Lajme nga vendi
Reagim ASH (Taravari): Draft-ligji rrezikon manipulime me përkatësinë etnike
Aleanca për Shqiptarët: Draft-ligji rrezikon manipulime me përkatësinë etnike
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz lidhur me draft-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili po zbulohet pjesërisht në media, pa një proces transparent dhe pa konsultim gjithëpërfshirës me faktorët relevantë.
Bazuar në përmbajtjen e publikuar nga televizioni Alsat-M, konstatojmë së paku dy mangësi të rënda që rrezikojnë ta deformojnë qëllimin thelbësor të këtij ligji, siç është deklarimi vullnetar i përkatësisë etnike – një formulim që mund të hapë rrugë për keqpërdorime të mëdha dhe manipulime të përfaqësimit. E kemi parë tashmë në të kaluarën sesi ky mekanizëm është shfrytëzuar në mënyrë të dëmshme, duke cenuar realisht përfaqësimin e drejtë të komuniteteve. Për këtë arsye, përfaqësimi nuk mund të bazohet në supozime apo interpretime, por në të dhëna të verifikueshme dhe mekanizma të qartë ligjorë.
Po ashtu, ndodh edhe zhvlerësimi institucional përmes vonesës së akteve nënligjore. Draft-ligji parashikon që aktet nënligjore të miratohen vetëm brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të tij. Kjo krijon një zbrazëti të rrezikshme juridike dhe funksionale, duke i lënë institucionet pa udhëzime të qarta për zbatim, pikërisht në një kohë kur rekrutimet në administratë janë bërë armë e keqpërdorimeve politike dhe etnike.
Në rrethana kur qeveria aktuale po ndjek një linjë punësimesh selektive me karakter diskriminues ndaj shqiptarëve – duke i përdorur kontratat afatshkurtra si karrem elektoral dhe më pas i hedhur poshtë – këto zbrazëti dhe vonesa janë jo vetëm të papranueshme, por edhe të dëmshme për kohezionin ndëretnik dhe për besimin në institucionet publike.
Aleanca për Shqiptarët kërkon rishqyrtim të menjëhershëm të draft-ligjit, në funksion të përmirësimit të tij thelbëso, përfshirje të ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të komuniteteve në procesin e riformulimit, dërgimin e ligjit në Komisionin e Venecias vetëm pas një dakordësie të brendshme politike dhe institucionale, si dhe ndërprerjen e çdo taktike që favorizon punësime të njëanshme dhe partiake në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë.
Njëherazi, u bëjmë thirrje publike përfaqësuesve të VLEN-it që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëdije politike, duke mos pranuar pa rezerva çdo dokument të diktuar nga partnerët qeverisës – përfshirë kryeministrin Mickoski dhe eksponentë të linjës retrograde si Stojance Angelov, Maksim Dimitrievski dhe Ivan Stoilkovic.
Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj dhe as koncesion politik – ai është detyrim kushtetues dhe themel i funksionimit demokratik dhe bashkëjetesës ndëretnike. Ky parim nuk mund të realizohet përmes pazareve të mbyllura, por përmes një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe të ndërtuar mbi vlera të qarta demokratike dhe ligjore.
Aleanca për Shqiptarët
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

