Lajme nga vendi
“Pinë alkool së bashku, pastaj e rrahën për vdekje”, Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur një procedurë hetimore ndaj dy personave, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale – lëndim i rëndë trupor, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 10 shtator, në orët e mbrëmjes, në parkun “Gruaja luftëtare” në Shkup, të dy të dyshuarit, të moshës 44 dhe 46 vjeç, qëllimisht e kanë lënduar rëndë një person, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.
“Të tre ishin takuar dhe kishin pirë alkool së bashku, pas çka kishte nisur një zënkë verbale. Përleshja verbale u shndërrua në konfrontim fizik, dhe të dy të dyshuarit e kanë goditur viktimën me grushte dhe shqelma në kokë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime të shumta. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkupit.
Ndërkaq, për rasti në fjalë nga Ministria e Punëve të Brendshme raportuan më datë 11 shtator.
“Më 10.09.2025, në orën 21:30, në SPB Shkup është raportuar se në “Parkun e Gruas” në Shkup, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, është prishur rendi dhe qetësia publike përmes një përleshjeje fizike ndërmjet B.S. (44) nga fshati Bullaçani i Shkupit, Xh.B. (61) nga Shkupi dhe A.B. (46) nga fshati Bardovcë i Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Prokuroria ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit./tv21.tv
Lajme nga vendi
Lokalet/ Rekord kandidatësh për kryetar të komunave dhe këshillave komunalë

312 kandidatë janë paraqitur për të garuar për kryetar të 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit në kuadër të zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor të këtij viti. Nga ana tjetër, në komisionet zgjedhore janë dorëzuar 575 lista të kandidatëve për këshilltarë. Megjithatë, lista nuk është përfundimtare, pasi ka filluar procesi i verifikimit i cili do të zgjatë deri më 20 shtator kur do të dihet se cilët nga kandidatët i plotësojnë kushtet për të garuar. Interesim më të madh ka për Qytetin e Shkupit. Gjithsej janë paraqitur 18 kandidatë dhe 20 lista për këshilltarë, ndërsa gara më serioze pritet të jetë tradicionalisht mes kandidatëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Orce Gjorgjievskit dhe Kaja Shukovës.
9 kandidatë janë paraqitur për Komunën e Strugës, ku përballja më serioze pritet të jetë mes kandidatit të pavarur që po mbështetet edhe nga koalicioni VLEN, Mendi Qyra dhe kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim, Arsim Dalipi. Ndërsa 9 kandidatë, gjithashtu janë paraqitur edhe për Prilepin. Në Kumanovë janë paraqitur 8 kandidatë, ndërsa gara kryesore pritet të zhvillohet mes Maksim Dimitrievskit të ZNAM-it dhe Martin Kostovskit të LSDM-së. Nga 8 kandidatë gjithashtu janë paraqitur edhe për Manasitirin dhe Shuto Orizaren. Nga 7 kandidatë për Kisella Vodën, Gazi Babën dhe Dollnenin.
Për Tetovën janë paraqitur 6 kandidatë, ndërsa gara më serioze pritet të zhvillohet mes Bilall Kasamit të VLEN-it dhe Bajram Rexhepit të AKI-së. Po aq kandidatë janë paraqitur edhe për Novacin, Aerodromin dhe Koçanin. Nga 5 kandidatë për Karposhin, Debërcën, Demir Hisarin, Demir Kapinë dhe Gjevgjelinë.
Në 15 komuna të vendit, janë paraqitur nga 4 kandidatë. Në Gostivar përballë Valbon Limanit të AKI-së do të jenë Sebaedin Dauti nga VLEN, Darko Grujoski nga e Majta dhe Visar Ademi si kandidat i pavarur. Në Kërçovë kryetari i deritanishëm Fatmir Dehari do të përballet me Fatmir Limanin e VLEN-it, ndërsa kandidaturë kanë paraqitur edhe Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE dhe Shkodran Alili kandidat i pavarur. 4 kandidatë do të ketë edhe në Saraj, krahas përballjes së Blerant Ramadanit nga AKI dhe Muhamet Elmazit nga VLEN, janë paraqitur për të garuar edhe Tenzi Beluli nga partia Demokratët dhe kandidati i pavarur Remzi Mamuti.
Për 24 komuna të vendit janë paraqitur nga 3 kandidatë. Ndër garat më të ashpra që pritet të jenë në këto zgjedhje është për Çairin, ku në duelin midis Izet Mexhiti nga VLEN-it dhe Bujar Osmani nga AKI-së, ka shprehur interesim të përfshihet edhe Ico Kolevski nga Partia e Punëtorëve. Në Haraçinë, përballja serioze pritet të zhvillohet mes Daut Beqirit të koalicionit VLEN dhe Skender Isufit nga AKI, ndërsa do të garojë si kandidat i pavarur edhe Fekri Bakiu. Dibrën, VLEN e synon me Fisnik Melën, ndërsa AKI me Ilirijan Fetahun, ndërsa në garë është paraqitur edhe Ramadan Imeri si kandidat i pavarur. Azem Sadiku është kandidat i pavarur për edhe një mandat për Studeniçanin, ndërsa përballë do të ketë kandidatin e VLEN-it, Sedat Bislimin dhe atë të AKI-së, Ejup Abazi.
Në 22 komuna të vendit janë paraqitur nga vetëm 2 kandidatë. Erkan Arifi nën logon e AKI-së do të kërkojë edhe një mandat në Likovë, ndërsa kundërshtar do ta ketë Nexhmedin Sadikin nga VLEN. Gjithashtu edhe në Zhelinë Blerim Sejdiu do të garojë për të ruajtur pozitën e kryetarit, ndërsa përballë do ta ketë Emir Sulejmanin nga AKI. Në Bogovinë, Feti Abazi nga VLEN, forcat do t’i matë me Besnik Emshiun nga AKI, ndërsa në Tearcë Daut Emshiu nga VLEN do të ketë përballë Nazim Taipin nga AKI./alsat.mk/
Lajme nga vendi
Toshkovski: Do të ketë kallëzime për çdo krim ekologjik që dëshmohet

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, njoftoi se MPB po merr masa si pjesë e një hetimi për krimin mjedisor. Ai konfirmoi se katër persona janë thirrur për intervistë informative, ndërsa disa prej tyre janë nën masa të propozuara nga prokurori publik.
“Jemi vigjilentë, jemi të pranishëm, MPB po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme. Do të ngrihen akuza përkatëse kundër kujtdo që ka prova për pjesëmarrje në këtë lloj krimi. Qytetarët meritojnë një Maqedoni të sigurt dhe të pastër”, tha Toshkovski.
Ai theksoi se hetimi do të shkojë “sa më thellë të jetë e mundur” dhe u bëri thirrje të gjitha institucioneve, veçanërisht Ministrisë së Mjedisit, të përfshihen në marrjen e masave.
Sipas tij, problemi është rezultat i dekadave të mosfunksionimit të institucioneve, të menaxhuara nga staf joadekuat dhe pa respekt për standardet profesionale.
Lajme nga vendi
Mijëra kilogramë drogë, qindra armë dhe mijëra municione u asgjësuan në Shkup

Në Maqedoni, droga dhe armët ilegale nuk kanë të ardhme, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas asgjësimit të lëndëve narkotike dhe armëve të konfiskuara, në ambientet e fabrikës “Makstil”, përcjell TV21. Me procesin e shkatërrimit të çdo grami droge dhe çdo cope arme, ai theksoi se shteti po tregon se siguria e qytetarëve dhe veçanërisht e të rinjve në vend po ngrihet në një nivel më të lartë.
Në aksionin e sotëm, shtoi ai, janë asgjësuar mbi 4.000 tonë marihuanë, 18.000 bimë marihuane, 79 kilogramë fletë, si dhe mbi 21 kilogramë droga të tjera si amfetamina, kokainë, heroinë… Janë shkatërruar gjithashtu mbi 100 copë armë, si dhe mbi 1.000 fishekë dhe pjesë të tjera armësh.
“Këto janë droga dhe armë të mbledhura nga vitet e kaluara, për të cilat proceset gjyqësore tashmë kanë përfunduar me vendime përfundimtare. Në të ardhmen do të ketë edhe sasi shumë më të mëdha për asgjësim,” tha Toshkovski.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi3 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve