Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska: Borxhi publik u ul për 4.7 p.p. vazhdojmë me konsolidimin fiskal dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike
Ministria e Financave publikoi të dhëna mbi nivelin e borxhit publik në fund të tremujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi publik shënoi rënie prej 4.7 p.p. krahasuar me nivelin në fund të vitit 2024 dhe arrin në 57.7% të PBB-së ose rënie për 36 milionë euro në vlerë absolute.
“Këto të dhëna janë konfirmim i drejtpërdrejtë i politikave që po zbatojmë dhe trajektores sipas së cilës po lëvizim. Borxhi publik prej 62.4% të PBB-së në fund të vitit 2024, ra në 57.7%, që është rezultat i masave që po ndërmarrim për konsolidimin fiskal, masave për uljen e shpenzimeve joproduktive, si dhe përpjekjeve për rritjen e aktivitetit ekonomik”, theksn ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo shton se qëllimi për t’u destinuar drejt deficitit më të ulët buxhetor, në përputhje me rregullat fiskale prej 3% dhe borxhit publik nën 60% të PBB-së është i arritshëm, vetëm se kjo kërkon shumë përkushtim dhe përpjekje në çdo aspekt, si në anën e inkasimit të të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Siç shtoi ministrja, ajo që është shumë e rëndësishme sa i përket Qeverisë është përkushtimi për realizimin e investimeve që do të sjellin norma më të larta të rritjes ekonomike, të cilat në periudhë afatgjate do të sjellin ulje të nivelit të borxhit”, thekson ministrja e Financave.
Qëllim kryesor i Ministrisë së Financave dhe Qeverisë është përmirësimi i menaxhimit të financave publike, si dhe ruajtja e nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale që do t’i mbështesin prioritetet ekonomike afatgjata.
Ministria e Financave gjithashtu njoftoi lidhur me nivelin e borxhit shtetëror në tremujorin e parë të vitit 2025, i cili arrin në 50.1% të PBB-së dhe shënoi rënie prej 3.7 p.p. në raport me nivelin e borxhit shtetëror të publikuar më 31 dhjetor të vitit 2024. Sipas të dhënave të publikuara, borxhi shtetëror në vlerë absolute arrin në 8,328.7 milionë euro, ndërsa borxhi publik arrin në 9,583.9 milionë euro.
Në tremujorin e parë, Qeveria, respektivisht Ministria e Financave realizoi pagesën e euroobligacionit në vlerë prej 500 milionë eurosh. Në këtë tremujor, u realizua gjithashtu pagesa e përgjithshme e detyrimeve bazuar në principalin e borxhit të jashtëm publik në vlerë prej 679.4 milionë eurosh, duke përfshirë edhe euroobligacionin.
Sipas dinamikës së përcaktuar, Ministria e Financave publikon nivelin e borxhit publik në nivel tremujor, ndërsa niveli i borxhit shtetëror publikohet në nivel mujor.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

