Lajme nga vendi
VLEN: 2 Maji datë historike, shpallja e Zonës së lirë na përkujton sakrificiën për barazi e drejtësi
Çdo vit, më 2 Maj, banorët e fshatit Sllupçan dhe më gjerë përkujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të kësaj zone, ditën kur kjo zonë u shpallë e lirë pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, thonë nga VLEN. Kjo datë, shtojnë ata, përfaqëson jo vetëm fundin e një periudhe të vështirë për qytetarët, por edhe fillimin e një kapitulli të ri, të mbushur me shpresë, angazhim për paqe dhe përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm.
“Pas muajsh tensioni dhe sakrifice, 2 Maji u bë simbol i qëndresës dhe vendosmërisë për të jetuar me dinjitet në tokën e vet për secilin banor pa kurrfarë dallimi në përkatësi etnike apo fetare. Në këtë ditë, organizohen aktivitete përkujtimore, tubime popullore dhe homazhe për të nderuar ata që sakrifikuan për lirinë dhe të ardhmen e këtij vendi. Për shumëkënd, 2 Maji nuk është vetëm një ngjarje historike, por një moment reflektimi dhe bashkimi.
Data 2 Maj është më shumë se një përvjetor, është një amanet. Është dita që i rikujton brezave të rinj për gjakun e derdhur, për nënat që dhanë djemt e tyre për barazi e drejtësi, për dëshmorët që lanë pas emrin e tyre të shkruar në pllakatat e përjetësisë.
Sot, është një ditë kur dhembja kthehet në forcë, dhe kujtimi në angazhim për të mos harruar kurrë. Kjo zonë mbetet vendi ku historia flet, dhe ku 2 Maji vazhdon të jetë një datë e rëndësishme për gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

