Lajme nga bota
Shpërthen vullkani në Islandë, nisin menjëherë evakuimet

Vullkani Sunddhnúksgígar në Islandë ka shpërthyer, duke detyruar autoritetet të shpallin “alarmin e kuq” dhe të evakuojnë turistët nga zona.
Sipas Benedikt Ófeigsson, drejtor i matjeve të deformimeve, shenjat e para të shpërthimit u regjistruan pas aktivitetit sizmik nëntokësor. Aktualisht, autoritetet po punojnë për të evakuuar qytetin Grindavík, ndërsa magma ende nuk ka arritur në sipërfaqe.
Një nga vendet më të njohura turistike, hoteli luksoz Blue Lagoon, është evakuuar plotësisht, duke zhvendosur të gjithë vizitorët në hotele të tjera. Menaxherja e hotelit, Helga Árnadóttir, deklaroi se mysafirët u zgjuan dhe u larguan menjëherë sapo u bë e qartë se shpërthimi kishte filluar.
Autoritetet lëshuan alarmin e kuq rreth orës 6:00 të mëngjesit. Zyra Meteorologjike e Islandës raportoi ndryshime të dukshme në presionin e matjeve, duke treguar rrjedhje magme dhe një shpërthim të mundshëm.
Ekspertët kishin paralajmëruar më parë se një shpërthim në kraterin Sundhnúkur ishte shumë i mundshëm për shkak të akumulimit të magmës.
Lajme nga bota
BE pas Samitit Tramp-Putin: Ukrainës i nevojiten garanci për sovranitetin dhe integritetin

Këshilli Evropian ka publikuar një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik, Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministri polak, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Deklarata është lëshuar pas takimit ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin në Alaskë, nga i cili nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim apo paqe.
Në deklaratë thuhet se “liderët evropianë i mirëpresin përpjekjet e Trumpit për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ata theksojnë se, ashtu siç ka thënë vetë presidenti Trump, “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, dhe se hapi i ardhshëm duhet të jetë zhvillimi i bisedimeve të mëtejshme, me përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin Trumpi do ta takojë të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët evropianë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Trumpin dhe Zelenskyn drejt një samiti trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Ata kanë theksuar se Ukraina duhet të ketë garanci të forta dhe të pakundërshtueshme të sigurisë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial në mënyrë efektive.
Njëkohësisht në deklaratë janë mbështetur edhe komentet e mëhershme të Trumpit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.
Deklarata e Këshillit Evropian e ka qartësuar se nuk duhet të vendosen kurrfarë kufizimesh mbi forcat e armatosura të Ukrainës apo mbi aftësinë e saj për të bashkëpunuar me vendet e treta.
“Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi anëtarësimin e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian apo NATO-s. Ukraina është ajo që duhet të marrë vendime për territorin e saj, dhe kufijtë ndërkombëtarë nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen me force”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Më tej, deklarata ka ritheksuar se mbështetja ndaj Ukrainës do të vazhdojë.
“Shtetet evropiane janë të vendosura të bëjnë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë dhe të qëndrueshme, me synimin për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të ndërtuar një paqe që të jetë njëkohësisht e drejtë dhe afatgjatë. Për aq kohë sa vrasjet dhe luftimet në Ukrainë vazhdojnë, vendet evropiane shprehen të gatshme të vazhdojnë të mbajnë presionin mbi Rusinë”, thuhet më tutje.
Udhëheqësit evropianë do të vijojnë forcimin e sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike më të gjera, me qëllimin për të ushtruar më shumë trysni ndaj ekonomisë ruse të luftës, derisa të arrihet paqja e drejtë dhe e qëndrueshme.
Në fund, deklarata garanton se Ukraina mund të llogarisë në solidaritetin e palëkundur të Evropës, teksa të gjithë punojnë për një paqe që mbron interesat jetike të sigurisë së Ukrainës dhe të vetë kontinentit evropian.
Lajme nga bota
Takimi Zelensky-Trump në Berlin, dhoma e Kancelarisë gjermane ku askush s’mund të përgjojë

