Lajme nga vendi
Ahmeti prezanton logon e Aleancës Kombëtare për Integrim: Kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimit europian
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka prezantuar logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim. Ahmeti shkruan se nevojitet bashkim mes të gjithë shqiptarëve. Sipas tij kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimi evropian.
“Me logon e re të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) hyjmë të bashkuar në zgjedhjet e tetorit.
Jetojmë në kohë jo të lehta dhe ne shqiptarët respektohemi gjithnjë e më pak nga qeveria aktuale, e cila nuk ka legjitimitet etnik shqiptar. Por edhe pse kohët janë të vështira, ne në BDI nuk e harrojmë kurrë destinacionin europian ku duam të arrijmë. Sot nevojitet bashkim, më së pari mes gjithë shqiptarëve, që duhet të bëhen bashkë për njëri-tjetrin, por edhe mes të gjithë atyre që nuk dorëzohen lehtë dhe që besojnë se në vendin tonë mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
E teksa bashkohemi, të mos harrojmë mësimet e së kaluarës së hidhur dhe ta mbajmë gjithmonë në mendje se e ardhmja jonë është integrimi në familjen e madhe europiane.
Kjo është besëlidhja e fitores, e besimit dhe e integrimit europian.
Duart e bashkuara janë mesazhi ynë: vetëm së bashku ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, ka shkruar Ahmeti.
Lajme nga vendi
Sindikatat sot protestojnë në Shkup, kërkojnë rritje të pagës minimale
Rritje e pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha rrogave tjera nga 100 euro. Kjo është kërkesa kryesore për të cilën sot do të protestojë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, sindikalistët kanë paralajmëruar bllokada të institucioneve, por nuk përjashtojnë as grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov bëri apel që të mos u nënshtrohen kërcënimeve, ndërsa se kërcënime ka marrë edhe ai vetë.
Kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se çdokush ka të drejtë të protestojë, ndërsa e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se paga minimale sipas ligjit do të rritet në mars.
Protesta do të fillojë në ora 17:00 para ndërtesës së LSM-së në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë së Maqedonisë.
Protestës do t’i bashkohen edhe Sindikatat nga arsimi, kultura, , industria, policia, administrata, tregtia etj. Protestën do ta përkrahë edhe Sindikata e Gazetarëve.
Lajme nga vendi
Kapen 5 kg marihuanë në Shkup, arrestohet një 36-vjeçar
Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, më 27.01.2026, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër N.A. (36) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim i paautorizuar dhe vënie në qarkullim e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Më 26.01.2026, në bulevardin “Ilinden” në Shkup, gjatë kontrollit të një automjeti të tipit “Audi”, me targa të Shkupit, i drejtuar nga N.A., zyrtarët policorë kanë gjetur dy çanta udhëtimi që përmbanin marihuanë.
Sipas hetimeve, N.A. e kishte siguruar drogën me qëllim të shitjes së mëtejshme te persona në territorin e qytetit të Shkupit. Ai është privuar nga liria, ndërsa pas ekspertizës është konstatuar se sasia totale e marihuanës së gjetur ishte 4.999,2 gramë.
I dyshuari është nxjerrë para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Lajme nga vendi
KShZ-në në të ardhmen do ta drejtoj Bojan Mariq
Me shumicë prej dy të tretash, Kuvendi sot zgjodhi përbërjen e re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Nga 92 deputetë të pranishëm, 83 votuan “pro” që ish-ministri Bojan Mariçiq të bëhet kryetar i ri i KSHZ-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Përveç tij, Abdush Demiri u zgjodh nënkryetar i KSHZ-së, ndërsa Aleksandar Dashtevski, Svetlana Karapetrova, Boris Kondarko, Angelçe Ristov dhe Ditmire Shehu u zgjodhën anëtarë të KSHZ-së.
Për këto pozicione aplikuan 16 kandidatë, por shumica prej tyre juristë, por edhe inxhinier elektrik dhe defektolog.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve përbëhet nga shtatë anëtarë (një kryetar, një nënkryetar dhe pesë anëtarë të tjerë).
Anëtarët e KSHZ-së mund të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë me vendbanim të përhershëm në vend, të jenë të diplomuar në drejtësi me të paktën tetë vjet përvojë pune si avokatë dhe të mos jenë anëtarë të një organi të partisë politike.

