Lajme nga vendi
Pas 30 vitesh, VLEN arriti zgjidhje ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ky ligj ngre në nivel juridik parimin kushtetues të përfaqësimit
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat tema aktuale në Maqedoninë e Veriut, shtrohet dilema se ky Ligj a mund të konsiderohet si sukses historik për barazi dhe integrim? Për të pasur përgjigjen e plotë e të saktë natyrshëm duhet të dimë përmbajtjen e këtij Ligji. Prandaj, në tekstin në vazhdim do të lexoni pikat kryesore e më të rëndësishme që i japin peshë dhe ndikim këtij Ligji të munguar me vite të tëra në këtë. E si pasojë e kësaj mungese në përdorim ishte një mekanizëm “mashtrues” i quajtur balancues që u mundësonte maqedonasve edhe ato pak vende të rezervuara për shqiptarët të punësohen jo shqiptarë me një deklaratë të rrejshme. Kësaj epoke mesa ngjanë i erdhi fundi, kjo periudhë do të mbetet në sirtarët e kujtesës së hidhur të këtij vendi, sepse tani mesa duket po vjen një Ligj që do të plotësojë gjithë ato mangësi të së kaluarës, shkruan Zhurnal.
Çfarë përmban konkretisht Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?
Miratimi i ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat (PDA) përbën një moment historik për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe një hap të shumëpritur drejt ndërtimit të një shteti më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe funksional. Ky ligj nuk është vetëm një akt formal legjislativ ai është shprehje konkrete e një vullneti politik për të garantuar pjesëmarrjen reale të të gjitha komuniteteve në jetën institucionale të vendit. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka analizuar pikat kryesore të propozim ligjit në fjalë, përmes të cilave pikave kuptohet rëndësia dhe ndikimi i ligjit në praktik.
1. Formimi i trupit koordinues qeveritar si një mekanizëm i ri për mbikëqyrje dhe llogaridhënie
Për herë të parë, ky ligj parasheh krijimin e një trupi koordinues qeveritar të specializuar për zbatimin e PDA-së, i cili do të ketë rol udhëheqës në mbikëqyrjen politike të proceseve të përfaqësimit, dhe që do të kryesohet nga dy zëvendëskryeministrat shqiptar, Izet Mexhiti dhe Arben Fetai. Ky mekanizëm institucional sjell një dimension të ri të përgjegjshmërisë shtetërore dhe monitorimit të drejtë të punësimeve dhe promovimeve në administratë.
Në këtë drejtim ky parametër i jep fund vakumit institucional në zbatimin e PDA-së, duke krijuar një urë të drejtpërdrejtë ndërmjet politikës dhe administratës, dhe garanton që vendimmarrja në këtë fushë të mos mbetet e shpërndarë apo e paadresuar.
2. Metodologjia e re për planifikimin e përfaqësimit
Përmes trupit të ri koordinues, qeveria sjell një metodologji të re për planifikimin dhe zbatimin e përfaqësimit adekuat, e cila do të jetë transparente, e matshme dhe në përputhje me realitetin demografik dhe institucionet ekzistuese. Ky mekanizëm i ri do të bazohet në planifikim të integruar ndërinstitucional, duke shmangur fragmentimin e mëparshëm dhe keqinterpretimet arbitrare.
Kjo metodologji e re krijon bazën për një qasje më shkencore dhe të qëndrueshme në vendimmarrje, duke u dhënë fund spekulimeve politike dhe diskriminimit të heshtur në procesin e punësimeve publike.
3. Gjuha në letërnjoftim dhe vetëdeklarimi si mënyrë e re e përcaktimit të përkatësisë etnike
Një nga risitë më progresive të këtij ligji është që përkatësia etnike e qytetarëve do të vërtetohet ndër të tjera përmes gjuhës së evidentuar në letërnjoftim, sipas ligjit për dokumente personale, si dhe me dëshmi të tjera materiale apo vetëdeklarim vullnetar. Për shqiptarët, kjo nënkupton përdorimin e gjuhës shqipe si kriter ligjor dhe të pakontestueshëm për njohjen e përkatësisë së tyre.
Pra, ky rregullim shmang kontestimet dhe manipulimet e së kaluarës dhe i jep qytetarit dinjitetin për të deklaruar lirshëm përkatësinë e vet, duke garantuar një të drejtë themelore pa ndikuar në privatësinë apo stigmatizimin etnik.
4. Supremacia e ligjit për PDA parasheh zbatim përfshirës dhe afat 6-mujor për harmonizim
Ligji i ri parashikon që çdo akt ligjor që prek direkt apo indirekt çështjet e përfaqësimit të komuniteteve të sillet në përputhje me këtë ligj brenda një afati prej 6 muajsh. Kjo e bën PDA-në në ligj suprem në fushën e barazisë etnike në administratë. Për më tepër, asnjë institucion nuk do të jetë më i përjashtuar nga zbatimi i këtij parimi, përfshirë institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes.
Kjo dispozitë i jep fund përjashtimeve të padrejta dhe selektive dhe e përfshin të gjithë aparatin shtetëror në përfaqësim të barabartë. Është një hap i madh për konsolidimin e barazisë reale dhe gjithëpërfshirjes në sistemin shtetëror.
Prandaj, ky ligj ngre në nivel juridik parimin kushtetues të përfaqësimit, duke zëvendësuar mekanizmin e mëparshëm të “Balancuesit”, i cili ishte shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Në vend të tij, vjen një strukturë ligjore moderne, funksionale dhe transparente që garanton përfaqësim jo vetëm numerik, por edhe cilësor, në të gjitha nivelet e administratës publike. Me këtë zgjidhje ligjore, shteti del nga kriza e mosfunksionimit dhe përçon mesazhin se barazia nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese që zbatohet në praktikë, në përputhje me standardet evropiane dhe ligjet anti-diskriminuese.
Kujtojmë që, ky ligj përfaqëson më shumë se një reformë teknike pasi është garanci politike dhe ligjore për ndërtimin e një shteti të barabartë për të gjithë. Në thelb të tij qëndron parimi i përfaqësimit të barabartë, pa cënuar profesionalizmin, meritokracinë dhe parimet e mosdiskriminimit, duke marrë parasysh realitetet demografike dhe vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, edhe lirshëm mund të konstatojmë se ky nuk është vetëm një ligj por është një kontratë e re sociale për barazi, përfaqësim dhe drejtësi. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
‘Fitonin’ 34 mijë euro me mallverzimeve gjatë shit-blerjes së veturave të konfiskuara
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I., B.G. në cilësinë e tyre si drejtues të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrjes publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregulloret e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës së prokurimit publik, me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë shkelur konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të shkatërruara – skrap metali, të organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Një person juridik u paraqit si konkurrent formal, dhe gjatë ankandit publik u paraqit një ofertë me një gabim teknik të qëllimshëm në një shumë monetare joreale, e cila i pengoi pjesëmarrësit e tjerë të vazhdonin më tej me ofertat.
Të pandehurit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, Përfitimit Pasuror dhe Objekteve të Sekuestruara në Procedurën Penale dhe Kundërvajtje, dhe bazuar në një akt nënligjor dhe mendim ligjor të përgatitur nga A.B., me vetëdije ndihmuan në zbatimin e kësaj skeme të dakorduar dhe mundësuan lidhjen e një marrëveshjeje për shitjen e automjeteve të sekuestruara të shkatërruara si skrap metali midis Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, të përfaqësuar nga F.A., dhe personit juridik të menaxhuar nga N.I., gjë që i mundësoi personit juridik të fitonte përfitim pasuror të paligjshëm në shumën prej 2.128.352 denarë.
Lajme nga vendi
Siljanovska: Balancuesi krijoi pushtet të korruptuar, ligjet duhet të miratohen me procedurë të rregullt
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot deklaroi se heqja e balancuesit ishte e domosdoshme për shkak të rreziqeve korruptuese që i ka krijuar, duke theksuar njëkohësisht se çështjet e shtetësisi jorezidente, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe politikat energjetike janë komplekse dhe duhet të zgjidhen përmes parimeve kushtetuese, debatit publik dhe respektimit të standarE madhee njerëzore dhe ekologjike.
