Lajme nga vendi
Ribalanci i buxhetit në mbledhje të Qeverisë, paralajmërohen më shumë mjete për komunat dhe për paga më të larta
Në mbledhje të Qeverisë sot do të shqyrtohet ribalanci i Buxhetit, paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski, i cili u përgjigj në pyetje ku do të shkurtohet dhe ku do të ketë më shumë para me ribalancin e ri. Ai theksoi se në ribalancin e ri të buxhetit do të ketë më shumë para për komunat, paga më të mëdha, pensione, si dhe për shëndetësinë.
“Aty janë mjetet për ato projekte, të cilat janë në kuadër të njësive të vetëqeverisjeve lokale, mjete për më shumë subvencione, paga më të larta, pensione, etj, dhe shëndetësi. Por, pastaj të themi pas miratimit të Propozim-buxhetit në lexim të parë në kuadër të mbledhjes së qeverisë kjo supozoj do të sqarohet para mediave”, deklaroi Mickoski.
I pyetur për raportin e Entit Shtetëror të Statistikave në lidhje me bujqësinë, ku janë shënuar inpute më të mëdha dhe autpute më të mëdha dhe është pozitive për bujqit dhe çka mund të presin nga ribalanci i buxhetit, Mickoski u përgjigj se kjo është absolutisht e saktë, ka rritje të çmimeve ndaj blerësve dhe më shumë para për bujqit në investime të reja.
“Absolutisht kjo është e saktë dhe këtë e tregon Raporti i ri i Entit Shtetëror të Statistikave dhe kemi rritje dyshifrore të autputit, gjegjësisht rritje të çmimeve ndaj blerësve, që në përgjithësi shkon për eksport dhe do të thosha të parëndësishëm prej 1,2 për qind input të rritur, kjo në shpenzimet, në anën e shpenzimeve të bujqve dhe kjo është tashmë disa muaj dhe kjo është e shkëlqyer, parametër i shkëlqyer. Kjo nënkupton më shumë para për investime, më shumë para për bujqit”, tha Mickoski.
Sa i përket mbështetjes të cilën e jep Qeveria, kryeministri Mickoski theksoi se vitin e kaluar është dhënë mbështetje për bujqit më shumë se 8,6 miliardë denarë.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

