Lajme nga vendi
MASH: Janë shpallur konkurset për bursa, mbështetje për 7880 nxënës dhe studentë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur konkursеt për bursa për nxënësit dhe
studentët për vitin shkollor dhe akademik 2025/2026. Numri më i madh i bursave
është i dedikuar për mbështetjen e nxënësve të regjistruar në drejtimet duale në
arsimin e mesëm profesional – 1570 bursa. Për nxënësit në shkollat profesionale që
ndjekin programe me kohëzgjatje trevjeçare janë parashikuar 150 bursa.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë edhe 300 bursa për nxënës të
shkollave të mesme të regjistruar në programe mësimore nga fushat: hotelieri dhe
turizëm, pylltari dhe përpunim i drurit, ndërtimtari dhe gjeodezi, bujqësi–peshkatari
dhe veterineri, makineri, tekstil dhe lëkurë, ndërsa 180 bursa do të jenë mbështetje
për nxënës me nevoja të veçanta ndërsa 50 për nxënës – fëmijë pa prindër.
Për nxënësit e talentuar janë dedikuar 150 bursa, po aq edhe për nxënësit e
talentuar – sportistë, ndërsa nxënësit e talentuar të arsimit të mesëm nga fusha e
arteve mund të aplikojnë për 50 bursa.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë gjithashtu 900 bursa për mbështetje
sociale për nxënësit e shkollave të mesme publike, si dhe 1200 bursa për nxënësit
romë të regjistruar në shkollat e mesme publike dhe private.
Edhe studentët mund të aplikojnë për kategori të ndryshme të bursave.
Për studentët nga kategoria sociale janë parashikuar 1.470 bursa. Për studentët që
kanë arritur sukses të lartë gjatë studimeve, nga fushat shkencore të shkencave
matematiko-natyrore, tekniko-teknologjike, bioteknike, mjekësore, shoqërore dhe
humanitare, janë parashikuar 770 bursa, ndërsa për studentët e informatikës janë
parashikuar veçmas 85 bursa.
Nga 15 bursa u ndahen studentëve të regjistruar në programe studimore për gjuhë
maqedonase, letërsi maqedonase dhe letërsi sllave të jugut, studentëve të
programeve studimore për histori të artit, arkeologjisë, artit figurativ dhe etnologjisë e
antropologjisë, si dhe studentëve të programit studimor për përkthim dhe interpretim
nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Për studentët e regjistruar në programet studimore nga fushat shkencore të
shkencave matematiko-natyrore, tekniko-teknologjike, bioteknike dhe/ose shkencave
mjekësore, të cilët kanë arritur sukses mesatar nga viti i parë deri tek viti vijues i
studimeve të regjistruara më së paku 7.50 janë paraparë gjithsej 500 bursa. Gjithsej
130 bursa do t’i shfryëzojnë studentët të cilët kanë arritur sukses mesatar nga viti i
parë deri tek viti vijues i studimeve të regjistruara prej së paku 7.00 sukses mesatar,
ndërsa janë të regjistruar në programet studimore për kimi, fizikë dhe matematikë,
përkatësisht sukses 8.00 për studentët e regjistruar në programet studimore nga
fusha e shkencave bujqësore, veterinere dhe të pylltarisë.
Për studentët e programeve studimore për kuadër mësimor në edukimin
parashkollor, arsimin fillor dhe të mesëm janë të dedikuar 30 bursa për studentët të
cilat janë të regjistruar në vitin e parë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë gjithsej 150 bursa për studentët e
rregullt rom. Të gjitha konkurset janë të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së
Arsimit dhe Shkencës.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

