Lajme nga vendi
Izet Mexhiti nuk e përjashton mundësinë të kandidojë për kryetar të Komunës së Çairit.
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka deklaruar në emisionin “24 Analiza” se nuk përjashton mundësinë për të kandiduar sërish për kryetar të Komunës së Çairit, një post që e ka mbajtur më parë me sukses për disa mandate.
Mexhiti theksoi se aktualisht janë duke u zhvilluar anketa të brendshme në kuadër të partisë së tij për të testuar potencialin elektoral të kandidatëve të ndryshëm. Sipas tij, këto analiza do të ndihmojnë në përzgjedhjen e kandidatëve më të denjë dhe më të pranueshëm për qytetarët në secilën komunë ku opozita shqiptare synon të garojë.
“Ne nuk kemi frikë. Jemi të fokusuar te zgjedhjet lokale, te një program i mirë dhe kandidatët e duhur. Këto zgjedhje do të jenë një konfirmim i fitores së arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku opozita shqiptare mori mbi 107.000 vota. Ky është një moment historik për opozitën shqiptare”, u shpreh Mexhiti, transmeton Zhurnal.mk.
Duke folur për përgatitjet për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen në vitin 2025, Mexhiti tregoi ambicie të qarta për të fituar shumicën e komunave me shumicë shqiptare. Ai përmendi veçanërisht komunat kyçe si Tetova, Çairi, Gostivari, Dibra dhe Struga, si zona ku opozita shqiptare ka gjasa të larta për fitore.
“Gara reale zhvillohet në 17 komuna shqiptare dhe ne presim të fitojmë në shumicën prej tyre. Kemi terren të favorshëm, përkrahje qytetare dhe struktura të konsoliduara. Po analizojmë terrenin dhe në bazë të të dhënave do të marrim vendime strategjike për kandidaturat”, shtoi Mexhiti.
Në lidhje me marrëdhëniet me partnerët qeveritarë dhe mundësinë e bashkëpunimeve elektorale, ai ishte i qartë: nuk do të ketë negociata për mbështetje në rrethin e parë, ndërsa bashkëpunimi eventual do të shqyrtohet vetëm në rrethin e dytë të zgjedhjeve.
“BDI dëshiron ta kandidojë Bujar Osmanin për Çair dhe atyre u është e qartë se kandidat tjetër nuk është në lojë. Për ne është me rëndësi ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza dhe nuk e përjashtoj opsionin që të kandidoj për kryetar të Çairit”, deklaroi ai, duke nënvizuar vendosmërinë për të mos lejuar humbjen e kësaj komune strategjike.
Përparësia e Mexhitit në Çair dhe bilanci elektoral
Izet Mexhiti gëzon një profil të lartë në komunën e Çairit dhe konsiderohet si një ndër politikanët më me ndikim në këtë zonë. Krahasuar me Bujar Osmanin, që përflitet si kandidat i BDI-së për këtë komunë, Mexhiti ka një përparësi të dukshme në perceptimin publik dhe në besueshmërinë elektorale.
Që nga hyrja e tij në politikë, Mexhiti nuk ka pësuar asnjë humbje në asnjë cikël zgjedhor, gjë që e bën atë një nga figurat më të qëndrueshme dhe të suksesshme në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Përvoja e tij si ish-kryetar i Çairit dhe si drejtues qeveritar e bën një kandidat të fortë dhe të besueshëm për sërish marrjen e drejtimit të kësaj komune me rëndësi simbolike dhe strategjike.
Në një klimë të polarizuar politike, ku partitë shqiptare po përballen me sfida të mëdha përfaqësimi, kandidatura e Izet Mexhitit do të shihej jo vetëm si një test i fuqisë së opozitës shqiptare, por edhe si një përballje e drejtpërdrejtë midis dy vizioneve politike për Çairin dhe për shqiptarët në përgjithësi.
Në muajt në vijim, vendimet për kandidaturat dhe strategjitë elektorale pritet të qartësohen më tej, por një gjë është e sigurt: Çairi do të jetë një ndër betejat më të ashpra politike në zgjedhjet lokale të ardhshme, shkruan Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria
Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.
Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.
Lajme nga vendi
LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare
Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.
Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
-
Lajme nga rajoni2 months agoFilloi në Hagë seanca për deklaratat përfundimtare ndaj Thaçit dhe të tjerëve
-
Lajme nga rajoni2 months agoKa ndërruar jetë Flora Brovina, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe shoqërore në Kosovë
-
Lajme nga rajoni2 months agoThaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim, Veseli 18 e Selimi 13

