Lajme nga vendi
Limani apelon: Bëhu pjesë e skuadrës së zjarrfikësve, ndihma sociale ruhet, përfitimet shtohen!
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka bërë një apel publik drejtuar të gjithë shfrytëzuesve të ndihmës sociale dhe personave të papunë të evidentuar si kërkues aktivë të punës, që të aplikojnë në masën 6.2 të programit të punës publike, e cila ka për qëllim mbrojtjen nga zjarret dhe pyllëzimin.
Kjo thirrje publike parasheh angazhimin e 400 zjarrfikësve në të gjithë shtetin, ndërsa afati i fundit për aplikim është 23 korrik 2025.
Sipas ministrit Limani, përfshirja në këtë masë nuk e anulon të drejtën për ndihmë sociale, por përkundrazi, sjell të ardhura shtesë, përvojë pune, trajnim dhe certifikim profesional, si dhe përfshirje aktive në mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Përfitimet nga masa përfshijnë: Pagesë mujore prej 24.000 denarësh. Sigurim në rast lëndimi në punë dhe sëmundje profesionale. Trajnim profesional për mbrojtje nga zjarret dhe pyllëzim. Certifikatë për njohuritë e fituara. Kontribut real në ruajtjen e natyrës dhe mjedisit.
Aplikimi bëhet në Qendrat për Punësim, çdo ditë pune prej orës 08:00 deri në 15:00, ndërsa më shumë informata mund të gjenden edhe në ueb-faqet e komunave përkatëse. “Mos e humbni këtë mundësi që sjell përfitime të dyfishta: ruani të drejtën për ndihmë sociale dhe fitoni të ardhura shtesë, përvojë dhe dinjitet”, theksoi ministri Limani në apelin e tij.
Lajme nga vendi
“Vërshimet”, Tetova, Gostivari e Zhelina formojnë komisione për vlerësimin e dëmeve
Dhjetëra shtëpi të vërshuara, oborre të kthyera në liqene, por edhe rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dheu në disa vende. Ky është bilanci nga reshjet e dendura të shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati në rajonin e Pollogut. Komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Zhelinës kanë filluar me formimin e komisioneve për vlerësim dhe evidentim të dëmeve, e në disa pika, edhe dislokim të banorëve nga objektet e banimit, si pasojë e rrezikut nga përmbytjet.
“Aktualisht po realizohen analiza të detajuara të rrezikshmërisë me qëllim që banorët e zonave ku siguria është cenuar, të zhvendosen në hapësira më të sigurta, dhe paralelisht po bëhet edhe evidentimi i objekteve të rrezikuara për të vërtetuar edhe statusin e tyre juridik. Sa i përket infrastrukturës rrugore, në rrugën e Banjës janë evidentuar rrëshqitje të mëdha të dheut dhe ekipet e komunës kanë ndërhyrë menjëherë për pastrim dhe normalizim të qarkullimit. Ndërhyrje janë realizuar edhe në Gjermë ku situata është më kritike”, tha Besarta Ramdani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
“Zonat më të prekura në Komunën e Gostivarit kanë qenë, fshati Forinë, fshati Llakavicë, fshati Turçan i Vogël dhe disa lagje të qytetit, por ne si komunë, kemi bashkëpunuar me banorët dhe nga gjitha të dhënat që përmendëm më kritike ka qenë Forina. Për vlerësimin e dëmit, tani do formojmë një komision dhe do dalim në terren për të vlerësuar dëmet në fshatin Forinë dhe banorëve që janë prekur nga vërshimet”, u shpreh Safet Asani, komisioni për mbrojtje dhe shpëtim Komuna e Gostivarit.
Zona e fundit ku pati përmbytje një ditë më parë ishte fshati Strimnicë.
“Në këtë lagje afërsisht 12 shtëpi kanë dëme materiale që iu ka hy uji nëpër bodrume. Ne si ekipe e komunës ishim afër qytetarëve dhe u ndihmuam sa mundëm, andaj shpresoj që Ministria e Ekologjisë dhe institucionet më lartë të marrin masa që ky problem të përfundoj”, deklaroi Suad Alili, Ndërmarrja Publike Komuna e Zhelinës.
Sipas udhëheqësve të komunave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim përmbytjet janë si pasojë e mos pastrimit në kohë të shtretërve të lumenjve, dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave nëpër lumenj. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Kosova, 18 vjet shtet i pavarur, krerë shtetesh urojnë Kosovën
Lajme nga vendi
Badinteri në Kushtetuese, Kostadinovski: S’jemi organ politik

