Lajme nga vendi
LSDM: DUHET TË KETË PËRGJEGJËSI POLITIKE DHE PENALE PËR KATASTROFËN EKOLOGJIKE NË SHKUP
LSDM ka reaguar për djegien e deponisë “Vardarishte” e cila shkaktoi edhe ndotje të ajrit. Nga partia opozitare maqedonase thonë se “Maqedonia ka qeveri të paaftë që tregon histori ndërsa deponitë dhe fabrikat digjen.
“Mbi 500 mijë banorë të Shkupit dhe zonës përreth po mbyten në tym toksik nga zjarret në Trubarevo, Drisla dhe Vardarishte, dhe qeveria po fshihet pas historive të sajuara për “sulme hibride”. Ndërsa qytetarët thithnin substanca kancerogjene, institucionet reaguan me vonesë, madje as nuk dolën në kohë për të informuar qytetarët, për të dhënë rekomandime ose për t’u treguar atyre se si të mbrohen”.
“Banorët e Shkupit ende nuk e dinë shkallën e ndotjes, a është plotësisht e sigurt, sa mbeturina toksike u dogjën, cili ishte përqendrimi i substancave toksike, gërryese dhe të rrezikshme për shëndetin e njeriut? Qeveria e Mickoskit është më përgjegjësja për katastrofën ekologjike që po ndodh me zjarret, përfshirë edhe në deponitë që menaxhohen pikërisht nga VMRO-DPMNE”.
“Mjaft histori, për këtë ekocid, për këtë katastrofë ekologjike në Shkup dhe Maqedoni duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale. Përveç Trubarevës, Prokuroria Publike duhet të zgjerojë hetimin për zjarret në Vardarishte dhe Drisla, ku do të përfshihen të gjitha strukturat aktuale të menaxhimit në kohën e zjarreve, të cilat lejuan të ndodhte një katastrofë ekologjike me pasoja të rrezikshme për shëndetin”, thonë nga LSDM.
Lajme nga vendi
MPB, të hënën në mëngjes grevë e doganierëve grekë në pikat kufitare
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se, sipas informacioneve të pranuara nga organet kompetente të Republikës së Greqisë, më 27.07.2026 (e hënë) është paralajmëruar grevë e punonjësve të doganave në pikat kufitare greke Evzoni (Bogorodicë), Dojrani (Dojran) dhe Niki (Mexhitli).
“Gjatë periudhës nga ora 05:00 deri në 09:00 sipas kohës së Maqedonisë (06:00–10:00 sipas kohës së Greqisë), në këto pika kufitare, automjetet e udhëtarëve do të lejohen të kalojnë çdo 10 minuta, ndërsa qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave do të jetë plotësisht i ndërprerë, si për hyrje ashtu edhe për dalje nga Republika e Greqisë”.
“Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe do të angazhojë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës”, – thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Ulet numri i rasteve të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar
Sipas të dhënave nga institucionet publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (23.07.2026) janë regjistruar gjithsej 197 pacientë të rinj, përkatësisht persona që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, çka tregon një ulje krahasuar me një ditë më parë.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar gjithsej 117 vizita të reja, prej të cilave 82 në repartin e sëmundjeve infektive (pa shtrime të reja në spital dhe me tre pacientë të liruar), 40 në repartin e pediatrisë dhe 7 vizita në Qendrën e Urgjencës.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 80 vizita të reja në shërbimin kujdestar, si dhe 13 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.
Lajme nga vendi
Hetime për kredinë hungareze 1 miliardë € që mori Maqedonia e Veriut, urdhëron Magyar
Qeveria në Hungari, e udhëhequr nga Péter Magyar, do të hetojë nëse ka pasur keqpërdorim të mundshëm të fondeve shtetërore në lidhje me kredinë prej një miliard eurosh që “Eximbanka” shtetërore ia dha Maqedonisë së Veriut.
Kështu njoftoi dje Magyar, i cili, siç raportuan mediat vendase, ndau se kredia e marrë nga Maqedonia e Veriut është një nga katër rastet e lidhura me “Eximbank”-un, për të cilat sot Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka dorëzuar ankesa, shkruan Fokus.
„Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dorëzoi katër ankesa të enjten për mashtrim të dyshuar në vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër raste të ndryshme. Të gjitha kanë të bëjnë me aktivitetet e ‘Eximbank’-ut“ – tha Magyar.
Ai theksoi se kredia u dha në kushte shumë të favorshme me një normë interesi prej 3,25 për qind.
Kredia, tha ai, do t’i kushtojë buxhetit hungarez 90 miliardë forinta (rreth 248 milionë euro) për shkak të diferencave të interesit.
„Kjo paraqet një barrë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin hungarez, ndërsa shteti hungarez mori përsipër garanci 100 për qind për kredinë nën udhëheqjen e qeverisë së Orbanit“, tha Magyar.
Sipas tij, norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha kredinë Maqedonisë është shumë më e favorshme se normat e interesit me të cilat kompanitë hungareze dhe qytetarët e vendit marrin hua.(INA)

