Lajme nga vendi
Toshkovski për ngjarjet me Arsovskën: Ajo që po sheh publiku maqedonas është një cirk dhe një paradë para zgjedhjeve lokale

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në lidhje me thirrjet e kryetares së Qytetit të Shkupit Danella Arsovska që autoritetet të marrin masa për ndërtimet pa leje në Çair, si dhe kërcënimet me jetë, thotë se MPB-ja dhe Prokuroria reagojnë për çdo kallëzim ndaj kujtdo. Për punën e kryetarëve të komunave për atë se çfarë lejohet dhe nuk lejohet të ndërtohet me ligj, ai thotë se është mirë që ta bëjnë këtë gjatë gjithë mandatit të tyre dhe jo vetëm para zgjedhjeve.
“Është mirë që secili në Maqedoni të bëjë punën për të cilën paguhet. Komunat duhet të kontrollojnë kompetencat e tyre në lidhje me atë që lejohet të ndërtohet me ligj, çfarë nuk lejohet të ndërtohet me ligj, është mirë që ta bëjnë këtë gjatë gjithë mandatit të tyre, është mirë që ta bëjnë këtë që nga fillimi kur emërohen në një pozicion të caktuar në vazhdimësi për 4 vjet sa zgjat mandati, është gjithashtu mirë që ta bëjnë këtë, dhe është mirë që qytetarët në fund të atij mandati të japin një vlerësim se si e kanë kryer punën e tyre në katër vitet e kaluara. Dhe është mirë që njëherë e përgjithmonë në Maqedoni secili që merr para nga buxheti të bëjë punën për të cilën paguhet”, tha Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Toshkovski theksoi se detyra e kryetarit të komunës dhe kryetarëve të tjerë është që të veprojnë sipas dispozitave të ligjit për ndërtim në pjesën e juridiksionit të tyre dhe të kontrollojnë se si po kryhet ndërtimi, çfarë po ndërtohet, a po ndërmerren veprime në përputhje me ligjin apo jo, dhe detyra e MPB-së është që të veprojë në përputhje me urdhrat e gjykatës ose të Prokurorisë publike që të mund të ndërmarrë veprime të duhura, me qëllim që siç tha, të kemi qasje jo selektive dhe më ndryshe në kuadër të zbatimit të ligjit.
“Nëse kërcënime serioze bëhen nga kushdo, ndaj kujtdo dhe denoncohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, konstatohet nevoja për të ndërmarrë veprime të caktuara në kompetencë të MPB-së, ju siguroj se do t’i marrim menjëherë. Ka procedurë për të përcaktuar nëse ka kërcënim serioz, si duhet të reagojë Ministria në mënyrë të duhur, si duhet të reagojë Prokuroria, si duhet të reagojë gjykata ndaj veprimeve të tilla që ndërmerren si veprime procedurale në të gjitha hapat”, tha Toshkovski.
Ai përsëriti se secili duhet ta bëjë punën që paguhet sipas ligjit dhe nëse është e mundur, theksoi ai, jo për hir të cirkut apo paradës.
“Ajo që po sheh publiku i Maqedonisë është ekskluzivisht cirk dhe paradë para zgjedhjeve lokale. Nëse do të kishte qenë brenda vitit të parë, do të ishte mirëseardhur dhe do të ishte vërtet e sinqertë, njerëzit e dinë këtë, këta njerëz e dinë kur diçka është e sinqertë dhe e dinë kur diçka është për hir të një cirku. Këtu nuk bëhet fjalë për dëshirën për të vendosur rregull në Maqedoni, këtu flasim për paradë dhe cirk, ndërsa MPB do të veprojë në kuadër të kompetencave të veta ashtu siç ka vepruar edhe më parë”, tha Toshkovski.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska dhe kryeministri Hristijan Mickoski këto ditë kanë shkëmbyer mesazhe përmes opinionit. Kryeministri pardje deklaroi se Prokurorisë duhet t’i lihet të veprojë sipas provave të dorëzuara dje nga kryetarja e Shkupit Arsovska lidhur me objektet ilegale të legalizuara në komunën e Çairit dhe e inkurajoi atë që të raportojë në MPB se po kërcënohet me jetë. Ndërkaq, Arsovska mëngjesin e sotëm përmes Fejsbuk-ut i është drejtuar kryeministrit duke e akuzuar se ka lejuar kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu të legalizojë objektet pa leje, duke thënë se nuk do të dorëzohet dhe as nuk do të largohet.
Lajme nga vendi
Deklarata për zgjedhje të drejta dhe demokratike në RMV nuk është nënshkruar vetëm nga “Levica”