Në një deklaratë për mediat pas hapjes së “Fundjavës për pastrim të përgjithshëm”, presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi se i a.q. balancuesi, në formatin që ka ekzistuar, në thelb çoi në korrupsion dhe kriminalizim.
Në lidhje me çështjen për shtetësinë jorezidente, ajo u përgjigj se zgjidhja duhet të miratohet përmes argumenteve.
“Çështja është komplekse. Ka vende ku ekziston shtetësia e dyfishtë, ka vende ku nuk ekziston. Sot të gjithë po përballemi me një eksod dhe mungesë të fuqisë punëtore, dhe po flasim për qenie njerëzore që kanë edhe të drejtën e jetës”, tha presidentja, duke shtuar se zgjidhjet duhet të merren pas një debati të gjerë publik dhe duke peshuar argumentet “pro” dhe “kundër”.
Lidhur me pritjet e saj për marrëdhëniet me qeverinë e re të Bullgarisë, Siljanovska Davkova deklaroi se pritjet duhet të drejtohen nga qeveria e re bullgare dhe kryeministri Rumen Radev, duke theksuar se populli bullgar pret stabilitet, reforma dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Lidhur me kërkesat e organizatave joqeveritare për të vënë veton ndaj Ligjit për Burimet Minerale, presidentja theksoi se ato kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe meritojnë, siç e tha ajo, një “vend të gjelbër” në parlament.
Sipas saj, garancitë për mbrojtjen e mjedisit nuk përmbahen në këto ligje.
“Ato ligje, nëse keni parasysh Ligjin për burimet minerale, merren kryesisht me çështjet e energjisë. Ne kemi Kushtetutë, kemi edhe Ligj për mbrojtjen e mjedisit – ky është çelësi i qëndrimit ndaj këtyre ligjeve”, shtoi Siljanovska Davkova.
Ajo theksoi se shteti duhet të përgatitet njëkohësisht për sfidat e ardhshme energjetike dhe të kujdeset për natyrën.
Lajme nga vendi
KONGRESI I VLEN – QYTETARËT MIRËPRESIN BASHKIMIN!
Për ditë me radhë koalicioni VLEN ka ngritur intensitetit e aktivitetit publik duke paralajmëruër Kongresin e Bashkimit.
Sipas tyre e shtuna, do të kurorëzojë përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Koalicioni VLEN, nesër më 9 Maj – në Ditën e Evropës, do të mbajë Kongresin e bashkimit, ku 5 subjekte politike formalisht duhet të miratojnë vendimin për të vepruar si subjekt i vetëm politik në kuadër të bllokut politik shqiptar në vend. Në prag të Kongresit, VLEN doli me mesazhin se procesi i bashkimit ka qenë i gjatë dhe përplot me sfida politike, dyshime dhe tentativa për të parandaluar këtë process. Sipas VLEN-it, ky bashkim ka peshë historike dhe se ky është premtimi që VLEN ua dha shqiptarëve. Por, si e shohin qytetarët, këtë Kongres dhe këtë bashkim të VLEN-it?
“Çdo bashkim është i mirë. Madje unë kisha thënë se që të bashkohen të gjitha partitë”
“Edhe atë gajle do ia mbajë VLEN-it, unë jam plak”
“Më mirë me u bashkuar”
“Më mirë është. Deri tani Bilall Kasami ka punuar mirë. Jam i gëzuar”
“Mendoj se është mirë. Bilall Kasami duhet të jetë Kryetar”
“Është më mirë për shqiptarët. Cili të jetë Kryetar vet le ta vlerësojnë”
“Normalisht se është mirë. Sa më të bashkuar aq më mirë. Vet si do të vendosin organmet partiake, mendoj se Izeti do të ishte më mirë”
Pas Kongresit, VLEN, si pjesë e Qeverisë, do të duhet të përballet me shumë sfida që prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Situata ekonomike, migrimi i të rinjve, pozita e shqiptarëve, gjuha shqipe, eurointegrimet evropiane e shumë çështje tjera duhet që nga premtimet të shndërrohen në rezultate të prekshme./Tv Koha/

