridikë nga Prilepi, Manastiri dhe Shkupi, si dhe propozim për ndalesë nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimeve publike,” tha Jasmina Shishkovska, kryetare e Gjykatës Themelore në Prilep.
Personat e arrestuar pritet të dorëzohen gjatë ditës në Gjykatën e Prilepit. Më shumë se 10 persona u arrestuan mbrëmë dhe sot nga policia e Prilepit gjatë një aksioni të Drejtorisë së Policisë Financiare, e cila ndërmori bastisje në disa lokacione në kuadër të hetimeve për keqpërdorime financiare në spital.
Sipas Prokurorisë, që nga prilli i këtij viti zhvillohet një procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me operacionet financiare të spitalit. Drejtori aktual i Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit, Borka Taleski, ka deklaruar vitin e kaluar se pas marrjes së detyrës ka vërejtur parregullsi financiare dhe se institucionit i është trashëguar një borxh prej rreth 193 milionë denarësh.
Lajme nga vendi
Rritet numri i fëmijëve të prekur nga infeksionet, 80 për qind e kapacitetit në Kozle është i mbushur

Në Klinikën e Fëmijëve në Kozle ka një rritje të ndjeshme të numrit të kontrolleve dhe vizitave mjekësore nga prindërit që kërkojnë ndihmë për fëmijët e tyre, sidomos në periudhën e fundit kur janë shtuar rastet me simptoma gripale dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Sipas mjekëve të kësaj klinike, gjatë fundjavave fluksi i pacientëve është edhe më i madh, duke arritur deri në 150 vizita ambulatore brenda 24 orëve. Ata shtojnë se aktualisht po dominojnë infeksionet, të cilat po qarkullojnë me intensitet të lartë mes fëmijëve dhe shpeshherë shoqërohen me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh dhe lodhje të përgjithshme.
“Për momentin kemi fluks të rritur të pacientëve, e pritshme për këtë periudhë. Numri i fëmijëve që kryejnë kontrolle ambulatore në klinikën tonë rritet. Diku për fundjavë numri arrin mbi 100 pacientë për 20 orë…Për momentin infeksionet virusal mbizotërojnë, edhe pse para nesh është sezoni i gripit”, deklalroi Elena Ginovskaq, mjeke.
Ndërkaq, aktualisht mbi 80 për qind e kapaciteteve të klinikës janë të mbushura me pacientë të shtruar, kryesisht fëmijë që po trajtohen për komplikime të shkaktuara nga infeksionet.
“Kapacitetet në lidhje me kontrollet ambulatore janë të kënaqshme, megjithatë edhe për fëmijët e shtruar në spital kemi numër të mjaftueshëm, për momentin diku 80-90 për qind janë të mbushur, pra janë të shutruar diku 60 fëmijë, që d.m.th ende ka kapacitete të lira që mund të pranojmë fëmijë që kërkojnë trajtim në spital”, tha Elena Ginovska, mjeke.
Mjekët apelojnë që gjatë kësaj periudhe prindërit të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave të para të sëmundjeve tek fëmijët, të shmangin vetë-mjekimin dhe në rast të simptomave më të rënda të drejtohen në kohë në institucionet shëndetësore për trajtim adekuat. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Bastisje në disa lokacione në Shkup, po kërkohen persona të dyshuar për fajde dhe pastrim parash!

Po zhvillohet aksion i madh policor në disa lokacione të Shkupit. Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit thonë se aksioni ka të bëjë me kapjen e personave që dyshohen për fajde dhe pastrim parash.
“Nën udhëheqjen e prokurorit të rastit nga Prokuroria Publike Themelore Për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit, njësitë e MPB-së po kryejnë bastisje në disa lokacione në Shkup. Bëhet fjalë për persona të dyshuar për të cilët ekziston dyshim bazë se kanë kryer veprën penale të fajdes dhe pastrimit të parave. Detaje të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit”, thonë nga Prokuroria.