Deklarata për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike e propozuar nga kryetari i Kuvendit, e cila do të jetë në rendin e ditës të seancës plenare të planifikuar për datën 12 të këtij muaji, nuk është nënshkruar vetëm nga grupi parlamentar i “Levica”, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është i kënaqur dhe shpreson që deklarata të arrijë te çdo deputet në mënyrë që të ketë zgjedhje lokale të drejta dhe demokratike. Deri më tani, siç thotë ai, nuk ka komente mbi Draft-deklaratën.
“Si Kuvend, po bëjmë gjithçka që mundemi që të kemi një betejë politike, jo incidente. Zgjedhjet janë treguesi më i mirë i demokracisë në një shoqëri. Pas kaq shumë vitesh pavarësie, është turp të flasim për incidente. Bëj thirrje për zgjedhje të drejta dhe demokratike dhe që të gjithë të mbajnë përgjegjësinë e tyre, tha Gashi në takimin e sotëm me gazetarët.
Përveç deklaratës, seanca plenare e datës 12 të këtij muaji do të përfshijë edhe pyetje deputetësh nga opozita.
Parlamenti ka kërkuar që Qeveria të ketë ministra të pranishëm në seancat e pyetjeve të deputetëve në mënyrë që të mund të përgjigjen.
Siç thotë Gashi, ai e diskutoi këtë me kryeministrin Mickoski, i cili u pajtua me kërkesën, duke theksuar se si kryeministër, me praninë e tij në seanca, ai jep shembullin që edhe ministrat duhet të marrin pjesë.
Përndryshe, zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.
Lajme nga vendi
RMV së shpejti në Asamblenë e OKB-së: “Jo në emrin tonë”, nisma për Palestinën me protestë para MPJ-së

Sot, më 9 shtator, në orën 18:00, nisma “Të gjithë për Palestinën” po organizon protestë përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme, në pritje të pjesëmarrjes së Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, transmeton Portalb.mk.
Nisma, në kuadër të këtyre ngjarjeve protestuese, po i bën thirrje publikut të nënshkruajë një peticion duke kërkuar që qeveria dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të Maqedonisë të votojnë në mbështetje të Palestinës gjatë kësaj asambleje.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut disa herë ka abstenuar në rezolutat që kërkojnë armëpushim në Gaza.
Në qershor vendi abstenoi në rezolutën për armëpushim të menjëhershëm dhe mbrojtje të civilëve në Gaza.
Edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar brenda një viti.
Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.
Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.
Lajme nga vendi
Shtrenjtohen çmimet e derivateve të naftës

Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) solli vendim, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht për 0,46 % në raport me vendimin e datës 01.09.2025.
Nga data 10.09.2025 nga ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
EUROSUPER BS – 95 76,00 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 78,00 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-Е V) 69,50 (denarë/litër)
Vaj për djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL -1) 69,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 37,148 (denarë/kilogram)
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS – 95 dhe EUROSUPER BS – 98 si dhe të EURODIZEL (D-E-V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për amvisëri (EL-1) rriten për 1,00 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë të Mazut M-1 SU ulet për 1,245 den/kg dhe tani do të jetë 37,148 den/kg. Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës që nga ora 00:01 e datës 10.09.2025.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve