Lajme nga vendi
VLEN: “One Stop Shop“ në Tabanoc, një lehtësim për mërgatën që vlen
Koalicioni VLEN në një postim në Facebook thanë se: Në prag të sezonit të pushimeve verore, përshëndesim miratimin e ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Tabanocës. Kjo nismë përfaqëson një përparim të rëndësishëm në modernizimin dhe përmirësimin e procedurave kufitare për qytetarët tanë, sidomos për mërgatën, që për dekada është përballur me pritje të gjata dhe vështirësi të shumta në kalimin e kufirit.
Pas përvojës së suksesshme në pikat kufitare të Bllacës dhe Jazhincës, shtrirja e këtij modeli në Tabanoc është dëshmi e angazhimit të qeverisjes për të sjellë efikasitet dhe trajtim dinjitoz në raport me qytetarët, duke e kthyer kalimin në kufi nga një proces i lodhshëm në një procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë.
Shteti dhe institucionet kanë detyrë t’i shërbejnë qytetarëve, jo t’i vështirësojnë jetën me burokraci dhe pritje të panevojshme.
VLEN, si forcë politike që ka promovuar këtë reformë, është i përkushtuar të përmirësojë vazhdimisht cilësinë e shërbimeve publike dhe të rikthejë besimin e qytetarëve në shtet.
Modeli “One Stop Shop” është më shumë se një procedurë e thjeshtë administrative. Ky model përfaqëson një vizion të ri të administratës, që i jep qytetarit respektin dhe vlerën që meriton, veçanërisht mërgatës sonë, e cila luan rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
VLEN do të vazhdojë me përkushtim rrugën e reformave konkrete, që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke synuar një shtet të drejtë, transparent dhe me shërbime cilësore.
I urojmë mirëseardhjen mërgatës në vendlindje dhe jemi të vendosur që kalimi i kufirit të jetë më i lehtë, më i shpejtë dhe me dinjitet.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

