Lajme nga vendi
VLEN: Bujar Osmani gënjeu para qytetarëve për takimet e tij me Nikolla Gruevskin
 
																								
												
												
											Koalicioni VLEN ka akuzuar sot Bujar Osmanin, duke pretenduar se ai është takuar në mënyrë private me ish-kryeministrin e arratisur Nikolla Gruevski në Budapest. Sipas njoftimit, Osmani ka qenë atje me familjen e tij, por edhe ka zhvilluar një takim sekret me Gruevskin.
VLEN thekson se përpjekjet e Osmanit për të mohuar takimin, duke u fshehur pas “informacioneve të klasifikuara” dhe mohim në rrjetet sociale, dëshmojnë dyfytyrësinë e tij. VLEN paralajmëron se dëshmitë për këtë takim do të dalin së shpejti para opinionit.
Gjithashtu, MPB dyshohet se po heton përfshirjen e BDI-së në arratisjen e Gruevskit, duke përmendur edhe automjetin e Ali Ahmetit si pjesë të hetimeve.
Sipas VLEN, Bujar Osmani dhe BDI janë bashkëpunëtorë të afërt të Gruevskit dhe rrjetit të tij, duke mbajtur një rol të rëndësishëm në këtë çështje.
Lajme nga vendi
Arben Fetai godet politikën e vjetër: ‘Dy dekada makiavelizëm për pushtet, koha e VLEN ka ardhur’
 
														Zëvendëskryeministri dhe një nga Lideret e VLEN, Arben Fetai ka reaguar me një postim të fortë ndaj politikës së vjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se për dy dekada të njëjtët njerëz kanë justifikuar çdo padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe kanë mbjellë politikë makiaveliste me synim të vetëm pushtetin.
“Për 20 vite, të njëjtët njerëz që çdo keqbërje ndaj shqiptarëve e justifikonin me ‘ku të shkojmë’, vazhdojnë të mbjellin politikë makiaveliste. Me çdo formë, me çdo mjet propagandistik, synojnë vetëm një gjë – pushtetin. Sepse vetëm ashtu dinë të jetojnë”, shkruan Fetai.
Ai kujtoi edhe periudhën e negociatave të paszgjedhjeve të kaluara, duke përmendur emra konkretë nga BDI-ja.
“E kujtojmë mirë kohën kur kryenegociatori i BDI-së, Fatmir Besimi, pas 150 mijë votave shkonte të bënte koalicione. E ato negociata zgjatnin 10 minuta – mjaftonte fjala e Sasho Mijallkovit për ndarjen e posteve!”, theksoi ai.
Sipas Fetait, kjo mënyrë e vjetër e të bërit politikë ka marrë fund me ardhjen e forcës së re politike VLEN.
“Kjo politikë mori fund më 19 tetor. VLEN është forca që mendon, vepron dhe mbron. Asnjëherë kundër kombit, asnjëherë kundër askujt”, përfundon ai.
Lajme nga vendi
Studentët e Fakultetit të Arteve të UT-së e vizituan ekspozitën e profesorit Miftar Memeti në Galerinë “Bezisten” në Shtip
 
														Pas hapjes zyrtare të ekspozitës së profesorit dhe piktorit të njohur Miftar Memeti, studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, drejtimi Art Figurativ, më 29 tetor 2025, realizuan
një vizitë studimore në ambientet e Galerisë së Arteve “Bezisten” në Shtip.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe vetë profesori Miftar Memeti, i cili zhvilloi një bashkëbisedim të hapur me studentët, duke ndarë përvoja të vlefshme nga karriera e tij artistike dhe akademike. Ai foli mbi procesin krijues, rëndësinë e origjinalitetit, kërkimit dhe pasionit në artin bashkëkohor.
Studentët ishin të shoqëruar nga prodekania për arsim, profesoresha e Historisë së Artit Jëlldëz Asani, dhe profesoresha e vizatimit Drenusha Palloshi. Ata u pritën ngrohtësisht nga drejtoresha e
galerisë dhe kuratori i ekspozitës, të cilët e prezantuan konceptin dhe mënyrën e organizimit të kësaj ekspozite.
Në hapësirat e galerisë ishin ekspozuar vepra nga cikle dhe teknika të ndryshme artistike, vizatime me goditje të sakta e karakteristike, si dhe piktura në vaj mbi pëlhurë, të realizuara me një paletë të gjerë ngjyrash, që dëshmojnë mjeshtërinë dhe vizionin e veçantë të autorit.
Në veçanti spikatnin dy piktura monumentale të portretit të Nënë Terezës, të cilat ruajnë dorëshkrimin e njohur të artistit përmes formave konceptuale dhe frymës postmoderne që e
karakterizon krijimtarinë e tij.
Në tërësi, veprat e profesor Miftar Memetit reflektojnë freskinë e impresionizmit, lëvizjen e lirë të ngjyrave dhe ndjesinë e hapësirës, duke i dhënë artit të tij një dimension komunikues ku edhe
publiku bëhet pjesë e procesit krijues.
Studentët shprehën mirënjohjen e tyre për mundësinë e këtij takimi me një artist të kalibrit akademik e kombëtar, i cili përmes shembullit dhe përvojës së tij frymëzon brezat e rinj të ecin me
përkushtim në rrugën e artit.
Kjo vizitë u vlerësua si një përvojë e vlefshme praktike dhe frymëzuese, që forcon lidhjen midis edukimit universitar dhe jetës artistike në vendin tonë.


Lajme nga vendi
Kandidati i VLEN-it për Dollnenit, Islami kërkon mbështetje për të drejtuar komunën në mandatin e ardhshëm
 
														Kandidati i VLEN-it për Komunën e Dollnenit, Blerim Islami, para banorëve dhe përfaqësuesve politik të koalicionit, shpalosi vizionin e tij për komunën dhe kërkoi mbështetje për të drejtuar komunën në mandatin e ardhshëm. Nga VLEN kërkuan unitet etnik dhe fetar kurse thanë se Islami personifikon karakterin e komunës. Islami ka premtuar investime në arsim, furnizim me ujë të pijshëm, ndërtimin e një poliklinike, përmirësim të infrastrukturës duke përfshirë rrugët kryesore dhe rrugicat në të gjithë komunën, hapjen e një zone teknologjike industriale, rrjet të zgjeruar kanalizimi, dhe menaxhim efikas me mbeturinat.
“Ndodhemi në fshatin Debresh. Kemi vizitë nga përfaqësues qeveritar. Me ne sot është Afrim Gashi, kryetar i Parlamentit, e kemi zv.kryeministrin e parë, z. Izet Mexhiti dhe kryetarin e Alternativës z. Zeqirija Ibrahimi. Vizita e tyre këtu është ndihmë e madhe për ne. Kudo që shkojmë, çdo shtab që vizitojmë ndihet atmosfera e fitores dhe shpresojmë që më 2 nëntor të festojmë së bashku këtu në Dollnen”, deklaroi Blerim Islami, Kandidat i VLEN-it për Dollnenin. /Alsat.mk

 
																	
																															
 
									 
																	 
									 
																	 
									 
																	 
											 
											 
											 
										 
																			 
										 
																			 
										