Connect with us

Lajme nga vendi

Aliu: Deri tani janë dorëzuar dosje mjekësore për tetë raste të dyshuara ndërhyrjesh kardiokirurgjikale pa bazë mjekësore

Published

on

Në Komisionin e Brendshëm janë dorëzuar tetë raste të dyshuara ndërhyrjesh kardiokirurgjikale pa bazë mjekësore, të cilat do të shqyrtohen me hollësi, tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, lidhur me operacionet e paarsyetuara kirurgjikale në spitalet private, që si çështje u ngrit nga një mjek disa javë më parë.

“Dua të ju informoj se deri te Komisioni i Brendshëm janë dorëzuar dosje mjekësore për tetë raste. Komisioni do ti shqyrtojë të gjitha me hollësi, me qëllim që të përcaktohet e vërteta mbi bazë të fakteve mjekësore. Komisioni nesër do të mblidhet dhe këto dosje do të jenë rastet e para për të cilat do të veprojë. Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale për të njëjtat raste. Qytetarët duan dhe duhet të jenë të sigurt se kur kërkojnë shërbim shëndetësor, e marrin atë mbi bazë të nevojës reale dhe provave mjekësore, e jo mbi vlerësime të përgjithshme apo motive korruptive”, tha ministri Aliu.

Ai shtoi se ky proces nuk do të mbetet vetëm te ndërhyrjet kirugjike dhe kardiovaskulare, por do të zgjerohet edhe në segmente të tjera të shëndetësisë.

“Procesi që ka filluar është një terapi për sistemin shëndetësor për të rikthyer besimin në të. Një terapi që fillon me ndërhyrjet kardiologjike dhe kardiovaskulare, por nuk do të ndalet këtu , do të zgjerohet në të gjitha segmentet e shëndetësisë, sepse çdo fushë duhet të mbështetet në profesionalizëm, prova mjekësore dhe respekt ndaj pacientëve. Askush nuk do të mbrohet, as nga sektori publik, as nga ai privat shëndetësor, nëse vërtetohet se ka qenë i përfshirë në kryerjen e ndërhyrjeve për të cilat nuk ekziston arsye mjekësore. Në të njëjtën kohë, askush nuk do të stigmatizohet pa prova. Është filluar një proces i ndjeshëm, por i domosdoshëm. Do ta udhëheqim në mënyrë objektive, profesionale dhe transparente, pa kompromise me çfarëdo pritshmërish apo interesash; në fund janë faktet dhe provat ato që do të flasin”, tha Aliu.

Ministria e Shëndetësisë para një jave bëri thirrje që të raportojnë informacione për parregullsi të mundshme në lidhje me kryerjen e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare, përmes platformës “Raportoni parregullsi”, e cila është e disponueshme në faqen zyrtare të MSH në këtë LINK.

Advertisement

Para disa javësh kirurgu kardiolog Sashko Kedev në një intervistë me Kanal 77, tha se në disa spitale private kryhen ndërhyrje të panevojshme për fitim, duke përfshirë stentime dhe operacione të panevojshme. Ai nuk përmendi asnjë spital me emër. Pas deklaratës, spitali privat “Acibadem Sistina” i kërkoi atij të specifikonte se për cilin institucion bëjnë fjalë këto pretendime, duke e paralajmëruar se nëse nuk e bën këtë, do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Pas kësaj Ministria e Shëndetësisë formoi Komisionin e Brendshëm të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e këtij komisioni është që të konstatojë faktet dhe të veprojë mbi bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave metodologjike të sakta. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj.

Lajme nga vendi

Në pranga edhe pronari i “Sante Plus” në Shkup, Bilall Kara si dhe Geriana Arapi, po i kërkonte edhe Shqipëria

Published

on

Pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, është një prej personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar në Maqedonisë së Veriut, në kuadër të një hetimi për abuzime me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Ai ishte shpallur në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare që prej muajit shtator të vitit të kaluar, me dyshimin se nuk kishte deklaruar të ardhurat e përfituara në vlerën e 1 milion eurove, ndërsa në klinikë u gjetën edhe medikamente, të cilat dyshohet se kishin skaduar, por që përdoreshin nga stafi shëndetësor.

Sipas mediave maqedonase, bashkë me Bilal Kara u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me procedurat e operacioneve në sy. Sipas hetimeve, dyshohet se për këto ndërhyrje kirurgjikale janë kryer pagesa si nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe nga vetë pacientët. Mes personave të arrestuar, sipas mediave maqedonase është edhe Geriana Arapi, ish-drejtoresha e spitalit “Sante Plus”, e cila po ashtu ishte në kërkim prej më shumë se një viti nga autoritetet shqiptare, që pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë. Arrestimi i tyre në Maqedoninë e Veriut pritet të pasohet nga zhvillime të tjera lidhur me procedurat ligjore dhe kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa lugina do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së mëngjesit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 12 deri në 19 gradë.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira, në orët e mëngjesit do të ketë kushte për shfaqjen e mjegullës së lehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 10, ndërsa maksimale do të arrijë në 15 gradë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

LAMM: Komunikacioni zhvillohet pa pengesa, nuk ka vonesa në pikat kufitare

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë të thata, njofton LAMM. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar.

Nuk ka vonesa të gjata në pikat kufitare në anën RMV-së për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhimin e kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Continue Reading

Më të lexuarat