Në një nga zonat më të sigurta të Berlinit, në katin e katërt të Kancelarisë Federale Gjermane – të njohur nga vendasit si “lavatriçja federale” – u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump, përmes videokonference.
Takimi, i mbajtur më 13 gusht, u realizua në prani të disa udhëheqësve evropianë dhe u zhvillua në një ambient me siguri maksimale.
Ndërtesa e Kancelarisë ndodhet në zemër të Berlinit, në Willy-Brandt-Straße, përballë Bundestagut dhe pranë lumit Spree. E njohur për arkitekturën e saj moderne me dritare të mëdha dhe strukturë prej betoni të përforcuar, kjo ndërtesë qeveritare është një nga më të mëdhatë në botë dhe simbol i qeverisjes gjermane.
Kati i katërt, i quajtur ndryshe edhe “kati sekret”, është pjesa më e sigurt e Kancelarisë. Aty ndodhet Lagezentrum – “Qendra e Situatave” – ku mbahen takime të nivelit të lartë dhe ku diskutohen çështje të ndjeshme strategjike, kriza ndërkombëtare dhe vendime të mëdha politike. Kjo zonë ofron qasje të drejtpërdrejtë në zyrat kryesore dhe mjediset e pritjes, duke garantuar gjithashtu privatësi të plotë për delegacionet ndërkombëtare.
Në këtë dhomë zhvillohen çdo ditë takime të brendshme mes Kancelarit dhe përfaqësuesve të ministrive, shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë. Është gjithashtu vendi ku organizohen takimet më të ndjeshme diplomatike.
Një objekt i projektuar për qetësi dhe kontroll absolut
Kancelaria u projektua në vitet 1992–1998 nga arkitektët gjermanë Axel Schultes dhe Charlotte Frank, gjatë kohës kur Helmut Kohl ishte në detyrë. Ajo u hap zyrtarisht në vitin 2001 nga Gerhard Schröder. Ndërtesa përfaqëson qendrën ekzekutive të pushtetit në Gjermani dhe është krahasuar me Dhomën e Situatave (Situation Room) në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë në SHBA – me një dallim të rëndësishëm: ndërsa Dhoma e Situatave amerikane është shpesh në vëmendjen e mediave dhe e shfaqur në filma, “kati sekret” i Kancelarisë gjermane mbetet i rrethuar nga sekretet dhe diskrecioni absolut./TCH
Lajme nga bota
Çokollata virale e Dubait i dërgon 9 persona në spital në Kanada

Nëntë persona janë në spital me infeksione salmonele pasi kanë konsumuar marka të caktuara të fistikëve ose produkte që përmbajnë fistikë, duke përfshirë çokollatat virale të Dubai, ka njoftuar Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë.
PHAC gjithashtu ka postuar një njoftim për shëndetin publik duke thënë se një shpërthim i infeksioneve të salmonelës është duke vazhduar dhe po heton.
Sipas PHAC, shumë njerëz u sëmurën pasi thuhet se hëngrën ose fistikë ose produkte që përmbanin ushqimin.
Agjencia tha se gjithsej janë konfirmuar 52 raste të lidhura me infeksionin, gjë që ka bërë të ketë tërheqje të fistikëve nga tregu, shkruajnë mediat e huaja.
Ndryshe, infeksioni i salmonelës është një sëmundje bakteriale e transmetuar nga ushqimi që mund të prekë këdo që është i ekspozuar ndaj një produkti ushqimor të kontaminuar.
Njerëzit e infektuar mund ta përhapin atë te njerëzit e tjerë disa ditë deri në disa javë pas infeksionit, edhe nëse nuk kanë simptoma.
Simptomat mund të jenë të vështira për t’u identifikuar, kështu që nëse mendoni se e keni, ju inkurajoheni të flisni me një ofrues të kujdesit shëndetësor.
Infeksioni ka një gamë të gjerë simptomash, sipas PHAC, duke përfshirë të dridhura, ethe, të përziera, të vjella, dhimbje stomaku ose dhimbje koke të papritur.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve