Lajme nga vendi
Azir Aliu: 155 punonjës të Spitalit Klinik të Tetovës do të marrin kontrata të përhershme, kjo punë ka përfunduar
“155 personat të punësuar me kontrata në Spitalin e Tetovës, do të marrin kontrata të përhershme dhe procedura është e përfunduar”. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, pasi Fondi për Sigurim Shëndetësorë nuk e ka aprovuar vendimin që ata të mbetën në pun. Aliu nuk u përmbajt aspak edhe ndaj akuzave të BDI-së dhe të ish partisë së tij ndaj tij.
“Ata çfarë kanë, rrinë të fshehur nëpër qoshe, pas tastierave, duke përhapur gënjeshtra për të mbuluar gjithë zullumet dhe turpet që i bën veçanërisht në shëndetësi. I dëgjuat trillimet 155 persona nga Tetova, gjoja nuk do të punësohen, turp, turp madje për standardet e tyre të gënjeshtrave turpi i madh. Është një teatër i madh, por poena të lira politike mbi supet e njerëzve, që prej vitesh jetonin në pa siguri dhe me shantazh, prandaj e themi sot qartë 155 punonjës në Spitalin Klinik të Tetovës, do të marrin kontrata të përhershme, pikë. Procedura është e përfunduar, kemi dhënë fund një agonie që ata e krijuan dhe ushqyen me rradhë. Ky problem zgjatë me vite, sepse BDI ishte me dekada në pushtet dhe kur nuk u mundua të zgjidhte problem, madje kur edhe Arben Taravari ishte një vit ministër nuk bëri asgjë, vetëm rrinte dhe shikonte se si këta njerëz po poshtëroheshin me kontrata të përkohshme dhe jetonin në pasiguri”, ka deklaruar ministri Azir Aliu, raporton SHENJA.
Lajme nga vendi
Zjarri dhe tymi që ngulfati Shkupin, akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve toksike në Vizbegovë
Tre pronarë dhe menaxherë kompanish do të përgjigjen për ndotje serioze në Vizbegovë të Shkupit, pasi prokuroria ngriti akuza për magazinim të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme që çoi në një zjarr të madh dhe ndotje masive të ajrit.
Sipas aktakuzës, nga fundi i shkurtit deri në fillim të korrikut të vitit të kaluar, të pandehurit ruajtën dhe menaxhuan mbetje të rrezikshme në një parcelë toke në Vizbegovë pa leje. Këto janë materiale me veti shpërthyese, të ndezshme dhe toksike, si dhe substanca që mund të jenë kancerogjene dhe të dëmshme për mjedisin.
Më 9 korrik 2025, në vend shpërtheu një zjarr, i cili, për shkak të shkallës dhe rrezikut të tij, nuk mund të vihej menjëherë nën kontroll. Një pjesë e mbetjeve u dogj, duke lëshuar tym të zi të trashë në ajër. Matjet nga shërbimet kompetente konfirmuan ndotje të konsiderueshme.
Prokuroria deklaron se veprime të tilla krijuan një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
Përgjegjësia i takon menaxherit dhe pronarit të kompanisë, i cili, së bashku me një person tjetër, mori pjesë aktive në operacionin e paligjshëm. Janë ngritur akuza edhe kundër një pronari tjetër të kompanisë dhe të truallit, i cili, sipas prokurorisë, duhet të kishte qenë në dijeni të rreziqeve që paraqiste ruajtja e mbetjeve të tilla.
Të pandehurit akuzohen për krimin e rrezikimit të mjedisit dhe natyrës me mbetje.
Lajme nga vendi
“GOCA E KAÇANIKUT”: SHKUPI SKENË E KULTURËS SHQIPTARE!
Për nder të Pavarësisë së Kosovës, mbrëmë në Shkup, në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar, u dha premierë opera “Goca e Kaçanikut” opera e parë kosovare e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, duke u shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore dhe thellësisht emocionale.
“Goca e Kaçanikut” u prit me interes të madh nga publiku, duke dëshmuar se arti mbetet një nga mënyrat më të forta për ta ruajtur dhe për ta përcjellë historinë tonë.
Kjo premierë në Shkup ishte edhe një dëshmi e lidhjes së gjallë kulturore mes shqiptarëve si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve artistike.
Salla u mbush me emocion, ndërsa publiku ndoqi një vepër që nuk ishte thjesht art, por një rrëfim i gjallë për historinë, qëndresën dhe identitetin kombëtar.
“Goca e Kaçanikut” solli në skenë frymën e Kaçanikut dhe jetën e shqiptarëve ndër breza, duke e kthyer muzikën në kujtesë kolektive dhe skenën në një dëshmi të gjallë të asaj që jemi dhe çfarë kemi kaluar.
Lajme nga vendi
Ekskluzive: Qeveria formon grup pune për provimin e jurispudencës në gjuhën shqipe
Agjencia e lajmeve INA mëson se mbrëmë në Qeveri ka pasur takim të përfaqësuesve të studentëve të peticionit për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe me Kryeministrin Mickoski dhe Zëvendës-Kryeministrin Sali ku mes tjerash është rënë dakord që të formohet një grup pune i ekspertëve të së drejtës kushtetuese për hartimin e zgjidhjes juridike të kësaj çështjeje.
INA ekskluzivisht i mëson dy emrat e profesorëve që do të jenë pjesë e këtij grupi të punës: Jeton Shasivari profesor i së drejtës kushtetuese në UEJL dhe Denis Preshova profesor i së drejtës kushtetuese në UKIM.
Përndryshe profesor Shasivari njihet në opinion si “thyes i barrierave gjuhësore” sepse siç kemi raportuar më herët, në shtator të vitit të kaluar e “theu akullin” para Gjykatës Kushtetuese duke folur për herë të parë në histori plotësisht në gjuhën shqipe duke treguar se shqipja e ka vendin e merituar para gardianit të kushtetutës.
Kujtojmë se më parë, politikani si Talat Xhaferi kishte filluar fjalimin shqip në këtë institucion, por për mungesë të përkthimit kishte vazhduar në maqedonisht.

